Policia kroate ushtroi sërish dhunë mbrëmë ndaj qindra refugjatëve që synuan për të disatën herë të thyejnë kufirin duke lënë 18 të plagosur rëndë, ndër ta gra dhe fëmijë.
Zëdhënësja e policisë kufitare boshnjake, Sanela Dujković, konfirmoi se ndër 18 emigrantët e plagosur në zonën afër kufirit me Kroacinë në Velika Kladuša, gjashtë janë në gjendje të rëndë.
“Ne kemi informacion se policët kufitarë kroatë po hyjnë në territorin tonë të armatosur, dhe po rrahin refugjatët, u vjedhin paratë, celularët dhe i kthejnë tek ne”.
Ministria e Brendshme kroate tha se policia kufitare i ndaloi emigrantët e paligjshëm që të kalonin kufirin pa përdorur forcë.
Incidenti vjen pasi organizatat si ‘Human Rights Ëatch’ dhe Këshilli i Evropës i kishin shkruar një letër Presidentes kroate për dhunën e policëve kroatë ndaj migrantëve në kufirin me Bosnjën, por ajo i kishte mohuar këto akuza. Vetëm këtë vit përmes rrugës se re ballkanike nga Greqia nëpërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, në Bosnje hynë rreth 20 mijë refugjatë, kryesisht nga Lindja e Mesme që synojnë të kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian.
Tahiri nga Pakistani, thotë se 14 herë e ka kaluar kufirin kroat dhe gjithnjë e kanë kthyer. Ndërkohë ai i ka shpenzuar të gjitha kursimet, sepse i duhe të paguajë gjithmonë kontrabandistët në rajon apo udhërrëfyesit. Policia kroate, që prezantohet si roje e zellshme e kufirit të jashtëm të BE, po patrullon me forca të përforcuara dhe me helikopterë përgjatë kufirit me Bosnje-Hercegovinën. Të gjithë refugjatët e kapur kthehen pa procedurë azili, një rast i qartë i shkeljes së rregulloreve të BE.
Policia boshnjake vlerëson se rreth 15.000 refugjatë kanë arritur të kalojnë kufirin kroat këtë vit, megjithë praninë e intensifikuar të policisë në anën tjetër të kufirit. BE është gati të ofrojë edhe 13 milionë Euro të tjera, nëse autoritetet e Sarajevës i mbajnë refugjatët në territorin e tyre por zyrtarët e Republikës Serbe të Bosnjes janë shprehur kundër.
/a.r