Një operacion antikanabis i koduar “Bestrova”, ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.
Efektivët e policisë së Vlorës pas informacioneve të marra në rrugë operative kanë konstatuar një hapësirë toke të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa në fshatin Bestrovë.
Në vijim të veprimeve, policia ka arrestuar në flagrancë A. B., 29 vjeç dhe A. Z., 24 vjeç, si dhe kanë shpallur në kërkim një 30 vjeçar tjetër, pasi dyshohet se janë të implikuar.
Tre të dyshuarit akuzohen në bashkëpunim me njëri-tjetrin për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Lidhur me këtë ngjarje, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Bestrovë, M.H., 67 vjeç, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /l.m