Shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i 1 Qershorit në Qarkun e Korçës do të jenë gati në vjeshtë.
Deklarata u bë nga zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi i cili pa nga afër rindërtimin e shtëpive të para në fshatin Floq të Korçës.
“Tre ekipe nga Instituti i Ndërtimit po punojnë në terren për projektin për ndërtimin e 40 banesave dhe rikonstruksionin e 80 të tjerave në qarkun e Korçës. Procesi thuajse ka përfunduar në bashkitë e Korçës dhe Kolonjës dhe së shpejti edhe në Bilisht”, -tha Koçi.
Më tej, zv/ministri i Mbrojtjes u shpreh se do të respektohet afati i premtuar nga qeveria për rindërtimin e shtëpive.
‘Janë bërë një sërë procesesh vlerësimi dhe rivlerësimi në mënyrë që çdo gjë të përfundojë me objektivitet dhe në fund të respektojmë afatin e premtuar nga qeveria. Do të jenë 40 banesa të ndërtuara nga e para,’- tha ndër të tjera Koci, i cili shtoi se ligji i ri merr përsipër identifikimin monitorimin dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore.
/a.r