Ka derdhur lot, teksa shikonte qytetarët që dridheshin nga pushtimi i bashkive nga mazhoranca.
Në një intervistë për RTV Ora, ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka rrëfyer sakrificat që çdo demokrat bën në interes të publikut.
Ervin Salianji: Në momentin kur isha në bashkinë e Devollit dhe shihja demokratë, qytetarë dhe njerëz që mbështesnin prej kohësh kauzën e PD dhe dridheshin nga uzurpimi apo nga pushtimi, pa diskutim që nga përmbajtja edhe vetë kam lëshuar lot. Kjo është një sakrificë që bëjnë demokratët, por është një sakrificë që i shërben në fund interesit publik. I gjithë aksion opozitar do të matet në ditën kur të arrijë apo jo suksesin.
Për Salianjin lënia e mandateve e ka rritur besueshmërinë tek Partia Demokratike. Sipas tij Rama po qeveris si një despot dhe jo si një kryeministër i një vendi demokratik.
Ervin Salianji: Nuk më duket, sepse gjithçka është në raport me qëllimin. Qëllimi i parlamentit është që të përfaqësojë zërin e qytetarëve dhe të marrin vendime. Në parlamentin aktual nuk ishte një parlament i cili i shërbente interesave të qytetarëve. Në momentin kur ne si përfaqësues të qytetarëve ishim kthyer në fasadë sepse asnjë mekanizëm ligjor nuk funksiononte, asnjë pushtet nuk kishte, por vetëm fjala e kryeministrit, padiskutim që i shërben interesit publik lënia e mandateve dhe qëndrimi jashtë sistemit, për t’ia lënë të gjitha kostot e këtij sistemi, qeverisjes së Edi Ramës dhe Edi Ramës personalisht, i cili po qeveris si despot dhe jo si një kryeministër i një vendi demokratik. Kështu që jo vetëm nuk e ka ul skepticizmin lënia e mandateve, por e ka rritur entuziazmin dhe besueshmërinë tek PD, sepse nuk po lufton për pushtet apo për karrige, sepse ato karrige që kishim i lamë me vullnet, por po sakrifikon njësoj si çdo qytetar shqiptar.
/a.r