HISTORI
Napoleon Bonaparti dhe shqiptarët
nga Bajram Peçi
15 gushti i këtij viti shënon 250 vjetorin e lindjes të një prej figurave më të ndritëshme të historisë botërore, Napoleon Bonapartit. Janë të pafund biografët që kanë shkruar për të, kronistë e bashkëkohës, që me kujtimet, opinionet, letërsinë, kanë përshkruar figurën, 52 betejat, ushtarakun, njeriun, dashnorin, diktatorin, shtetarin, reformatorin civil dhe administratorin, aventurierin dhe epokën. Për askënd tjetër nuk janë shkruar më shumë se për këtë gjeni. Historiani Alistar Horne numëron një listë me rreth 600 mijë tituj e autorë.
“Napoleon le Grand”, emri që sundoi Europën e çerekut të parë të shekullit 19-të, ka disa pika takimi me kombin dhe historinë tonë. Le ta fillojmë me origjinën, ku prej kohësh vijnë rrotull pohime të vjetra personazhezh jetësorë për stërgjyshërit e tij.
I.
Rrënjët arbëreshe
Erdhi në jetë në vitin 1769 në qytetin Ajaccio të ishullit të Korsikës. Biografët shënojnë këto versione: se familja e Napoleonit kish emigruar në shekullin e 16 në Korsikë nga provinca e Toskanës; se familja ishte gjenoveze dhe kish emigruar në Korsikë në fund të shekullit 15-të; se familja Bonaparte ishte nga Trevizo.
Napoleoni lindi si Buonaparte, por qe Franca që ja bëri Bonaparte. Ideja e rrënjës arbëreshe të Bonapartëve zë fill në mes të shek. 19-të. E dhëna më serioze për origjinën arbëreshe vjen përmes një historiani dhe personaliteti politik, Adolf Thieres. Është autori i shumëvëllimshit, “Historia e revolucionit Francez” dhe President i Francës në vitet 1871-1873. Do ishte një emër i njohur i kombit shqiptar, Myfit Libohova, i arsimuar në Francë, avokat, doktor i shkencave juridike, diplomat dhe funksionar i lartë në Perandorinë Otomane, që në vitin 1903 do botonte në Kajro një studim për “dajon” e tij, “Ali Pashë Tepelena”, ku mes të tjerash shkruan mbi origjinën arbëreshe të Napoleonit të Madh. Të dhënat që Myfit Libohova sjell nga gjurmimi i veprës së Adolf Thieres i nxjerr nga errësira studiuesi dhe shkrimtari Mexhit Kokalari. Vite më pas i sjell në vëmendje A.Tare dhe shtypi shqiptar.
Adolf Thieres ka shkruar se, “Kur Josef Bonaparti, vëllai i madh i Napoleon Bonapartit u kurorëzua në vitin 1806 Mbret i Napolit, arbëreshëve që kanë shkuar për ta mirëpritur e uruar, ai u ka thënë: “Edhe familja Bonaparti është me origjinë arbëreshe”. Më tej, M.Libohova shpjegon rrënjët e mbiemrit. Sipas tij mbiemri Kallomeri (greqisht-Anë e mirë) është italianizuar në Buonaparte.
Gjeneral Napoleon Bonaparte, 27 vjeç, triumfator në Itali
Për mbiemrin, është edhe dukesha D’Abrantes, e bija e ish së dashurës të Perandorit Napoleon, gruaja e një gjenerali të shquar të Napoleonit, që ka shkruar. Në kujtimet 28 vëllimshe, “Revolucioni, Perandoria, Restaurimi”, thotë se Buonapartët ishin nga fshati arvanitas, Mani i Peloponezit dhe se mbiemri Buonaparte ishte një italianizim i fjalës greke, Kalimeros. Shton se Buonapartët nuk ishin nga Trevizo. Më tej, rreth mbiemrit vjen të shkoqisë jo kushdo, por një gjuhëtar, korsikani, profesori i shquar Robert d’Angely. Ai shtjellon se mbiemri nuk ka qenë Kalimeri, siç grekët shpjegojnë, por ka qenë Kalëmiri. Anëmirë nuk ka asnjë kuptim, është greqizuar shtrembër-shton ai.
Siç është e njohur, se në shek. 14-15, Peloponezi ishte tejmbushur me popullsi shqiptare, ashtu është e njohur edhe se pas pushtimit turk, shumë prej tyre u shtrënguan të emigrojnë në Itali. Mes tyre thuhet se ishin dhe të parët e Napoleon Bonapartit. M.Libohova shkruan se kanë shkuar në Korsikë që në atë kohë dhe patën qenë të identifikuar në një bashkësi fshati. Biografët e Napoleonit thonë se në Korsikë këta “italianë” kanë shkuar nga Gjenova.
Që ish Perandori i Francës të mund të ketë rrënjë Arbëreshe, nuk është mendim i përhapur dhe nuk gjen përkrahje. Franca nuk lejoi madje as Italinë t’i afrohej Napoleonit. Si i lindur në një territor francez e quante përveç se francez (ishulli i Korsikës ishte territor gjenovez dhe i kish kaluar Francës një vit para lindjes të Napoleonit). Argumentet nuk i kapërxejnë, siç u pa më lart, caqet e pak rrëfimeve. Natyrshëm, ka pak gjasa që të zënë vend e të besohen shpjegimet shqiptare, për shkak se jeta dhe vepra e tij i përkasin Francës. Aq më tepër kur nuk i vlerësojnë burimet të besueshme, thënë apo shkruar qoftë dhe nga historianë të kalibrit të ish presidentit të Francës, me tekstet historike të të cilit mësohet ende në shkollat franceze. Asnjë nga këto shpjegime nuk është ngritur në nivelin pretendues të përpjekjes për ta mbrojtur dhe ska patur gjasa të ja dilte mbarë në kushtet e një Shqipërie të vobegtë ekonomikisht e kulturorisht. As që bëhet fjalë t’i cënosh Francës madhështinë megallomane e pompozitetin e vet. Sidoqoftë, nga ç’kanë shkruar për rrënjët arbëreshe, edhe nëse nuk zënë vend, kjo, ne shqiptarëve, nuk na pengon në nanurisjet tona t’i kujtojmë.
II.
Masakra e Xhafa-s
Bëhet fjalë për një ngjarje ku Napoleoni ndodhet përballë me një masë shqiptarësh në shërbim të Perandorisë Otomane. Rrëfimi i vëllait të madh të Napoleonit, thënë arbëreshve të Italisë në kohën e kurorëzimit, për origjinën arvanitase, nuk dimë të jetë përmendur nga pjestarët e tjerë të familjes. E ka ditur apo nuk e ka ditur Napoleoni këtë, ska asnjë dëshmi!? Librat biografikë mbi Napoleon Bonapartin e japin ngjarjen pothuaj në shumicën e tyre, të shpjeguar herë në pak faqe dhe herë në përshkrime më të gjata.
Masakra lidhet me ngjarjen në kështjellën e Xhafas (Jaffa), shumë afër Jeruzalemit. Ishte periudha e fushatës në Egjipt, kohë kur, ngadhënjyese, ushtria prej 35 mijë luftëtarësh e Bonapartit, doli nga Kajro e Aleksandria dhe mori rrugën për pushtimin e ”Tokave të shenjta”. Kapërxeu lehtësisht e theu rezistencat e dobta që hasi rrugës në Gaza, deri sa ngeci para murit të një kështjelle, Xhafas, që as thyhej dhe as dorëzohej. Dëshmitë e drejtëpërdrejta të kohës tregojnë se ishin nizamë shqiptarë ata që e mbronin. Napoleoni u premtoi jetën nëse dorëzoheshin, por ata pas katër ditë luftimesh të përgjakshme në rrethim, kërkuan të dorëzoheshin në ”besë”, me kushtin që të merrnin e mbanin edhe armët. Kështu u ra në ”mirëkuptim”, por, siç thonë historianët, pas tre ditë mëdyshjesh dhe një nate të tërë pa vënë gjumë në sy, Napoleon Bonaparti urdhëroi pushkatimin e të dorëzuarve, pothuaj të gjithë me origjinë shqiptare.
Napoleoni në Xhafa, vaj në kanavac, piktor Baron Antonie-Jean Gros, Muzeu i Luvrit-Paris
Sipas autorit të biografisë ”Napoleoni”, të shkrimtarit rus, Evgeny Viktoroviç Tarle, të therur e vrarë mizorisht më 6 dhe 7 mars të vitit 1799 ishin 10 mijë. Burime të tjera, si Falk Avner, “Napoleon Against Himself: A Psychobiography”, përmend 7 mijë; “Memoira of Napoleon”, Louis Antonie Fauvelet de Bourrienne thotë se janë 4100 ushtarë; Emil Ludvig përmend te vepra e tij,”Napoleoni”,shifrën 3000. Me pak, 2440 ushtarë, jep Simon S. Montefiore te vepra ”Jeruzalemi”. Vetëm ”Enciklopedia e Historisë Botërore” e William L. Langar jep shifrën më të ulët, 1200 ushtarë shqiptarë të vrarë.
Vite më vonë, gjatë internimit në ishullin Shën Helenë, Napoleoni shkroi: “Për të mbajtur në ruajtje një numër të konsiderueshëm të burgosurish, do të ishte e nevojshme që të shkëputeshin roje të mjaftueshme për ta, të cilat do të zvogëlonin rëndë rreshtat e ushtrisë së tij dhe në qoftë se ai do i kishte lejuar ata që të largohen si njerëz të lirë, ishte e arsyeshme që të besonte e të kish frikë se ata mund të rrisin rradhët e trupave të Ahmed al Jazzar.”
III.
Napoleoni dhe Ali Pashë Tepelena
Marrëdhënjet mes Napoleon Bonapartit dhe Ali pashë Tepelenës, zot i pashallëkut të Shqipërisë së Jugut, janë të dëndura dhe janë përshkruar në kujtime, studime historike e diplomatike. Për karakterin publicistik të shkrimit, po i jap në formë të shkurtëra e skematike.
Me shëmbjen e Republikës së Venedikut, shkëlqimit verbues të saj dhe pasurisë spektakolare të përvetësuar nga gjeneral Bonaparti, trupat franceze mbërritën në kufijtë e pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës. Pasoi traktati i Kampo-Formios, përmes së cilës zotërimet venedikase të bregut dalmat e jonian viheshin nën juridiksionin e Francës. Ushtarët francezë u vendosën në ishujt e Jonit. Gjithashtu dhe në bregun kontinental, në Butrint, Pargë, Prevezë e Vonicë, që populloheshin nga shqiptarët e që koha, për të cilën shkruajmë, e quante “Bregdeti shqiptar”. Lind në Korfuz “Le regiment des Albanias”. 3200 luftëtarë shqiptarë, u rreshtuan nën armët franceze të Napoleonit. Rradhët e tyre kryesisht përbëheshin nga burra të krahinës shqiptare të Sulit, detyruar të emigrojnë në Korfuz për shkak të dhunës e masakrave të pashait të Janinës mbi popullatën e malsisë rebele.
Ali Tepelena, pasha i Janinës
Me planin për ndërhyrjen ushtarake në Egjypt, Franca filloi të përkrahte fuqizimin e dy pashallarëve shqiptarë, në dëm të pushtetit qëndror të Perandorisë Otomane. Nga Napoleoni, komandantit francez të Korfuzit i erdhi urdhëri që ta përkrahte Ali pashë Tepelenën, në përpjekjet për forcimin e pushtetit të tij. Fillon një komunikim mes Aliut dhe Bonapartit, për të arritur një marrëveshje për furnizimin e Korfuzit, Bonaparti lejon që otomani Ali të fusë trupat në bregun e Himarës, por nuk ja dha Butrintin, siç e kishin marrëveshjen paraprake. Historia shënon masakra të përgjakshme prej trupave të Aliut në bregun himarjot. Është koha kur pashai ndërton kalanë e Porto Palermos.
Ndërsa nisej për pushtimin e Egjiptit, Bonaparti dërgon adjutantin Lavalletë, me një letër për Aliun, i cili e nisi nga Korfuzi për Janinë me gjeneralin Rose. Fatkeqi u kap rrugës dhe e nisën si rob për Stamboll, ku dhe vdiq. Aliu sulmoi Butrintin, i theu francezët të cilët e dorëzuan kështjellën pasi e dogjën atë dhe Butrintin. Pason sulmi ndaj Prevezës, ku trupat e Aliut i thyen trupat franceze. 8 oficerë dhe 120 ushtarë francezë të zënë robër, u dërguan në burgjet e Stambollit.
Pasi ra edhe Korfuzi nën peshën e flotës Ruso-Turke, pashait i mbërrijnë urime nga admirali anglez, Nelson, i cili ndodhej në Egje në gjurmim të Bonapartit në Egjipt. Në zotërim të ishujve jonianë u vu Rusia. Në vitin 1807, traktati i Tilsitit ndërmjet Napoleonit dhe car Aleksandrit I, u njeh francezëve vendosjen përsëri në Korfuz dhe ishujt jonianë. Aliu i kërkon Francës qytetin shqiptar të Pargës. Napoleoni nuk pranon, marrëdhenjet përkeqësohen dhe Aliu afrohet me anglezët. Napoleoni dërgon konsull në Janinë Pukëvil. Që në vitin 1801 Napoleoni kish dashur që në Janinë, në kryeqytetin e Shqipërisë, siç e quante atë kohë Europa, të ngrinte një post vëzhgimi për të siguruar mbrojtjen e ishujve të Jonit. Pukëvili i kërkon Napoleonit që të ndërhynte te Porta e Lartë për t’i dorëzuar Aliut Pargën, Prevezën e Vonicën. Pason në vitin 1807 një korespondencë mes perandorit dhe Pashait. Dështon një orvatje tjetër e Aliut për pushtimin e Pargës, që mbrohej me 32 topa dhe 300 trupa franceze. Parga ra në dorë të tij vetëm pasi ua bleu anglezve për 150 mijë lira stërlina, gjë që ndodhi pas traktatit të Parisit, në 5 nëntor 1815.
Në Libohovë, në shtëpinë e Myfit Bej Libohovës, ka qenë një servis çaji dhe kafeje, me ngjyrë blu, me gërmën “N” të Napoleon Bonapartit si dhe dy piktura vaji të Ali pashës, punë të piktorit francez Dypre. Thuhet se ishin dhurata të Napoleon Bonapartit për pashanë e Janinës, të cilat e motra e tij, Shanishaja, kur u martua në Libohovë, i kish marrë me vete. Pas vdekjes së të shoqit, Sulejman Pashës, reliket mbetën te Myfit Bej Libohova, nip i Shanishasë.
Gjithsecili, në madhështitë e tyre të dredhive, mashtrimit, dhunës e pushtetit, shkonin përbri si burra që i dhanë epokës së tyre tiparet e sundimit të egër. “Ali Pasha rri përballë Bonapartit, si tigri me luanin, ata ngjajnë me njëri-tjetrin si dy pika uji, sepse të dy e filluan karrierën nga asgjëja dhe u ngjitën deri në majat e perandorive”-do shkruante V.Hygo. Këto marrëdhënje ndikuan e i dhanë udhë lulëzimit në letërsinë franceze të një sërë veprash letrare, ku shquhen krijimet e shkrimtarit të madh, Aleksandër Duma, “Konti i Monte Kristos”, ku autori përdor artistikisht figura historike të ngjarjeve mes Napoleonit dhe Aliut, si dhe vepra biografike, “Ali pasha-Krime fatkeqe”.
IV.
Francezët në bregun dalmato-shqiptar
Bregdeti i Adriatikut lindor do të jetë për një çerek shekulli (1789 – 1814) në qendër të ngjarjeve europiane. I pranishëm me trupat franceze dhe luftërat ndaj mbretërve italo-lombardë, Perandorive Austriake dhe Ruse, Napoleoni e pa Dalmacinë si pozicion të rëndësishëm strategjik në planet e tij për Ballkanin dhe ndërmarrjen e një lufte të mundshme kundër Perandorisë Otomane. Që në krye, Napoleoni as që e përdori emrin Ballkan, por e quajti territorin Iliri. Përdorimi i emrit të lashtë të gadishullit kish vazhduar deri nga shekulli i 17-të dhe më tej është harruar. Termi i ri turk, Ballkan, e zëvendësoi përfundimisht.
Provinca franceze e Ilirisë
Ilirinë e risjell në vëmëndje Napoleoni i Madh, fill pas nënshkrimit në vitin 1805, të paqes së Pressburgut. Në këtë marrëveshje palësh, gadishulli i Istrias, Dalmacia dhe Gjiri i Kotorit, i cili deri në atë moment e për disa shekuj rresht ishte quajtur “Albania veneta”, “Cataro d’Albania”, ju dorëzuan nën administrim Francës. Dalmatia dhe Shqipëria venedikase ishin qeverisur nga Republika e Shën Markut, nga Istria deri në tokat ku banonin shqiptarët. Gjiri i Kotorit i ndante nga turqit. Napoleoni angazhohet të revolucionarizojnë themelet shekullore të këtij territori, me një politikë krejt të re sociale dhe ekonomike. Ai shpalli hapur idetë liberale të Revolucionit Francez.
Në 1805 Napoleoni krijoi Mbretërinë e tij të Italisë rreth detit Adriatik, duke i bashkangjitur ish Dalmacinë venedikase e pjesë të Shqipërisë venedikase, nga Istria në Kotor. Në Mbretërinë Napoleonike të Italisë, në vitin 1808 u shtua dhe Republika e Raguzës, e cila u aneksua, duke zhdukur kështu nga historia adriatikase Republikën e Shën Vlashit, një nga republikat më të vjetra në botë, ku jetonin e punonin një numër i madh banorësh me kombësi shqiptare.
Napoleoni e shkëputi Dalmacinë dhe Albania venetën nga mbretëria e Italisë dhe krijoi provincat ilire. Si guvernator i Ilirisë, i përbërë nga toka shqiptare dhe dalmate të bregdetit të Adriatikut, u emërua në vitin 1806 një nga marshallët besnikë të Napoleonit, Auguste de Marmont. Ai e mbajti këtë post për tre vjet. Marmont në Iliri themeloi shkolla dhe ndërtoi qindra kilometra rrugë. Ai lejoi që Kroatët dhe Sllovenët të rilindnin. Provinca franceze napoleoniane e Ilirisë zgjoi shpresat e kombësisë shqiptare për çlirimin nga zgjedha turke e tokave të tjera të popullit të tyre, që ndodhej në robëri.
Në veri të provincës Iliri, është koha kur te dalmatët lind ndërgjegjja se edhe ata i përkasin popullit slloven e kroat, ndërgjegjësim të cilin fuqia ushtarake dhe administrative e Venedikut nuk e kish lejuar. Në jug të provincës Ilire fillonte Perandoria Otomane, me pashallëkun e Bushatllinjve të Shkodrës. Napoleoni filloi menjëherë krijimin e lidhjeve. Për qëllimet e tij mbi shëmbjen e otomanve në Ballkan, besonte se do mbështetej te dy pashallëqet shqiptare. Për këtë qëllim dërgoi si konsull në Shkodër, Mark Bryger, si dhe disa oficerë. Kur katër nga oficerët ju vranë nga tivarasit në një incident, Marmont i kërkoi Napoleonit ndërhyrjen e tij. Perandori u kërkoi Bushatllinjve ndëshkimin, por askush nuk u dënua sepse oficerët e vrarë e kishin kërkuar vetë sherrin, me arrogancën e tyre.
Ideja e provincës Ilire jetoi po aq sa jetoi edhe pushteti i Napoleon Bonapartit. Me rrëzimin e tij u shemb edhe provinca Ilire. Këto territore ju bashkangjitën Perandorisë Austro-Hungareze, deri në fund të Luftës së I Botërore.
V.
Obelisku egjyptian i Luksorit në Paris
Nuk ka lidhje të drejtëpërdrejta me Napoleon Bonapartin, por lidhet dhe merr jetë prej fushatës se tij ushtarake në Egjypt dhe dëshirës për t’i dhënë Parisit një monument të lashtësisë egjyptiane. Napoleoni u bashkangjiti 2 mijë topave të fushatës ushtarake 175 studiues gjithçfarësh, ekonomistë dhe inxhinierë, që mblodhën, klasifikuan e shqyrtuan një masë të madhe artefaktesh e njohurish. Me të gjithë materialin e mbledhur në fushë të historinë, gjeografisë, gjuhësisë dhe kulturës së vendit, u formua baza e njohurive moderne të Egjiptit, që u botua më pas në dhjetra vëllime.
Egjypti shpejt u përmbyt nga studiues e mes tyre ishte dhe filologu francez, Champollion. Ishte ai që u bë deshifruesi i hieroglifëve, i ndihmuar për këtë nga gjetja e çelësit të tyre, Gurit të Rozetës dhe studimi i obeliskëve të Luksorit. Monumentet dhe sheshet e famshëm në Paris janë të panumurt, njëri më i bukur se tjetri, të mrekullueshme me arkitekturë dhe impresionuese. Ideja për t’i dhënë Parisit një obelisk egjiptian ka qenë e Napoleon Bonapartit. Në skemat e mëdha ndërtimore të Napoleonit për Parisin përfshihej dhe një obelisk egjyptian në boshtin përmes Konkordit të Madalenës dhe pallatit të Burbonëve. Ai, gjatë fushatës së Egjiptit, i kishte parë këto monumente të jashtëzakonshme të krijuara nga dora njerëzore, si simbol të pushtetit, të perandorive. Ndërsa merrej me luftëra, ideja ngeli ide dhe s’pati mundësi të organizonte sipërmarrjen e këtij aksioni, kur dhe zotërimi i Detit Mesdhe nga ana e anglezëve ishte një tjetër pengesë serioze.
Sundimtar i Egjiptit nga viti 1805 ishte një shqiptar, Mehmet Ali Pasha. Sipas gojëdhënave, Mehmet Aliu ishte me origjinë nga fshati
Obelisku Luksorit në sheshin Konkord-Paris
Zëmblak i Korçës dhe kish mbërritur në Egjipt në krye të një formacioni ushtarak me shqiptarë, për të luftuar kundër Napoleonit. Në vitin 1799, kur Napoleoni iku në Francë, ushtria pushtuese franceze u dëbua nga trupat britanike dhe ato otomane. Në vitin 1801 ju dha fund pranisë franceze në Egjipt. Në vitin 1805 Mehmet Aliu, me regjimentin e tij shqiptar, merr kontrollin dhe bind sulltanin për ta bërë atë guvernator të Egjiptit. Vendos kontroll të plotë, pasi mposhti një ushtri britanike, në vitin 1807 dhe masakron në vitin 1811 kundërshtarët Mamlukas. Dinastia shqiptare e sundimit të Egjyptit do zgjaste rreth 150 vjet.
Francezët e mbetur në Egjypt, nën sundimin e Mehmet Aliut, nga pushtues u shndërruan, me përkrahjen e Guvernatorit shqiptar, në bashkëpunues e bashkëpunëtor. Qindra prej tyre u dyndën në luginën e Nilit si arkeologë, këshilltarë, inxhinierë, artilierë e armatorë. Nga Aleksandria në Luksor, pranë ushtrisë pushtuese shqiptare, ndodheshin këshilltarët ushtarakë francezë. Champollion, i tërhequr në Egjipt në deshifrimin e hieroglifeve, i kish vizatuar dhe deshifruar të “shkruarat” e obeliskëve të portave hyrëse të Luksorit. I goditur nga bukuria e monumenteve, u kish kërkuar autoriteteve vendase të merrte ndonjë prej tyre.
Mehmet Ali Pasha, vizatim i piktorit Domenique Vivant Denon, shoqërues i Bonapartit në fushatën e Egjyptit
Me kërkesën e tij u muarr vetë Mehmet Aliu, i cili ja dhuroi të dy obeliskët monumental të Luksorit, që ndodheshin në hyrje të tempullit e që i kushtoheshin faraonit Ramsesi II. Me Restaurimin, Champollion, përmes një letre i kujton qeverisë se ish harruar dhurata e dy obeliskëve të Luksorit, që Mehmet Aliu i kish premtuar atij në shenjë mirënjohje për francezin, njeriun e parë që arriti pas 3000 vjetësh të deshifronte përmbajtjen e hieroglifeve. Ai përshkruan në letër bukurinë e tyre të madhe dhe këshillon bërjen e përpjekjeve për të siguruar marrjen me çdo sakrificë. Letra e risolli në vemendje çështjen, këshilla dhe kërkesa e tij u pranua menjëherë.
Me urdhër të Luigjit XVIII, Konsulli i Përgjithshëm në Aleksandri filloi bisedimet me Mehmet Aliun për marrjen e obeliskëve. Filloi puna për të marrë një prej tyre. Obelisku i Luksorit ishte mbi 22 metra i gjatë dhe peshonte rreth 250 ton. Ndërtimi i këtij monumenti daton në dinastinë e nëntëmbëdhjetë, shekulli i XIII pes. Më parë romakët e kishin transportuar një obelisk nga Aleksandria në Romë. Një tjetër obelisk egjyptian ishte transporuar nga bizanti dhe vendosur në Kostandinopojë.
Sjellja e tij në Paris është një aventurë më vete. Mënyra e transportit që u zgjodh ishte e ngjashme me atë që ishte përdorur nga romakët e lashtë: me një trap të gjatë sa obelisku dhe të gjerë mjaftueshëm për të përballuar udhëtimin në det. Për transportin në lum ekipi francez u ndihmua, deri në derdhje të Nilit, nga ushtria shqiptare. U ndërtua enkas dhe u dërgua për të transportuar monumentet një anije e quajtur “Luxor”. Obelisku, i lidhur me hallka të hekurta, mbërriti në Havre, prej ku u dërgua në Paris përmes Senës në 23 dhjetor 1833. Obelisku i Luksorit, si një monument parizian i veçantë, u vendos në Place de la Concorde, i montuar në një bazament 9 metrosh, duke e bërë atë monumentin më të vjetër në Paris.
Dhurata e një shqiptari për Francën u përurua me një ceremoni të madhe me pjesëmarrjen e familjes mbretërore dhe gjithë shoqërisë së lartë pariziene. Vite më pas Viktor Hygo, në “Les orientales” shkroi, “Nëse ka një kolos që mund të krahasohet me Bonapartin, ky njeri gjenial është Mehmet Ali Pasha; ai qëndron përballë luanit, si skifteri përballë shqiponjës”.