Pjerin Ndreu pritet të betohet në datën 14 gusht si kryebashkiaku i ri i Lezhës, teksa Gjykata konfirmoi mandatin e tij.
Ish-deputeti ka shpalosur edhe disa nga planet e tij për ristrukturimin e Bashkisë. Në një intervistë në “News24”, Ndreu tha se do të ngre një strukturë të re në Bashki me profesionistët më të mirë në çdo fushë.
Ai tha se vendet e reja të punës që do të hapen nga kjo strukturë do të plotësohen vetëm me njerëz që plotësojnë kushtet.
“Do t’i mbushim mendjen edhe skeptikëve se çfarë kanë humbur që s’na kanë votuar ne. Do të ketë një strukturë të re bashkia me profesionistët më të mirë. Çdokush që do trokasë në derën e bashkisë dhe do të kërkojë një zgjidhje të ligjshme, patjetër që do ta ketë. Ai punonjës që e sorollat dhe fut lekët në xhep, nuk do të jetë më aty. Ka një problem aty në mënyrën e menaxhimit të Bashkisë. Ne me strukturën e re do të shpallim vendet e punës dhe askush s’do të hyjë pa plotësuar kushtet. Këto qoka për vende punë për njerëz që s’kanë lidhje me vendin e punës do jenë zero”, tha Ndreu.