Institucioni i Komisionerëve Publikë, ka ankimuar vendimin e KPK, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i cili para disa javësh konfirmoi në detyrë prokuroren e Prokurorisë të Krimeve të Rënda Manjola Kajana.
Kajana rezultoi sipas KPK pa probleme në të tre kriteret e vetingut.
“Ankim kundër vendimit nr. 162, datë 19.6.2019, të KPK-së, për subjektin e rivlerësimit znj. Manjola Kajana. Ankim datë 2.8.2019”, thuhet në njoftimin e Komisionerëve Publikë.
ANKIMIMI
Sa i perket “Mbi kursimet nga pagat, deklaruar si burim i krijimit të pasurisë apartament 110 m, 2 me adresë: ***, Tiranë”, Komisioneri Publik, “vlerëson se: nuk është hetuar nga Komisioni mbi mundësinë financiare të subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të, për të mbuluar me burime të ligjshme, shpenzimet dhe kursimet në sistemin bankar”.
Sa i perket “Mbi të ardhurat e bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit për vitet 2013 – 2014”, Komisioneri Publik, “vlerëson se këto të ardhura, nuk duhet të llogariteshin nga ana e Komisionit si burime të ligjshme të të ardhurave të subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortit të saj”.
Sa i perket “Lidhur me deklarimet kontradiktore të subjektit mbi vendbanimin dhe vendqëndrimin”, Komisioneri Publik, ” vlerëson se: subjekti i rivlerësimit nuk ka plotësuar saktë Deklaratën për Kontrollin e Figurës, sipas shtojcës 3, të ligjit nr. 84/2016, pjesa 2, të dhëna për vendin e banimit, në rubrikën: “historiku i adresave të banimit nga 1.1.2012”. Gjithashtu mbeten të paqarta lëvizjet e gjendjeve civile dhe deklarimit të banesave të subjektit të rivlerësimit, të kryera nga kjo e fundit, si për shkak të përfitimit nga privatizimi i EKB-së, për banesën në Durrës të vjehrrit të subjektit, ashtu dhe për përfitimin e kredisë si familje e pastrehë në qytetin e Fierit”.
KONFIRMIMI NE DETYRE
Trupa gjykuese që shqyrtoi çështjen e Kajanas përbëhej nga Olsi Komici kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Në cilësinë e vëshguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Kijlstra.
Kajana rezultoi pa probleme në kriterin e pasurisë, në atë të figurës dhe e aftë profesionalisht. Gjatë seancës dëgjimore ajo u pyet në lidhje me pushimin e hetimit të një çështje për korrupsion, por KPK ka vlerësuar se argumentet e Kajanës qëndronin.
Prokurorja Manjola Kajana e ka nisur karrierën e saj profesionale në vitin 2008 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më pas në vitin 2009 është transferuar në prokurorinë e Fierit dhe në qershor të 2014-ës në atë të Krimeve të Rënda ku edhe vazhdon aktualisht. Ajo kandidon për një vend në Strukturën e Posaçme Anti Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
g.kosovari