Nga Alfred Peza
Kur po mbushet plot një muaj nga përfundimi i zgjedhjeve të përgjithshme lokale dhe mbetet ende edhe një muaj tjetër, deri në shtator kur të rifillojë sezoni i ri Parlamentar, gjithkush ka mundësinë që të reflektojë e të nxjerrë mësimet e tij nga 30 Qershori. Këtu do mundohem të rreshtoj në mënyrë telegrafike 10 nga leksionet që na dha kjo datë e rëndësishme.
E para, 30 Qershori u mësoi të gjitha forcave politike, që të mos i djegin kurrë më, për asnjë sebep politik, mandatet e deputetëve të popullit. Sepse, asgjë nuk do të përfitojë kurrë askush, nga një hap i tillë “in extremis”.
E dyta, 30 Qershori u mësoi se si kudo tjetër në botën demokratike, edhe në Shqipëri askush nuk mund të fitojë asnjë gramë pushtet më shumë, duke bojkotuar procesin zgjedhor. Përkundrazi, siç edhe po kuptohet çdo ditë e më shumë, i humbet të gjitha.
E treta, 30 Qershori u mësoi të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë shqiptarë, se politika e rrugës të lë në rrugë. Askush nuk mund tia dalë që ta drejtojë sistemin politik dhe demokratik të vendit duke dalë prej tij. Rruga institucionale është e vetmja mundësi për arritjen e qëllimeve politike.
E katërta, 30 Qershori u mësoi të gjitha palëve politike dhe shoqërore të vendit se asnjëra nga 99 hiletë dhe rrengjet politike e elektorale, nuk të çojnë dot drejt triumfit ndaj kundërshtarit tënd në pushtet. E vetmja rrugë legjitime është ajo nëpërmjet votës së qytetarëve shqiptarë.
E pesta, 30 Qershori u mësoi politikanëve tanë se nuk mund ta fitosh dot kurrë pushtetin në tavolinë. As propoganda, as mediat, as protestat partiake, as dhuna nuk të sjellin dot në pushtet. Vetëm një ekip i besueshëm, një program realist politik dhe fryma e ndryshimit çon drejt rrotacionit me votë të pushtetit.
E gjashta, 30 Qershori u mësoi se sado para që të hedhësh për të krijuar mirazhin e një sitate “reale” të ndërtuar me mite të rreme, shqiptarët do të dijnë gjithmonë ta dallojnë dhe ta ndajnë hallin personal të elitës politike, nga halli i tyre. Kësisoj as nuk të ndjekin dhe as nuk të besojnë. Mos u lodh kot!
E shtata, 30 Qershori u mësoi se nuk mund të fitosh një pushtet, kur ke qëllimin e vetëm për të zhbërë reformimin e një pushteti tjetër. Nuk mund të fitosh pushtetin ekzekutiv dhe as të shkatërrosh pushtetin legjislativ, vetëm e vetëm që të mos lejosh ndërtimin e pushtetit të drejtësisë së re.
E teta, 30 Qershori u mësoi të gjithëve se nëse lojën normale politike në demokraci e shndërron në një përplasje mes “dy vezësh”, dije se e jotja do të thyhet gjithmonë. E vetmja këshillë në këtë rast për humbësin, është që të nxitojë ta gatuajë atë sa më shpejt. Ndryshe, rrezikon që ti prishet e ta hedhi tej!
E nënta, 30 Qershori u mësoi të gjithëve, se ajo ishte tabela që na tregoi stacionin e fundit të tranzicionit tonë postkomunist. Pas kësaj, Shqipëria nuk do të jetë më si më parë. Hapi i parë pas kësaj, do të jetë rikthimi i elitës së vjetër politike në shtëpi. Se kush do ta shijojë pensionin e detyrueshëm i lirë e kush jo, këtë do ta tregojë shumë shpejt SPAK dhe BKH.
E dhjeta, 30 Qershori u mësoi të gjithëve se nëse zgjedhjet nuk do të bëheshin, Shqipëria do rikthehej edhe njëherë 30 vjet pas në të shkuarën. Për rrjedhojë opozita e rrugës do të niste rrugën e rikthimit në pushtet, ndërsa PS atë të ikjes prej saj.
Tani që zgjedhjet u zhvilluan, kauza e PS triumfoi dhe ka nisur në këtë mënyrë rrugëtimin e pandalshëm, drejt fitores së mandatit të tretë qeverisës. Nëse e humb atë në zgjedhjet e 2021, nuk do të jetë për meritë të të tjerëve, por vetëm thjeshtë për shkak të dështimit tonë.