Mes 20 viktimave në El Paso, Texas, ku një 21-vjeçar hapi zjarr kundër klientëve në një supermarket, ishte dhe një grua e re, 25 vjeçe me djalin dy muajsh në krahë.
Kështu ka treguar motra e viktimës 19-vjeçarja Leta Jamrowski pasi mësoi se Jordan Jamrowski Anchondo, ishte vrarë në qendrën tregtare Walmart ndërsa po blinte mjete shkollore për fëmijët më të mëdhenj.
“Nga plagët mbi fëmijën-ka shpjeguar 19-vjeçarja për Associated Press- duket që motra ime është kthyer në mburojë. Kështu që kur është qëlluar me fëmijën në krahë mund t’i ketë rënë sipër, pra ka dhënë jetën për ta mbrojtur”. 25-vjeçarja, ishte nënë e tre fëmijëve.
Jamrowski e kishte kaluar natën duke pritur dëshpërimisht lajme nga burri i motrës, Andre Anchondo, i cili ka mbetur i plagosur gjatë sulmit, duke humbur shpresat me kalimin e orëve. “Nëse do ishin ende gjallë do më kontaktonin”, pohonte e pikëlluar Jamrowski.
Ryan Mielke, një zëdhënës i qendrës mjekësore të El Pasos ka deklaruar se 13 të plagosur janë shtruar në spital, mes tyre 2 fëmijë, të cilët janë transferuar më pas në spital fëmijësh./l.m