Të jesh i fortë në Shqipëri është stil jetese. Tradicionalisht vendi ynë ka pasur grupet e të fortëve, të cilët janë të njohur për vrasjet, kanosjet, gjobë vëniet apo edhe rrëmbimet. Shpesh është thënë që mbretërimit të tyre do u vijë fundi, por akoma këta të fortë enden rrugëve.
Por si mund të bëhet goditja e tyre? Ky është një rast ku policia vuri në pranga tre të fortë, për gjobë vënie në vlerën e 50 mijë eurove, ndaj një biznesmeni.
Së fundmi, ishte kryeministri Rama ai që premtoi goditjen njëherë e përgjithmonë të të fortëve. Sipas tij, një strukturë e posaçme do të hidhet në aksion.
“Kemi gati një njësi super speciale, që do të merret me të gjithë të fortët e rrugëve, ose të lagjeve ose të qyteteve. Ajo që e kam anoncuar disa kohë më parë dhe që do të jetë pjesë e presionit të policisë kundër këtyre tipave, që nëse do të vendosin të qëndrojnë në Shqipëri duhet të përgatiten për t’u fshehur në vrima që duhet të jenë shumë shumë të ngushta, përndryshe nuk do të kenë mundësi të marrin frymë”, thotë Kryeministri i vendit, Edi Rama.
Në 2012 u krijua rrjeti i ENFAST-it, qëllimi i të cilit është rritja e sigurisë brenda Bashkimit Europian duke përmirësuar ndjekjen dhe arrestimin e kriminalëve të kërkuar ndërkombëtarisht për krime.
Mësohet se në vendin tonë, kjo strukturë e re do të quhet FAST dhe do të ketë në përbërje 50 trupa të specializuar mes tyre ish anëtarë te forcave speciale te ushtrisë, te stërvitur dhe pjesëmarrës ne misione luftarake si ne Irak apo Afganistan.
FAST-i shqiptar do të jetë i ngjashëm me ato të 24 vende të tjera të Europës dhe do të funksionojë 24 orë me qëllim kapjen e personave të cilët janë të përfshirë apo në kërkim për ngjarje të rënda kriminale.(tch)/l.m