Janë skualifikuar pesë, nga tetë kompani, të cilat kanë paraqitur dy javë më parë ofertat për projektin e ri të lotit të parë të Unazës së Re të Tiranës. Autoriteti Rrrugor Shqiptar njoftoi se këta subjekte – ‘Alb Building’, ‘Salillari’, ‘2T, ‘Gjoka’, dhe ‘Gener 2’ – nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara. Kujtojmë se ‘Alb Building’ kishte paraqitur ofertën më të ulët nga pikëmamja financiare, me 14 milionë euro, nga 18.5 milionë euro, që është limiti i vendosur nga Autoriteti.
Kështu, në garë tashmë janë vetëm tri kompani: ‘Vëllezërit Hysa’, ‘Curri’ dhe ‘Vega’. Ndër to, është shoqëria e parë që ka dhënë edhe ofertën më të ulët ekonomike, 14.6 milionë euro. ‘Vëllezërit Hysa” është shoqëri me objekt kryesor ndërtimin, me bazë në Cërrik, e krijuar në vitin 2001. Pronarë të shoqërisë janë Flutura, Besnik dhe Kujtim Hysa. Xhiroja vjetore e kësaj shoqërie, e deklaruar për vitin 2017, ka qenë 819 milionë lekë.
Loti i cili është tenderuar ka të bëjë me pjesën e Unazës që përfshin rrethrrotullimin aktual “Shqiponja”, me një projekt tërësisht të ri, nga ai që u prezantua në fillim. Tani Unaza në atë zonë do të përfshijë një nënkalim dhe një mbikalim. Projekti i ri e uli së tepërmi koston e segmentit, nga 20 milionë euro, në afro 14 milionë, që po ofrohen aktualisht nga subjektet në garë.
Për lotin e sipërpërmendur është zhvilluar edhe më parë tender, por rezultoi se ai ishte fituar nga një kompani fantazmë, e cila kishte mashtruar me dokumentat amerikane. ‘DH Albania’ kishte fituar me ofertën 20 milionë euro, sa ç’ishte edhe fondi limit i parashikuar për atë lot të Unazës së Re. Tenderi u anulua dhe çështja përfundoi në Prokurori, me administratorin e saj të shpallur në kërkim.