Krahas punës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Ndroq, Bashkia e Tiranës po punon edhe për rikonstruksionin e shkollës, në mënyrë që fëmijët, kur të kthehen në shtator, të gjejnë një shkollë të re me kushte më të mira.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se me rritjen e numrit të klasave, fëmijët e Ndroqit nuk do të jenë më të detyruar që të shkojnë në Tiranë për të ndjekur shkollën.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të rikthehesh në Ndroq dhe të shikosh se kantieri i radhës nuk është një rrugë, por një shkollë. Shkolla është një rrugë, por një rrugë për dije dhe prosperitet për të gjithë këtë komunitet. Sot kemi një lajm të mirë për 270 nxënësit e shkollës 9-vjeçare, shkolla e vjetër e Ndroqit, në të cilën nuk është vënë dorë ndoshta që nga koha e gjyshërve të tyre. Jo vetëm po rikonstruktohet çatia, klasat ekzistuese, shkallët, sistemi i ngrohjes, nyjet hijeno-sanitare, banjot, dushet e reja, por edhe e kemi shtuar. Pra, shkolla shtohet me 1/3 e hapësirës së vet, që asnjë fëmijë, asnjë djalë ose vajzë e Ndroqit, të mos detyrohet të shkojë në Tiranë apo në shkolla të tjera”, deklaroi Veliaj.
Për herë të parë shkolla do të ketë dhe parashkollorin. Veliaj shtoi se shkolla e re do të shërbejë edhe si një qendër komunitare pas përfundimit të mësimit, duke i dhënë një alternativë të re orëve të lira të të rinjve të zonës.
Duke i siguruar banorët e zonës se cilësia do të jetë e njëjtë si në qendër, ashtu edhe në zonat rurale, kreu i Bashkisë u bëri thirrje banorëve që t’i regjistrojnë fëmijët në shkollën më të afërt.
Investimi i bashkisë parashikon që shkollës 9-vjeçare, përveç rikonstruksionit të përgjithshëm, t’i bëhet dhe një shtesë anësore, me nga 2 klasa në kat, një ambient teknik për kaldajën e re, sistemin e furnizimit me ujë, sistemin e mbrojtjes kundra zjarrit.
Gjithashtu, do të ndërtohen edhe terrenet sportive që do të shërbejnë jo vetëm për lëndën e edukimit fizik, por edhe për komunitetin e zonës pasditeve.
g.kosovari