Reforma në Drejtësi nuk është shqiptare, më së shumti ajo i përket BE-së dhe SHBA-së. Këtë e ka faktuar shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera e cila ka bërë të ditur se Bashkimi Europian ka dhënë jo pak por 42 milionë euro për zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, kështu që sulmet e Metës, të Bashës dhe të Berishës në drejtim të kësaj reforme nuk pijnë ujë aspak.
Të gjithë janë të rreshtuar dhe s’duhet të bëjnë gjë tjetër veçse ta pranojnë, sepse këtu s’ka gisht Rama dhe akuzat ndaj tij, por BE dhe SHBA, të cilët kërkojnë llogari një më një për çdo euro të hedhur për këtë reformë dhe për rezultatet konkrete që presin prej saj.
“Ne kemi dhënë kohët e fundit 42 milion € nga fondet e BE-së në një program të ri drejtësie që do të ndihmojë në konsolidimin e reformës. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të raportojmë në detaje për situatën e Shqipërisë në raportet e Komisionit. Siç e shihni, angazhimi i BE-së në Shqipëri është i shumëanshëm dhe shumëdimensional sepse ne duam të shohim rezultate konkrete dhe të matshme për realizimin e shtetit të së drejtës.
Kjo është jetike për të mbrojtur qytetarët dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, aq shumë të nevojshëm për të siguruar që brezat e rinj të qëndrojnë në këtë vend të bukur ku kanë lindur pa pasur nevojë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit”, nënvizoi shefja e ONM, Genoveva Ruiz
Shefja e ONM-së ndër të tjera ka bërë të ditur se janë angazhuar 6 agjenci ndërkombëtare të cilat po punojnë fort për të ngritur sa më parë SPAK.
“Në këtë fazë, ne nuk konsiderojmë se vendosja e një misioni tjetër të ngjashëm me ONM-në është e nevojshme, por mbështetja e BE-së për reformën gjyqësore do të vazhdojë, me të gjitha instrumentet në dispozicionin tonë. Për shembull, misioni ynë EURALIUS ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në afrimin e sistemit shqiptar të drejtësisë me standardet evropiane, duke siguruar një mbështetje dhe ekspertizë të vlefshme teknike. Misioni ynë PAMECA është mbështetja e agjencive të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimeve të rënda dhe korrupsionit. Këto misione të asistencës së BE-së janë duke punuar ngushtë me agjencitë tona ligjore të BE-së: Eurojust, Frontex, Europol, Cepol për të zhvilluar kapacitetet e autoriteteve shqiptare në përputhje me praktikën më të mirë evropiane”, deklaroi ajo.
Kujtojmë se Calavera kohët e fundi ka qenë në qendër të sulmeve dhe akuzave të presidentit Meta për kapje të reformës në drejtësi dhe shtrembërim të saj.(realstory.al)