Dy persona janë arrestuar pasi i vendosën gjobë 12 mijë euro një personi, të cilit kishin arritur që ti merrnin 7.500 euro. Të arrestuarit janë E.G. 30 vjeç, banues në Tiranë me precedent penal në fushën e gjobëvënies, nga ku mori edhe emrin operacioni “Përsëritësit“, por edhe I.B. 18 vjeç. Ndërkohë që është shpallur në kërkim një 35 vjeçar, po nga Tirana. Dy pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal u arrestuan pas hetimeve nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Sipas policisë, nga hetimet e deritanishme, pjesëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, janë autorë të disa rasteve të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie në qytetin e Tiranës. Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe disa ngjarjeve të tjera që dyshohen se janë kryer nga këta persona.
Materialet do t’i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie, e kryer në bashkëpunim”./l.m