Nga Stephen Kotkin – Princeton University
Gjatë katër dekadave të parë të jetës së tij, Josif Stalini arriti pak gjëra. Ai u lind në vitin 1878 në një familje të varfër në Gori, Gjeorgji, asokohe pjesë e Perandorisë Ruse. Babai i tij ishte një këpucar, e ëma një pastruese që punonte edhe si rrobaqepëse. Fëmijëria e Stalinit, sëmundjet, por edhe fatkeqësitë ishin përgjithësisht normale në atë kohë. Ai kishte rezultate të mira në shkollë dhe në adoleshencë poemat e tij publikoheshin në periodikët e njohur gjeorgjianë(edhe sot e kësaj dite, lirikat e tij të bukura, tingëlluese, jehojnë në veshët e mi, do të kujtonte një lexues kohë më vonë).
Por ai nuk hyri në provimet e vitit të fundit në seminarin e Tbilisit dhe nuk u diplomua. Në vend se të bëhej një prift, ai u bë një revolucionar klandestin që luftonte shtypjen cariste, duke kaluar 20 vjet i fshehur, duke organizuar dhe ndarë kohën mes burgut dhe internimit në Siberi.
Jeta e Stalinit ndryshoi njëherë e përgjithnjë me shpërthimin e luftës totale në vitin 1914 e cila ndihmoi në precipitimin e Rusisë dhe abdikimin e Carit në shkurt të vitit 1917 dhe në fund të atij viti, në një puç të drejtuar nga radikalët e majtë të Vladimir Leninit. Befas 39 vjeçari Stalin e gjeti veten si një ndër anëtarët udhëheqës të regjimit Bolshevik.
Ai luajti një rol qendror në Luftën Civile Ruse dhe në krijimin e Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1922 Lenini e caktoi atë në krye të Partisë Komuniste. Një muaj më vonë, Lenini u paaftësua nga një iktus dhe Stalini kapi momentin e tij për të krijuar diktaturën e vet personale brenda diktaturës më të madhe bolshevike. Në fillim të viteve ’20, ai detyroi, në kuadër të procesit të ndërtimit të një shteti socialist, 120 milionë fshatarë rusë drejt kolektivizimit, në ferma apo në gulage, duke arrestuar dhe vrarë një numër të jashtëzakonshëm besnikësh në trupën e oficerëve, policisë sekrete, rrjetit të spiunazhit, qarqet shkencore dhe artistike apo edhe organizatat partiake.
Hija e madhe e Stalinit despot shpesh fsheh Stalinin qenie njerëzore. Ai koleksiononte ora. Luante me birila dhe bilardo. Dashuronte kopshtarinë dhe banjot ruse me avull. Stalinit i pëlqenin lapsat me ngjyra – blu, e kuqe, jeshile. Pinte ujë mineral dhe verëra nga Gjeorgjia e tij. Tymoste me një llullë – zakonisht dy cigare duhan – dhe pastaj i ndizte me shkrepse. Ai e mbante tavolinën e tij në rregull.
Stalini kishte pasion librat, në të cilat bënte vijëzime dhe kllapa për të fiksuar pasazhe të veçanta. Biblioteka e tij personale arriti deri në 20 mijë vëllime. Mbante shënime në veprat e Marksit dhe Leninit sigurisht, por gjithashtu edhe në përkthimet rusisht të Platonit dhe Klauzeviçit si dhe në shkrimet e Alekandër Sveçin, një ish-oficer carist të cilit Stalini nuk i besoi kurrë, por që demonstroi se e vetmja konstante në luftë ishte mungesa e konstanteve.
Mes autorëve rusë, i preferuari i Stalinit ndoshta ishte Anton Çehovi që protretizonte me kompleksitet jo vetëm heronj, por edhe kriminelët dhe batakçinjtë. Megjithatë, duke gjykuar nga referencat e shpërndara mes shkrimeve dhe fjalimeve të tij, ai e kaloi pjesën më të madhe të kohës duke lexuar letërsi të kohës sovjetike. Shënimet e tij në çfarëdo lloj gjëje që lexonte ishin shpesh tallëse: “Gomarllëqe”, “budalla”, “hajvan”, “ik ore pirdhu”, “ha – ha!”
Manierat e Stalinit ishin vulgare dhe sensi i tij i humorit pervers. Por ai kultivoi një dukje prej shtetari; shakatë e tij dhe gjuha vulgare editoheshin nga transkriptet e mbledhjeve zyrtare. Duket se ka patur disa dashnore dhe përfundimisht asnjë harem. Jeta e tij familjare nuk ishte as veçanërisht e lumtur apo e palumtur. Jeta personale përfshihej në politikë.
Stalini fliste butë, ndonjëherë nën zë për shkak të një problemi në kordat vokale. Atij i pëlqente kur e thërrisnin Koba, sipas heroit popullor gjerogjian(dhe një mirëbërësi të vërtetë në jetën e tij që kishte garantuar arsimimin e tij). Por një shok i ngushtë fëmijërie e thërriste Geza, një term dialektor i Gorit që tregon një të ecur të pazakontë që iu zhvillua Stalinit pas një aksidenti. Atij i duhej të lëkundej mbi legenin e tij në mënyrë që të ecte. Sëmundja e lisë gjatë fëmijërisë kishte lënë shenja të përhershme në hundën e tij, buzën e poshtme, mjekër dhe faqe.
Është tunduese që të kërkosh te deformime të tilla burimet e një tiranie gjakësore: vuajtje, urrejtje për veten, tërbim i brendshëm, shpërthime, mani për t’u adhuruar. Shenjat e tij u retushuan nga fotografitë publike dhe hapi i tij i çuditshëm iu mbajt i fshehur syve të publikut(Filmime të tij duke ecur ishin të ndaluara). Por njerëzit që e takuan atë e vunë re disfigurimin facial dhe ecjen e çuditshme; ata po ashtu zbuluan se ai kishte një dorështrëngim të squllët dhe nuk ishte aq i gjatë sa dukej në fotografi. Ishte pesë këmbë dhe shtatë inç i gjatë, pothuajse sa Napoleoni dhe një inç më i shkurtër se Adolf Hitleri. Dhe sërish, pavarësisht shokut të fillimit nga kontakti i parë – a mundet vallë që ky të jetë Stalini? – shumica e njerëzve nuk mundet të hiqnin sytë prej tij, sidomos prej syve të tij shprehës.
Ëndrra e pallatit
Stalini e shihte vendin dhe veten e tij të kërcënuar nga të gjitha drejtimet. Pas marrjes së pushtetit në vitin 1917, Lenini dhe pasuesit e tij ishin obsesionuar me “rrethimin kapitalist”, që sipas tyre kishte sjellë grushti i tyre i shtetit: tani, kjo paranojë strukturore ushqeu dhe u ushqye nga paranoja personale e Stalinit. Të tilla ishin paradokset e pushtetit: sa më shumë vendi i afrohej përmbushjes së objektivit të socializmit, argumentonte Stalini, aq më e fortë bëhej lufta e klasave; sa më shumë pushtet zotëronte Stalini, aq më shumë edhe kishte nevojë. Triumfi i errësuar nga tradhëtia u bë dinamika e revolucionit dhe jetës së tij. Në fillim të vitit 1929, ndërsa madhështia e shtetit sovjetik dhe diktaturës personale të Stalinit rritej dhe rritej, kështu ndodhte edhe me rrisqet. Udhëheqja e tij në ndërtimin e socializmit do të provohej e suksesshme po aq edhe shkatërrimtare dhe do të përforconte thellësisht dispozitën e tij hakmarrëse, hiperdyshuese.
Komunizmi ishte një ide, një vend ëndrrash, tërheqja ndaj të cilit rridhte prej përzierjejes në dukje mes shkencës dhe utopisë dhe Stalini ishte një ideolog. Në konceptin marksist, kapitalizmi ka krijuar pasuri të madhe duke zëvendësuar feudalizmin, por më pas promovoi vetëm interesat e klasës shfrytëzuese në kurriz të pjesës tjetër të njerëzimit. Sapo të tejkalohet kapitalizmi, thotë ky koncept, forcat prodhuese do të çlirohen si kurrë më parë. Shfrytëzimi, kolonializmi dhe lufta imperialiste do t’i hapin rrugën solidaritetit, emancipimit dhe paqes.
E sigurtë është se në praktikë socializmi ka qenë i vështirë për t’u imagjinuar. Por çfarëdo lloj gjëje që ishte, nuk mund të ishte kapitalizëm. Logjikisht, socializmi do të ndërtohej duke eliminuar pronën private, tregun dhe parlamentet “borgjeze”, duke krijuar në vend të tyre pronën e përbashkët, planifikimin socialist dhe pushtetin e popullit. Sigurisht, siç kanë pranuar Stalini dhe shumë marksistë të tjerë, kapitalistët nuk do të lejonin kurrë që të asgjësoheshin. E kundërta madje, ata do të luftonin deri në vdekje kundër socializmit duke përdorur çdo mënyrë – gënjeshtrat, spiunazhin, vrasjen – sepse kjo ishte një luftë në të cilën vetëm një klasë do të dilte fitimtare. Socializmi për pasojë, do të duhej të përdorte dhunën masive dhe mashtrimin. Krimet më të tmerrshme u bënë akte të një imperativi moral në emër të krijimit të parajsës mbi tokë.
Shkenca e supozuar e marksizëm –leninizmit shpjegonte në dukje se pse bota kishte kaq shumë probleme(klasore) dhe se si ajo mund të bëhej më e mirë(lufta e klasave) me një rol për të gjithë. Jetët, përndryshe të parëndësishme të njerëzve, u lidhën me një botë krejt të re. Të mblidhje grurë, apo të punoje një torno ishte si të jepje një goditje çekani ndaj botës imperialiste. Nuk ka problem se ata që morën pjesë e bënë këtë për synime personale: idealizmi dhe oportunizmi gjithnjë fuqizohen.
Qejfmbetje të akumuluara po ashtu, ushqyen aspiratën për t’u bërë i rëndësishëm. Njerëz nën moshën 29 vjeç, që përbënin afërsisht gjysmën e popullsisë sovjetike, duke i dhënë vendit një ndër profilet më të reja në botë dhe rinia, u tregua veçanërisht e joshur nga një vizion që e rendiste atë në qendër të një beteje për ndërtimin e së nesërmes.
Stalini personifikonte vizionin e lartë të komunizmit. Rreth tij do të ndërtohej një kult, që e quante atë vozhd, një fjalë antike sllave që erdhi e mori kuptimin e diçkaje si “lideri suprem” – ekuivalentja ruse për Duçe apo “fyhrer”. Stalini i rezistoi kultit duke e quajtur veten mut përkundrejt Leninit. Sipas bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Anastas Mikojan, njëherë Stalini e qortoi një zyrtar tjetër sovjetik, duke i thënë:
Pse më vlerëson vetëm mua, sikur vetëm një njeri i merr vendimet?
Është e vështirë të thuhet nëse vërejtjet e tij reflektonin një modesti të rreme apo një siklet të vërtetë, por ai kënaqej me ovacionet e gjata që merrte në publik.
“Në fillim”, kujton Vjaçesllav Molotovi, që shërbeu si ushtar kryesor i Stalinit për dekada, “ai i rezistoi kultit të personalitetit, por më pas nisi ta pëlqente pak”.
Stalini ishte një sundues i kontradiktave në pamje të parë të papajtueshme. Mund të digjej nga zemërimi shpërthyes; po ai mundej të shkëlqente me një buzëqeshje të madhe e të butë. Mund të ishte i paduruar dhe joshës; kapej në dyshime të perceptuara dhe kërkonte detyrimisht hakmarrje. Krenohej me urinë e vet për lexime dhe aftësinë për të cituar mençurinë e Marksit dhe Leninit; nuk i pëlqente intelektualët e sërës së lartë për të cilët mendonte se ishin mburravecë. Ai kishte një kujtesë fenomenale dhe një mendje planifikuese; horizontet e tij intelektuale përkufizoheshin thellësisht nga teoritë primitive të luftës së klasave dhe imperializmit. Ai zhvilloi një ndjenjë për aspiratat e masave dhe elitat fillestare; nuk vizitoi thuajse asnjëherë fabrika, ferma, apo agjenci shtetërore, duke preferuar të lexonte për vendin që drejtonte në raportet e policisë sekrete dhe gazeta. Ai ishte një cinik për motivet bazë të supozuara të gjithësecilit; ai jetonte dhe merrte frymë idealet e veta.
Stalini bëri atë që liderët fitimtarë bëjnë: artikuloi dhe udhëhoqi drejt një qëllimi konsistent, në këtë rast një shtet i fuqishëm i mbështetur nga një shoqëri e unifikuar që kishte fshirë kapitalizmin dhe ndërtoi socializmin industrial. Nuk janë “vrasësit” dhe “mashtruesit” ata që flasin për të. Në të njëjtën kohë, Stalini galvanizoi me miliona njerëz. Autoriteti i tij kolosal ishte rrënjosur në një parti të dedikuar, një aparat qeverisës të shkëlqyer dhe ideologjinë marksiste-leniniste. Por pushteti i tij u zmadhua disa herë më shumë nga njerëzit e zakonshëm, që projektuan mbi të ambiciet e tyre për drejtësi sociale, paqe, bollëk dhe madhështi kombëtare. Diktatorët që akumulojnë pushtet të madh shpesh lëshohen në ndjekje të bashkëpunëtorëve, duke ekspozuar në mënyrë të pambarimtë obsesionet e tyre dhe duke paralizuar shtetin. Por obsesioni i Stalinit ishte një shtet socialist i fuqishëm dhe ai punoi ditë e natë për të ndërtuar një të tillë. Stalini ishte një mit, por ai e justifikoi përmasën e këtij miti.
Një djalosh i jashtëzakonshëm
Hitleri ishte 11 vjet më i ri se Stalini, i lindur në vitin 1889 në një rajon kufitar të Austro-Hungarisë. Në moshën 13 vjeçare ai humbi babain, kurse të ëmën në moshën 18 vjeçare(mjeku hebre që u kujdes për mamanë e tij do të kujtonte se në 40 vjet të ushtrimit të profesionit të mjekut, nuk kishte parë ndonjëherë dikë aq të dërrmuar nga pikëllimi nga vdekja e nënës sa Hitleri). Në moshën 40 vjeçare Hitleri e gjente veten në radhë për bukë në Vjenë, pasi kishte shpenzuar paratë e trashëguara dhe kursimet. Ai u përjashtua dy herë nga Akademia e Artve të Bukura në Vjenë(modele vizatimesh të parealizuara) dhe qëndronte në një godinë për të pastrehët pas një stacioni treni. Një tjetër i pastrehë që qëndronte në krevatin ngjitur, kujton se rrobat e Hitlerit pastroheshin nga morrat par shkak se ai bridhte për ditë të tëra jashtë në kushte të tmerrshme. Më vonë, me një kredi të vogël nga një hallë e vet, Hitleri ia doli të strehohej në një qendër banesash për meshkuj. Ia doli të gjente punë të çuditshme, si vizatues kartolinash dhe ideues reklamash. Ai frekuentonte bibiliotekat e qytetit ku lexonte trakte politike, gazeta, filozofin Artur Shopenhauer dhe letërsinë e Karl Mej me temë nga kohët e indianëve dhe kaubojsve të Perëndimit Amerikan apo të Lindjes së Afërme ekzotike.
Hitleri shmangu mobilizimin ushtarak austriak. Kur më në fund autoritetet e kapën, ata e gjykuan djaloshin e trishtuar dhe të kequshqyer, si të papërshtatshëm për shërbimin ushtarak. Ai kaloi kufirin drejt Munihut dhe në gusht të vitit 1914 iu bashkua ushtrisë gjermane. Kur përfundoi Lufta I Botërore ai ishte ende ushtar, por periudha e pasluftës e transformoi jetën e tij. Hitleri do të ishte mes të shumtëve që kaluan nga e majta politike drejt së djathtës, në pragun kaotik të humbjes së Gjermanisë Perandorake.
Pamjet nga viti 1918 tregojnë Hitlerin në funeralin e një lideri provincial bavarez, një socialdemokrat hebre; ai mban dy shirita, njëri i zi(për vajtim) dhe një tjetër i kuq. Në prill të vitit 1919, pasi socialdemokratët dhe anarkistët formuan Republikën Sovjetike Bavareze, komunistët kapën shpejt pushtetin; Hitleri që mendonte të bashkohej me socialdemokratët, u caktua si delegat nga këshilli(sovjeti) i batalionit të tij. Nuk kishte asnjë profesion për të cilin të fliste, por duket se ka qenë pjesë e indoktrinimit të majtë të trupave. Dhjetë ditë përpara se Hitleri të mbushte 30 vjeç, Republika Sovjetike Bavareze u shtyp nga të ashtuquajturat Freikorps, përbërë në masë të madhe nga veteranë lufte. Hitleri mbeti në ushtri, pasi një epror i tij, shefi i departamentit “informativ” të saj, pati idenë që ta dërgonte atë në kurs mësimor antimajtist dhe për ta përdorur më vonë si të infiltruar në grupet e majta. Oficeri në fjalë kujton se Hitleri “dukej si një qen rrugësh në kërkim të një pronari” dhe “i gatshëm të bashkohej me këdo që do t’i tregonte atij mirësi”. Caktimi i Hitlerit si informator solli përfshirjen e tij në një grup të vogël të djathtë, Partia e Punëtorëve të Gjermanisë, e cila ishte krijuar për t’i larguar punëtorët nga komunizmi dhe të cilën, Hitleri, me ndihmën e emigrantëve antisemitë, eskstremistë nga ish-Rusia perandorake, do ta rithemelonte si Partia NacionalSocialiste e Punëtorëve Gjermanë, apo Partia Naziste.
Ndonëse kishte fituar në reputacionin e një agjitatori impresionues të së djathtës ekstreme, Hitleri mbeti një figurë periferike. Në kohën kur Stalini ishte sekretari i ri i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të vendit më të madh në botë, Hitleri ishte në burg për një përpjekje të dështuar për marrjen e pushtetit në Munih në vitin 1923, e cila do të quhej me tallje si “grushti i shtetit i birrarisë”. Ai u gjykua dhe dënua me pesë vjet burg. Megjithatë ja doli që ta kthente gjykimin e tij në një triumf. Një nga gjykatësit vuri në dukje, “çfarë djali i jashtëzakonshëm ky Hitleri!” Në të vërtetë, ndonëse Hitleri ishte një qytetar austriak, kryetari i trupit gjykues e lejoi atë të qëndronte në Gjermani, duke arsyetuar se ligji për deportimin “nuk mund të zbatohet për një njeri që mendon dhe ndihet si gjerman, si Hitleri, i cili shërbeu vullnetarisht për katër vjet e gjysmë në ushtrinë gjermane në luftë, që u nderua me medalje të larta ushtarake për trimërinë e jashtëzakonshme përballë armikut dhe që u plagos”.
Gjatë dy javëve të para në burg, Hitleri refuzoi të hante, duke menduar se ai meritonte të vdiste, por letra që mbërrinin në burg e përgëzonin atë si një hero kombëtar. Nusja e djalit të Riçard Vagnerit, Vinifred, dërgoi letra dhe lapsa, duke e inkurajuar atë të shkruante një libër. Hitleri kishte një shok në qeli, Rudolf Hes, që shkruante ato që i diktonte Hitleri, duke hartuar kështu një autobiografi të 16 nazistëve të vrarë në puçin e dështuar. Në “Mein Kampf”, Hitleri e portretizon veten si një njeri i zgjedhur nga fati dhe premtonte të ringjallte Gjermaninë si fuqi të madhe, të hiqte qafe hebrejtë, duke pagëzuar veten si “shkatërruesi i Marksizmit”. Në dhjetor të vitit 1924, pasi shërbeu vetëm 13 muaj, ai u lirua nga burgu. Por shitjet e librit të tij ishin zhgënjyese, nuk arriti të gjente botues për një libër të dytë të vetin dhe ndërkohë partia Naziste ishte e angazhuar në luftën elektorale. Lordi D’Abernon, ambasadori britanik në Berlin në këtë kohë, e përmblidhte jetën politike të Hitlerit pas lirimit të tij të parakohshëm nga burgu si një “venitje në harrresë”.
Historia është plot të papritura. Që ky anëtar austriak i një lëvizjeje periferike ekstremiste do të bëhej Diktatori i Gjermanisë dhe armiku kryesor i Stalinit, kjo as që mund të imagjinohej në vitin 1924. Por Hitleri rezultoi të ishte një improvizues mjeshtëror: shpesh i pasigurtë, por një njeri me ide radikale që e ndjente se ku po shkonte në fund të fundit dhe që nuk i linte t’i shpëtonin rastet që i shfaqeshin rrugës. Stalini po ashtu, ishte një strateg në atë kuptim: një njeri i ideve radikale, i aftë të perceptonte dhe kapte mundësitë që jo përherë i krijonte vetë, por që i kthente në favorin e vet.
Mundësitë e shumta të perceptuara nga Stalini dhe Hitleri ishin shpesh “kërcënime” të supozuara që ata ose i ekzagjeronin, ose i shpiknin. Historia udhëhiqet nga ndërveprimi i gjeopolitikës, institucioneve dhe ideve –por ajo kërkon agjentë historikë për t’u vënë në lëvizje.
Përvoja e Stalinit me Gjermaninë konsistonte në pak muaj qëndrimi në Berlin në vitin 1907, ku ai ndaloi në kthimin e tij në Rusi nga një takim i bolshevikëve në Londër. Ai e studoi, por asnjëherë nuk e zotëroi gjuhën gjermane. Njësoj si shumë paraardhës të tij caristë, Stalini ishte një gjermanofil që admironte industrinë dhe shkencën e Gjermanisë – me një fjalë modernitetin e saj. Por për pjesën më të madhe të kohës, Stalini nuk kishte asnjë ide për ekzistencën e Hitlerit.
Pastaj, në vitin 1933, Hitlerit iu dorëzuan frenat e shtetit të madh që Stalini e admironte. Siç ka shkruar historiani Alan Bullock, jetët e dy diktatorëve kishin ecur në paralel. Por do të ishte kryqëzimi i tyre që do të kishte rëndësi: dy njerëz shumë të ndryshëm nga periferitë e shoqërive të tyre, që po ringjallnin në mënyrë gjakësore dhe po ribënin vendet e tyre, po shkonin pa kuptuar(më vonë në dijeni të plotë) afër njëri-tjetrit. Rezultoi se nuk ishte vetëm populli gjerman që po priste për Hitlerin.
Konfrontimi
Të shtunën, më 21 qershor 1941, Stalini vinte vërdallë vazhdimisht në zyrën e tij në Kremlin, me hapat e tij të shkurtër, duke tymosur një llullë. Brenda Kremlinit trekëndor, Senati Perandorak formonte një fortesë trikëndore dhe Stalini ishte një fortesë brenda fortesës. Deri edhe personeli i përhershëm me leje kalimi të rregullt në Kremlin kishte nevojë për një leje të posaçme për të hyrë në krahun e godinës ku qëndronte Stalini. Kjo zonë u quajt mes njerëzve të brendshëm të regjimit si Qoshja e Vogël. Muret në zyra ishin të veshura panele druri të larta sa një njeri, vendosur aty me idenë se poret e drurit përmirësojnë cilësinë e ajrit ndaj edhe ashensorët ishin veshur me dru të kuq. Pas treyzës së punës së Stalinit qëndronte i varur në mur një portret i Leninit. Në një qoshe, mbi një tavolinë të vogël, ishte vendosur një kuti xhami me maskën e vdekjes së Leninit brenda. Në një tavolinë tjetër kishtte disa telefona.(Stalini jam, do të përgjigjej ai). Ngjitur me tavolinën ishte një vazo me fruta të freskëta. Nga pas ishte një derë që çonte në një dhomë relaksimi(ndonëse përdorej rrallë për atë qëllim), me harta të stërmëdha dhe një glob gjigand. Në zyrën kryesore, mes dy apo tri dritareve të mëdha, nga të cilat në pasdite hynte dielli, qëndronte një divan me lëkurë të zezë ku në momentet e mira, Stalini pinte çaj me limon.
Ata të cilëve u lejohej të kishin një audiencë me të, hamendësonin kohë pas kohe se ai ecte në dhomë për të kontrolluar emocionet e tij eksplozive, apo ndoshta, për të çtensionuar ata që ishin me të. Pa dyshim që ai ishte i vetmi në dhomë që bënte ecejake duke iu afruar ngadalë njerëzve që flisnin. Vetëm pak njerëz të afërt me të, e dinin se Stalini vuante nga një dhimbje thuajse konstante në kyçet e këmbëve, që mund kishin të bënin me një gjendje genetike dhe të cilën e lehtësonte pjesërisht lëvizja. Ai po ashtu shëtiste në parkun e Kremlinit, zakonisht vetëm, duke prekur gjethet e pemëve dhe duke trembur korbat e zinj(më pas rojet do të ktheheshin dhe masakronin zogjtë).
Stalini eliminoi pronën private dhe e shndëroi veten në një ekuivalent sovjetik të Uashingtonit, Uoll Stritit dhe Hollivudit, të gjitha në një dhe e gjitha kjo në një person. Ai ankohej për lodhje, sidomos nga fundi i ditëve të tija të gjata të punës dhe vuante nga pagjumësia, një gjendje e panjohur ndonjëherë publikisht. Një grup i vogël i rrethit të brendshëm dinte për infeksionet e tij dhe ethet shumëditëshe. Zëra për probleme të ndryshme shëndetësore kishin qarkulluar dhe për këtë shkak ndihma e mjekëve të huaj ishte ndërprerë. Por një rreth i ngushtë i mjekëve rusë kishin dijeni për hollësi të sëmundjeve dhe deformimeve të trupit të tij, përfshirë krahun e tij të majtë thuasje i defunksionalizuar, për thonjtë e tij të trashë dhe të çngjyrosur në këmbën e djathtë, për dy gishta të bashkuar në këmbën e majtë(shenjë e një ndikimi satanik sipas folklorit rus). Për periudha të gjata Stalini i rezistoi nevojës për kontroll nga mjeku dhe ai kishte ndaluar së përdoruri ilaçe që lëshoheshin në emër të tij nga farmacia e Kremlinit. Personeli i shërbimit nuk i sillte më ushqimet nga kantina e Kremlinit dhe i gatuante vaktet në apartamentin e tij, në prezencë të tij, duke provuar nga pjatat. Megjithatë stomaku i Stalinit ishte një gërmadhë. Ai vuante nga atake diarreje të vazhdueshme.
Senati Perandorak u ndërtua nga perandoresha teutone e Rusisë, Katerina e Madhe për “glorifikimin e shtetit rus”. Disa dekada pas hapjes së tij, në fillim të vjeshtës së vitit 1812, Napoleoni mbërriti në Rusi me trupat e tij pushtuese. Anëtarë të Ushtrisë Madhështore Franceze- që përfshinte shumë protestanë, katolikë nga Gjermania, Italia dhe Polonia – kryenin nevojat personale në kishat orthodhokse të Kremlinit dhe bënin qitje mbi ikonat e shenjta. Pasi rezistenca dinake e rusëve çoi pushtuesit drejt urisë, Napoleoni në tërheqje, urdhëroi hedhjen në erë të Kremlinit. Shirat e rrëmbyer kufizuan dëmtimin, por eksplozivi shkatërroi pjesë të murit dhe disa kulla. Senati Perandork u përfshi nga flakët.
Korridorët e gjatë me tapetë të kuq rreth Qoshes së Vogël populloheshin nga një ushtri me roje. “E shikon sa shumë që janë?” vuri në dukje njëherë Stalini në bisedë me një komandant ushtarak. “Çdo herë që kaloj në këtë korridor, mendoj, cili? Nëse ky do më qëllojë pas shpine, apo është ky tjetri që do më qëllojë përballë?”
Komandanti ishte shtangur nga një paranojë e tillë: në fund të fundit nuk kishte patur asnjë përpjekje të vetme të vërtetë për të vrarë Stalinin. Por “Njeriu prej Çeliku” – “më i thellë se oqeani, më i lartë se Himalajet, më i ndriçuar se dielli, mësues i universit”, sipas fjalëve të një poeti kazak – persekutohej nga larg.
Në verën e vitit 1941, duket qartë se Hitleri e kishte fituar Luftën II Botërore. Ai kishte aneksuar Austrinë, vendlindjen e tij, rajonet çeke, pjesën më të madhe të Polonisë, si dhe një rrip nga Lituania, duke krijuar një Gjermani më të Madhe sesa ajo e vitit 1871, të cilën Otto von Bismark e kishte shmangur qëllimisht gjatë luftërave për unifikimin gjerman(duke konsideruar Austro-Hungarinë si jetike për ekulibrin e forcës). Trupat e Hitlerit pushtuan Ballkanin, Danimarkën, Vendet e Ulëta, Norvegjinë dhe Francën Veriore. Liderë që ishin besnikë ndaj Fyhrerit sundonin në Hungari, Bullgari, Kroaci, Finlandë, Itali, Rumani dhe në Spanjë. Hitleri në thelb kontrollonte të gjithë Europën nga Kanali Anglez në kufirin sovjetik; vetëm Suedia dhe Zvicra mbeteshin neutrale dhe të dyja bashkëpunonin ekonomikisht me Gjermaninë Naziste. Është e vërtetë që Britania sfiduese ende refuzonte termat e dorëzimit, por Londra nuk mund ta përmbyste në asnjë rast dominimin kontinental të Berlinit.
Stalini vëzhgonte në mënyrë rigoroze paktin e mossulmimit që Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik kishin nënshkruar në gusht të vitit 1939. Në atë kohë, Hitleri që kishte vendosur ta gëlltiste me forcë Poloninë, kishte nevojë ta mbante Bashkimin Sovjetik të çmobilizuar dhe jashtë një koalicioni të mundshëm anti-gjerman me Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Stalini nxori nga kjo një marzh manovre shumë të lartë. Teksa Hitleri harbohej në pjesën tjetër të Europës, Stalini shmangte përballjen me forcën ushtarake të Gjermanisë dhe duke përfituar nga situata, pushtoi dhe shpejt aneksoi Bukovinën dhe Besarabinë. Më tej akoma, në këmbim për grurin dhe naftën sovjetike, Stalini mori pajisje të makinerive të avancuara dhe armët më moderne gjermane.
Stazhi i Stalinit në diplomacinë e nivelit të lartë kishte dëshmuar se ai ishte dinak, por gjithashtu edhe oportunist, i etur për përfitime dhe këmbëngulës. Qasja e tij kishte mbetur e njëjta: përgatitu për luftë me një program masiv armatimi, e megjithatë bëj gjithçka për të shmangur luftimin teksa lejon gjermanët dhe britanikët të luftojnë njëri-tjetrin. Kjo kishte funksionuar, derisa Gjermania – e ndihmuar nga lënda e parë sovjetike që ishte me bollëk – pushtoi Francën në verën e vitit 1940 dhe u çlirua, për t’u kthyer drejt Bashkimit Sovjetik. Dy rivalët ideologjikë dhe gjeopolitikë, për shkak të zgjerimit të tyre kishin tashmë një kufi të përbashkët.
Tani, pas gjashtë muajsh raportimesh sekrete kontradiktore për një invazion të mundshëm gjerman të Bashkimit Sovjetik, paralajmërimet e shërbimeve për një luftë titanike iminente po vinin ngado. Në Moskë personeli i ambasadës gjermane po evakuohej dhe po merrte me me vete edhe pikturat, tapetet antikë dhe argjendin. Policia sekrete sovjetike raportonte se ambasada italiane po ashtu kishte marrë udhëzime për t’u evakuuar. Në orët e para të asaj dite, një agjent sovjetik në Bullgari kishte raportuar se një emisar gjerman ishte shprehur se “një konfrontim ushtarak pritej më 21 ose 22 qershor”. Lideri komunist kinez, Zhou Enlai, u raportonte zyrtarëve të Kominternit, organizatës ndërkombëtare komuniste, se rivali i tij, nacionalisti Chiang Kai-shek po “deklaron me këmbëngulje se Gjermania do të sulmojë Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike dhe madje ka dhënë edhe një datë: 21 qershor 1941!” Kjo e nxiti kreun e Kominternit që telefononte Molotovin. “Situata është e paqartë”, i tha Molotovi. “Pritet një lojë e madhe. Jo çdo gjë varet nga ne.”
Lajme të rreme
Ishte një ditë e nxehtë, mbytëse dhe ndihmësi kryesor i Stalinit, Aleksandër Poskrebishiev, po djersinte pa pushim; dritaret ishin hapur, por gjethet në pemë nuk lëviznin. Djali i një këpucari, njësoj si despoti të cilit i shërbente, Poskrebishievi qëndronte në zyrën ngjitur me atë të Stalinit, nga e cila duhet të kalonin të gjithë vizitorët dhe në mënyrë të vazhdueshme ata do ta bombardonin me pyetje: “Pse na ka thirrur Bosi?” “Si është me humor?”, pyetje të cilave ai në mënyrë lakonike u përgjigjej: “Do ta merrni vesh.”
Ai ishte i domosdoshëm, merrej me të gjithë thirrjet telefonike dhe me malin e dokumenteve në mënyrën që preferonte depsoti. Por Stalini kishte lejuar që Beria, kreu i frikshëm i shërbimit sekret, të burgoste gruan e tij të dashur në vitin 1939 nën akuzën e troskizmit.(Beria u kishte dërguar një shportë të madhe me fruta dy vajzave të tyre; mandej ai ekzekutoi nënën e tyre.)
Poskrebishiev qëndronte në tryezën e tij duke u përpjekur të freskohej me një shishe me ujë mineral. Sipas udhëzimeve të Stalinit, rreth orës 2:00 të drekës, ai telefonoi gjeneralin Ivan Tyulenev, kreun e Distriktit Ushtarak të Moskës. Pas pak gjenerali dëgjoi në telefon zërin e mbytur të Stalinit që pyeste: “Shoku Tyulenev, si është situata e mbrojtjes kundërajrore të Moskës?” Pas një raportimi të shkurtër, Stalini tha: “Dëgjo, situata është e paqëndrueshme prandaj ju do të ngrini nivelin e gatishmërisë së baterive kundërajrore me 75%.”
Poskrebishievi vendosi në tryezë një informacion të fundit, dorëzuar nga një korrier nga terreni. Ishte pothuajse një grumbull thashtethemesh, më shumë sesa dokumente të vjedhura. Raportimet ishin kontradiktore, të kontaminuara me informacione dukshëm të rreme dhe shpesh të dorëzuara me dyshim. Në Londër, ambasadori sovjetik në Mbretërinë e Bashkuar, shkruajti në raportin e tij se ai e konsideronte një sulm gjerman “të pangjashëm”, pavarësisht se kishte marrë informacione nga britanikët që vetë kishin depërtuar në komunikimet ushtarake gjermane. Në Berlin gjithësesi, ambasadori sovjetik në Gjermani, pas muajsh ekuivokimesh, më në fund konfirmoi se veprimet e Gjermanisë sinjalizonin një pushtim iminent. Por Stalini mesa duket konkludoi se i dërguari i tij në Berlin ishte viktimë e dizinformacionit dhe vuri në dukje se “ai nuk është edhe aq i zgjuar.”
Për Stalinin çështja nuk ishte nëse lufta me regjimin nazist ishte e shmangshme, por nëse ajo ishte e shmangshme atë vit. Vlerësimet për një pushtim ishin mbledhur në tryezën e tij, por 14 datat që raportimet sekrete kishin identifikuar si dita kur Gjermania do të sulmonte, kishin kaluar. Të vetmet mundësi mbeteshin “22-25 qershor” dhe “21-22 qershor.” Dritarja e pushtimit së shpejti do të mbyllej për shkak të kohës së shkurtër që mbetej deri në afrimin e dimrit. Stalini ishte në shtëpinë e tij, virtualisht i lirë edhe për një vit.
Sigurisht, paralajmërimet për një luftë të afërt ishin shfaqur edhe në faqet e para të gazetave në mbarë botën. Por duke e ditur sesi ai vetë e përdorte shtypin, Stalini i mori titujt alarmues si provokacione të planifikuara. Ai arsyetonte se amerikanët dhe britanikët nuk donin asgjë më shumë sesa që gjermanët dhe sovjetikët të ngatërroheshin në luftë. Ai e dinte se Gjermania po përjetonte mungesa të mëdha në tregje dhe arsyetonte se ajo kishte nevojë për më shumë furnizime prej tij, kështu që një invazion gjerman do të ishte autogol pasi do të vinte në rrezik furnizimet në fjalë. Ai po ashtu e dinte se Gjermania kishte humbur Luftën I Botërore, sepse kishte luftuar në dy fronte dhe për këtë arsye, mendonte ai, gjermanët e kishin kuptuar se do të ishte vetëvrasëse për ta të sulmonin Bashkimin Sovjetik në lindje, përpara se të mudnin Mbretërinë e Bashkuar në Perëndim.
Ky lloj arsyetimi u kthye në një kurth për Stalinin, sepse e çoi atë në konkluzionin se dispozitivi kolosal i trupave dhe mjeteve ushtarake gjermane në dyert e Bashkimit Sovjetik, nuk ishte shenjë e një sulmi të afërt, por më shumë një përpjekje shantazhuese e Hitlerit ndaj tij për të çeduar territor dhe për të bërë lëshime të tjera pa shkrepur asnjë pushkë.
Në të vërtetë, sovjetikët ranë pre e një fushate dizinformuese të shkëlqyer nga nazistët që ushqyen rrjetin global sovjetik të spiunazhit me raporte të pandërprera për kërkesat gjermane që do të pasonin përqendrimin masiv ushtarak në lindje. Për këtë arsye, deri edhe burimet më të mira të informacionit të Stalinit, shpreheshin për të dyja versionet: që lufta po afronte dhe se do të kishte shantazh. Dhe nëse varianti i dytë ishte i vërtetë, i pari nuk kishte arsye pse të ishte.
Kur Stalini mallkonte burimet e veta të informacionit si të infektuara nga dizinformimi, ai në këtë rast kishte të drejtë. Por despoti nuk ia kishte idenë se cilat pjesë ishin dizinformacion dhe cilat informacione të sakta. Ai quajti “dizinformacion” çdo gjë që zgjidhte të mos besonte.
Gati ose jo, ja ku jam
Koloneli Georgi Zakarov, një pilot i dekoruar, ishte urdhëruar të kryente një fluturim ditor zbulimi në rajonet kufitare të pjesë gjerman dhe ai raportoi se Vermahti ishte gati të pushtonte. Policia sekrete sovjetike, NKGB, kishte zbuluar se sabotatorë gjermanë që kalonin kufirin pa problem, ishin udhëzuar që “në rast se trupat gjermane kalojnë kufirin përpara se ata të kthehen në Gjermani, mund të raportonin në çdo njësi trupash gjermane të ndodhur në territorin sovjetik”. Kundërzbulimi sovjetik vuri re një shtim të rekrutimit gjerman në radhët e njerëzve të pakënaqur në rajonin e Balltikut, Bjellorusisë dhe Ukrainës, që po krijonin grupe klandestine dhe angazhoheshin në aktivitete terrorizmi, shumë kohë pas asgjësimit të supozuar nga Stalini gjatë Terrorit të Madh, të të ashtuquajturës Kolona e Pestë. Linjat e mbingarkuara hekurudhore të Stalinit që duheshin për të transportuar trupa drejt perëndimit u mbushën me dhjetëra mijëra “elementë antisovjetikë” që deportoheshin. Tanke gjermane, aeroplanë dhe mjete desantimi ujor kishin avancuar në një zonë të brendshme të mbrojtur nga tela me gjemba; telat tashmë u hoqën. Zhurma e motorrëve të mjeteve gjermanë oshëtiu në anën sovjetike të kufirit.
Në qendër të Qoshes së Vogël, ku ishte vendosur një tavolinë e veshur me shajak, Stalini kishte zhvilluar mbledhje të panumërta kushtuar përgatitjeve për luftë. Ai kishte detyruar rritjen e objektivave të tre planeve pesëvjeçarë duke synuar krijimin e 9000 sipërmarrjeve të reja industriale dhe prodhimi ushtarak ishte rritur më shpejt sesa PPB-ja për më shumë sesa një dekadë. Ai kishte mbikëqyrur formimin e 125 divizioneve të reja vetëm në vitin 1939 dhe pas kësaj Ushtria e Kuqe kishte 5.37 milionë trupa, që e bënte edhe ushtrinë më të madhe në botë. Kishte 25 mijë tanke dhe 18 000 avionë ushtarakë, 3-4 herë më shumë sesa dispozitivi i Gjermanisë. Stalini e dinte se Gjermania po nënvlerësonte këtë forcë masive për paragjykim dhe injorancë, kështu që ai rregulloi që gjermanët të vizitonin fabrikat e tankeve dhe avionëve dhe lejoi madje avionët gjermanë të bënin operacione zbulimi në përqendrimet e trupave sovjetike, aerodromeve, bazave detare si dhe depove të municicioneve dhe karburantit. Stalini përhapte po ashtu zëra përmes spiunëve të tij që nëse sulmohej, aviacioni sovjetik do të sulmonte Berlinin me agjentë kimikë dhe biologjikë. Në të njëjtën situatë Stalini do të ishte dekurajuar.
Sigurisht, nëse vendi i tij ishte kaq i mirëarmatosur pse të mos e lije armikun që të bënte budallallëkun e nënvlerësimit? Sepse e ashtuquajtura Lufta e Dimrit mes Bashkimit Sovjetik dhe Finlandës, zhvilluar në vitet 1939-1940, kishte ekspozuar dobësitë ushtarake sovjetike, jo vetëm në sytë e Hitlerit, por edhe të Stalinit.(Sovjetikët kishin arritur një fitore dërrmuese, por vetëm pasi u bllokuan me muaj nga një rezistencë e fortë finlandeze.) Ushtria e Kuqe po kalonte një fazë të zgjatur riorganizimi dhe përmirësimi teknologjik që pasoi fushatën e Finlandës. Sovjetikët zotëronin rreth 1800 tanke të rëndë të avancuar, pjesa tjetër e tankeve të tyre konsistonte në modele të lehta krahasuar me modelet homologe gjermane. Ngjashëm, avionët ushtarakë sovjetikë më të avancuar përbënin vetëm ¼-ën e forcës ajrore të tyre. Përgatitjet e Stalinit për luftë mbanin po ashtu vulën e ekzekutimeve të mijëra oficerëve besnikë, sidomos në nivelet e larta, si p.sh Vasily Blyukher, që përpara se të vdiste nën torturë në vitin 1938, i nxorën syrin dhe ja vunë në dorën e vet. Apo edhe i talentuari Mikhail Tukaçevski, gjaku i të cilit spërkati të gjithë “rrëfimin” se ishte agjent gjerman – jo shumë kohë para se Stalini të përfundonte Paktin e Mossulmimit me Gjermaninë.
Tani, 85% e korpusit të oficerëve ishin në moshën 35 vjeç apo më të rinj; atë më të vjetër se 45 vjeç përbënin rreth 1%. Në total, 1013 gjeneralë sovjetikë ishin nën moshën 55 vjeç dhe vetëm 63 ishin mbi atë moshë. Shumë prej tyre kishin qenë major për një kohë të shkurtër, pak para gradimit. Nga 659 mijë oficerë sovjetikë, vetëm rreth gjysma e tyre kishin përfunduar shkollë ushtarake, ndërkohë që një në katër kishin minimumin e domosdoshëm të arsimit ushtarak(disa kurse), kurse një në tetë nuk kishin asnjë lloj arsimimi.
Erdhi ora
Stalini ishte në dijeni shumë mirë për këto realitete dhe së fundmi ana e vrazhdë e temepramentit të tij kishte dalë në sipërfaqe. “Stalinit nuk i mbanin nervat dhe irritohej nga raportet e vazhdueshme(gojore dhe të shkruara) për një përkeqësim të raporteve me Gjermaninë”, kujtonte për këtë periudhë, admirali Nikollai Kuznecov, komisari i marinës sovjetike. “Ai e ndjente se rreziku ishte iminent”, kujton Nikita Hrushov që në atë kohë kreu i partisë në Ukrainë dhe shpenzoi pjesën më të madhe të muajit qershor në Moskë. “A ka kapacitet vendi ynë të përballet? Do ja dalë vallë ushtria jonë?”
21 qershori rastis që është solstici i verës, dita më e gjatë e vitit – dhe duhet të ketë qenë e pambarimtë. Në orën 17:00 Stalini urdhëroi sekretarët partiakë të repartave të Moskës që të qëndronin në venddetyrat e tyre. Në orën 18:27 Molotovi hyri në Qoshen e Vogël – vizitori i parë, si zakonisht. Në orën 19:0, hynë Beria, Kuznecovi, Malenkovi, Grigori Safonov(një zv.prokuror i përgjithshëm i ri, përgjegjës për gjyqet ushtarake), Semjon Timoshenko(një komandant i lartë ushtarak), Klement Voroshillov(zv.kryetar qeverie) dhe Nikollaj Voznesenski(kreu i Planit të Shtetit). Diskutimi u rrotullua rreth zhvillimeve të fundit që shtynin drejt luftës dhe frikës së Stalinit për provokimet që mund ta ndiznin atë.
Shërbimet sekrete ushtarake të Stalinit vlerësonin se vetëm 120 – 122 divizione nga 280 që kishte Gjermania, ishin organizuar kundër Bashkimt Sovjetik, përkundrejt 122-126 që ishin angazhuar kundër Mbretërisë së Bashkuar(37-43 të tjerat thuhej se mbaheshin në rezervë). Në të vërtetë kundër Bashkimit Sovjetik ishin angazhuar 200 divizione – me një total prej 3 milionë ushtarësh të Vermahtit dhe gjysmë milionë trupa nga aleatët e Aksit, krahas 3 600 tankesh, 2 700 avionësh, 700 mijë armëve të këmbësorisë dhe artilierisë, 600 000 mjeteve të motorizuara dhe 650 000 kuajve. Sovjetikët kishin grumbulluar rreth 170 divizione(ndoshta 2.7 milionë ushtarë) në Perëndim, krahas 10 400 tankesh, 9500 avionëve. Dy ushtritë më të mëdha në historinë e botës qëndronin ngjitur në një kufi që shkonte diku te 2000 milje i gjatë.
Më tej akoma, forcat gjermane kishin zënë pozicione luftimi, kurse sovjetikët ende jo. Për të qenë i sigurtë, Stalini kishte lejuar ridislokime të fshehta strategjike në kufirin perëndimor të Bashkimit Sovjetik. Por ai nuk do të lejonte kalimin në pozicion luftimi, pasi trembej se do të shërbente për skifterët në ushtrinë gjermane që dëshironin luftën dhe po punonin me çdo mjet që të merrnin aprovimin e Hitlerit. Avionëve sovjetikë u ndalohej që të fluturonin deri në gjashtë milje nga kufiri. Timoshenko dhe Georgi Zhukov, të tjerë komandantë ushtarakë të lartë, siguruan që komandantët e frontit të mos shkaktonin apo të binin pre e provokimeve. Beria po ashtu caktoi një vrasës profesionist për të organizuar “një forcë goditëse me përvojë për të përballur çdo incident kufitar që mund të përdorej si sebep për të nisur luftën”. Komandantët sovjetikë do të likujdoheshin nga njerëzit e tyre nëse forcat nën komandën e tyre do t’i përgjigjeshin zjarrit gjerman.
Inteligjenca sovjetike tani po raportonte se jo vetëm Gjermania, por edhe edhe aleatët e saj lindorë – Finlanda, Hungaria, Rumania dhe Sllovakia – kishinkaluar në gatishmëri luftarake. Por Stalini, duke qenë se prej kohësh e kishte lëshuar iniciativën, ishte efketivisht i paralizuar. Pothuajse çdo gjë që kishte bërë mund të përdorej nga Hitleri për të justifikuar pushtimin.
Në orën 19:00, Gerhard Kegel, një spiun sovjetik në ambasadën gjermane në Moskë, rrezikoi jetën e tij, duke dalë jashtë selisë për t’u thënë agjentëve sovjetikë se personeli gjerman që jetonte jashtë godinës ishte urdhëruar që të hynte menjëherë brenda dhe se kjo “të çon të mendosh se sonte do të ketë luftë”. Në orën 20:00, mbërriti një korrier me zarfa të vulosur mje informacione të reja që iu dorëzuan Stalinit, Timoshenkos dhe Molotovit. Kuznecovi, Safonovi, Timoshenko, Voroshillovi dhe Voznesenski ishin larguar nga Qoshja e Vogël në orën 20:15. Malenkovi kishte dalë pesë minuta më vonë. Nuk u vendos asgjë me rëndësi.
Zhukovi telefonoi për të raportuar se një tjetër ushtar gjerman kishte dezertuar përmes kufirit dhe paralajmëronte për një pushtim që do të niste brenda disa orësh. Ky ishte pikërisht lloji “i provokimit” të cilit Stalini i druhej. Ai urdhëroi që Zhukovi dhe Timoshenko të shkonin në Kremlin. Ata hynë në zyrën e Stalinit në orën 20:50. Aty ku Molotovi dhe Beria përsërisnin mohimet e Stalini se Hitleri nuk do të sulmonte, dy komandanët me orgjinë fshatare mund të shihnin se Gjermania ishte rreshtuar që të sulmonte.
Megjithatë, kur Stalini këmbënguli për të kundërtën, ata prezumuan se ai kishte informacione dhe analiza superiore ndaj të tyret. Në çdo rast, ata i dinin kostot e humbjes së besimit të tij. “Të gjithë i kishin në kujtesë ngjarjet e viteve të fundit”, do të shkruante në kujtimet e veta Zhukovi. “Dhe të thoshe me zë të lartë se Stalini e kishte gabim, se kishte gabuar, ta thoshe këtë qartë, kishte kuptimin se pa dalë nga godina, ti do të shoqëroheshe për të pirë një kafe me Berian”. Pavarësisht kësaj, çifti në fjalë përdori paralajmërimet e dezertorit për të kërkuar një mobilizim të përgjithshëm – që në mendjen e Stalinit ishte ekuivalente me luftën.
“A nuk e dërguan gjeneralët gjermanë dezertorin këtej kufirit për të provokuar konfliktin?” pyeti Stalini.
“Jo”, u përgjigj Timoshenko. “Ne mendojmë se dezertori po thotë të vërtetën”.
Stalini: “Çfarë të bëjmë tani”?
Timoshenko la një kohë pauzë në heshtje. Më në fund ai sugjeroi: “Vendosni trupat në kufirin perëndimor në gatishmëri të lartë”.
Ai dhe Zhukovi kishin ardhur të përgatitur me një draft direktivë. Stalini nga ana e vet ishte përpjekur ta angazhonte Hitlerin, edhe kur ishte duke pritur kërkesat shantazhuese prej tij. “Molotovi ka kërkuar leje për të vizituar Berlinin, por ai është mashtruar”, shkruante shefi i Propagandës naziste, Jozef Gëbels në ditarin e tij në datën 18 qershor. “Një kërkesë naive”.
Stalini në anën tjetër, në vend se të vazhdonte me pritjen e një ultimatumi nga Hitleri, mund ta kishte parandaluar atë. Ky ishte opsioni i fundit që ai kishte lejuar dhe ishte potencialisht një opsion i fuqishëm. Hitleri druhej se despoti dinak sovjetik do të merrte në një farë mënyre iniciativën dhe në mënyrë të njëanshme, do të deklaronte publikisht lëshime dramatike dhe ekstreme ndaj Gjermanisë. Stalini duket se kishte diskutuar mundësinë e lëshimeve me Molotovin, por nëse e ka bërë një gjë të tillë, asgjë e dokumentuar nuk ka mbetur. Mesa duket Stalini priste që Gjermania të kërkonte Ukrainën, fushat naftëmabajtëse të Kaukazit dhe kalim të papenguar të Vermahtit përmes territorit sovjetik për t’u angazhuar me Mbretërinë e Bashkuar në Lindjen e Afërme dhe në Indi. Një despot dinak dhe i paskrupullt do të kishte deklaruar publikisht dëshirën e tij për t’iu bashkuar veprimeve ushtarake kundër Mbretërisë së Bashkuar, duke kërkuar hakmarrje për fuqinë e madhe të cilën e përçmonte më shumë dhe më e rëndësishme, do t’i hiqte Hitlerit argumentin se britanikët po qëndronin kundër Gjermanisë sepse parashikonin dhe prisnin ndihmën sovjetike. Në vend të kësaj, apo paralel me të, Stalini mund të niste në mënyrë demonstrative tërheqjen e forcave sovjetike nga i gjithë kufiri, çka do të godiste në zemër arsyen e luftës së liderit nazist: një “sulm i presupozuar parandalues” kundër “kapaciteteve sovjetike”.
Në vend se të vepronte dinakërisht, Stalini u kap pas besimit të tij se Gjermania nuk do të sulmonte Rusinë përpara sesa të mundte Mbretërinë e Bashkuar, ndonëse britanikët nuk kishin ushtri në kontinent dhe as nuk po mbronin territorin, as nuk ishin në pozitën për të sulmuar prej andej. Ai mendonte se në momentin kur Hitleri më në fund do të lëshonte ultimatumin e tij, ai do të ishte në gjendje të blinte kohë duke negociuuar: mundësisht duke lëshuar, nëse kërkesat ishin të tolerueshme dhe pra duke shmangur luftën, ose me më shumë gjasë, zvarritja e çdo bisedimi përtej datës në të cilën Hitleri do të mund të niste pushtimin, duke fituar edhe një vit kritik, gjatë të cilit riorganizimi teknologjik i Ushtrisë së Kuqe do të avanconte.
Nëse kjo dështonte, Stalini arsyetonte më tej se edhe nëse përplasjet do të shpërthenin, gjermanëve do t’u duhej të paktën dy javë për të mobilizuar të gjithë forcën e vet pushtuese, duke i lejuar atij kohën për t’u mobilizuar po ashtu. Kur spiunët e tij në Berlin apo gjetkë, i raportuan se Vermahti “kishte përfunduar të gjitha përgatitjet e luftës”, ai nuk e kapi se kjo do të thoshte që dita e parë do të konsistonte në angazhimin e plotë të forcës kryesore ushtarake.
Barbarosa fillon
Në Qoshen e Vogël, ndërkohë që po vazhdonte një diskutim relativisht i ndezur me Timoshenkon dhe Zhukovin, Molotovi doli jashtë. Stalini i kishte kërkuar që të thërriste ambasadorin gjerman, Firdrih Verner fon der Shulenberg në Senatin Perandorak në një takim në orën 21: 30. Shulenberg arriti menjëherë, duke u shkëputur nga mbikëqyrja e djegies së dokumenteve sekrete në ambasadë. I dërguari ishte zhgënjyer shumë që pakti Hitler-Stalin, për të cilin ai luajti një rol të rëndësishëm, rezultoi një mjet jo për një marrëveshje territoriale për Poloninë dhe për të shmangur luftën, por në fakt si agim i një lufte të re. Tani ai i druhej të shumëpërfolurës përplasje ruso-gjermane dhe së fundmi kishte shkuar në Berlin për të takuar personalisht Hitlerin dhe për ta bindur për qëllimet paqësore të Stalinit, por ishte kthyer duarbosh. Në dëshpërim e sipër, Shulenberg, kishte dërguar në Berlin, këshilltarin e tij në ambasadë për të bërë një përpjekje të fundit, por edhe kjo dështoi.
Molotovi kërkoi të dinte se për cilën arsye Gjermania po evakuonte personalin, duke i dhënë jehonë zhurmës për luftë. Ai I dorëzoi Shulenbergut një notë proteste ku renditeshin me hollësi të gjithë shkeljet gjermane të hapësirës ajrore sovjetike dhe i tha në mënyrë të qartë atij se “qeveria sovjetike e ka të pamundur të kuptojë shkakun e pakënaqësisë së Gjermanisë në raport me Bashkimin Sovjetik, nëse pakënaqësi të tilla ekzistojnë”.
Ai u ankua se “nuk kishte arsye për qeverinë gjermane të ishte e pakënaqur me Rusinë”.
Shulenberg u përgjigj se “paraqitja e këtyre çështjeve është e justifikuar”, por ngriti supet ai, duke shtuar se “nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej atyre sepse Berlini kufizon totalisht informimin (tim)”.
Gjatë një vizite shtetërore në Gjermani në nëntor të vitit 1940, Molotovi ishte grindur dhëmbë për dhëmbë me Hitlerin në Kancelarinë e stërmadhe të Rajhut, duke debatuar për përplasjen e sferave të ndikimit në Europë. “Asnjë vizitor i huaj nuk i ka folur Hitlerit në këtë mënyrë në praninë time”, do të shkruante më vonë përkthyesi gjerman. Por tani Molotovi mezi mund të shprehte disa herë keqardhjen e tij se Shulenbergu ishte “i pamundur që të përgjigje ndaj pyetjeve të shtruara”.
Molotovi u kthye te Qoshja e Vogël duke zvarritur këmbët. Papritur, rreth orës 22:00, në mes të një vape mbytëse, erërat u përplasën duke fryrë tendat e dritareve të hapura. Pastaj bubullimat. Moska u godit nga një rrebesh. Më në fund Stalini u dorëzua para ushtarakëve këmbëngulës dhe pranoi draft direktivën e tyre. Timoshenko dhe Zhukovi dolën me shpejtësi nga Qoshja e Vogël në orën 22:20, me një urdhër mobilizimi të përgjitshëm në dorë: Direktivën nr. 1.
“Një sulm i befasishëm është i mundshëm nga gjermanët gjatë 22-23 qershorit 1941”, thuhej në të.
“Detyra e forcave tona është të shmangim çdo lloj veprimi provokativ që mund të çojë në komplikime serioze”. Urdhëronte që “gjatë natës së 22 qershorit 1941 , pozicionet e fortifikuara të luftimit në kufirin shtetëror duhen zënë në mënyrë sekrete”, se “përpara agimit të datës 22 qershor 1941, të gjitha avionët në aerodrome duhet të shpërndahen dhe të kamuflohen”, se “të gjitha njësitë duhet të vihen në gatishmëri ushtarake” dhe se “asnjë masë e mëtejshme nuk duhet ndërmarrë pa udhëzime specifike”. Direktiva mbante firmat e Timoshenkos dhe Zhukovit. Dy ushtarakët ja dolën të fshinin prej saj një paragraf të futur aty nga despoti sipas të cilit nëse gjermanët sulmonin, komandantët sovjetikë duhet të përpiqeshin që të takoheshin me ta, për të zgjidhur çdo konflikt. Megjithatë, dokumenti bënte të qartë se ushtria duhet të përgatitej për luftë ndërkohë që duhet të bënte gjithçka për ta shmangur atë.
Komandantët sovjetikë në front po organizonin pritje siç bënin zakonisht të shtunave në mbrëmje. Në Minsk, 150 miljë në lindje të kufirit, oficerët vunë në skenë një operetë sovjetike komike, Martesa në Malinovka, që flet për një fshat në stepat e Ukrainës gjatë Luftës Civile. Lokali ishte i mbushur plot. Mes spektatorëve ishte edhe komandanit i Distriktit Ushtarak Perëndimor, një rajon kritik ky, Dimitri Pavllov; shefi i tij I shtabit si dhe zëvendësit e vet. Gjashtë avionë gjermanë kishin kaluar kufirin në rajonin e Pavllovit një natë më parë.
“S’ka gjë. Më shumë vetëkontroll. E di, është raportuar tashmë! Më shumë vetëkontroll”, dëgjohej të thoshte shpesh Pavllovi në telefon për raportimet e veprimeve gjermane. Sapo Pavllovi ulte telefonin dhe përgatitej të priste një vizitor, telefoni binte sërish. “E di, është raportuar”, dëgjohej ai. “E di. Ata lart dinë më shumë se ne. Kaq”. Përplaste telefonin. Gjatë operetës, Pavllovit ia ndërprenë shfaqjen me një raport të ri që fliste për aktivitet të pazakonshëm: gjermanët kishin hequr telat me gjemba nga ana e tyre e kufirit dhe zhurma e motorrëve ishte bërë më e lartë, dëgjohej në distanca të larta. Një fluks i pandërprerë i kolonave të mekanizuara gjërmane po lëvizte përpara. Pavllov qëndroi në shfaqje.
Rreth mesnatës, komandanti i Distriktit Ushtarak të Kievit i telefonoi Komisariatit të Mbrojtjes për të raportuar se një tjetër gjerman kishte kaluar kufirin duke deklaruar se ushtarët e Vermahtit kishin zënë pozicionet e luftimit, me tanket në krye të linjës së rreshtimit. Rreth 12 orë më herët, në orën 13:00, komanda e lartë gjermane kishte transmetuar fjalëkalimin e luftës: “Dortmund”. Atë pasdite, Hitleri kishte shkruar letra për liderët e vendeve aleate ku sqaronte vendimin e tij për të sulmuar Bashkimin Sovjetik. Adjutanti i tij, Nikolaus fon Belou vuri re se “Fyhreri ishte shumë nervoz dhe i paqetë. Hitleri fliste shumë, ecte lart e poshtë, dukej i paduruar, në pritje të diçkaje”.
Në rezidencën e tij në Kancelerinë e vjetër të Rajhut, Hitleri nuk fjeti për asnjë sekondë të vetme atë natë hëngri në dhomën e ndenjes. Dëgjonte Les Préludes, poemën simfonike të Franc Listit. Ai thirri Gëbelssin, që sapo kishte parë filmin “Bashkë me erën”. Të dy ecën lart e poshtë në sallon për një farë kohe, duke finalizuar kohën e shpalljes dhe përmbajtjen e deklaratës së luftës për ditën tjetër, që do të përqendrohej në “shpëtimin e Europës” dhe në rrezikun e patolerueshëm të pritjes së mëtjeshme. Gëbelsi u largua në orën 14:30 për t’u kthyer në Ministrinë e Propagandës, ku stafi po priste siç ishte urdhëruar. “Të gjithë ishin shtangur”, shkruajti ai në ditarin e tij, “edhe pse shumica kishte kapur gjysmën e asaj që po ndodhte dhe disa të gjithën”. Gjermanët e kishin quajtur operacionin me kodin “Barbarosa”. Ai tashmë kishte nisur.
Shumica e atyre të cilëve u drejtohej Direktiva nr. 1 në pozicionet e frontit sovjetik, nuk e morën atë. Njësitë e pararojës së Vermahtit, shumica të veshur me uniforma të Ushtrisë së Kuqe, kishin kaluar tashmë kufirin dhe sabotuan komunikimet sovjetike.
“Fillimi i çdo lufte është si të hapësh derën në një dhomë të errët”, i tha Hitleri një prej sekretarëve privatë. “Asnjëherë nuk e di se çfarë është fshehur në errësirë”.
I verbuar nga forca
Regjimi i Stalinit kishte riprodhuar një model të ngulitur në historinë ruse: sunduesit rusë, duke nisë modernizimin e detyruar për të kaluar, apo të paktën menaxhuar asimetrinë e një vendi që e konsideronte veten një fuqi providenciale me një mision të veçantë në botë, por që kishte mbetur shumë pas fuqive të tjera të mëdha. Kërkesa për një shtet të fortë kishte kulminuar sërish në një sundim personal. Regjimi i Stalinit i përkufizonte termat e mendimit publik dhe identitetit individual dhe vetë Stalini personifikonte pasionet dhe ëndrrat e një moderniteti socialist dhe madhështie sovjetike.
Me një telegram me një fjali, apo telefonata të shkurtra, ai mund të vinte në lëvizje makinerinë e stërmadhe të vjetëruar, parti-shtet, duke invokuar disiplinë dhe intimidim, por edhe duke galvanizuar funksionarët e rinj që ndjenin lidhje emocionale me të, dhe miliona të tjerë që nuk do të vinin kurrë në një takim me të.
Regjimi i Stalinit premtonte jo thjesht modernizimin shtetëror, por gjithashtu transhendencën e pronës private dhe tregjeve, të antagonizmave klasorë dhe alienimit ekzistencial – një rinovim të shoqërisë si të tërë nga renta borgjeze, një kërkim për drejtësi sociale në një shkallë globale. Në botëvështrim dhe praktikë, ishte një konspiracion që perceptonte konspiracione kudo dhe në çdo gjë, duke manipuluar vazhdimisht veten. Në administrim kjo konstituonte një kryqëzatë për planifikim dhe kontroll që përfundonte në gjenerimin e ilegalitetit të improvizuar në shumë drejtime, një orientim pervers për rend dhe një sistem në të cilin propaganda dhe mitet për “sistemin” ishin pjesa më e sistematizuar. Mungesa e kultivuar e transparencës dhe kredencialet e rreme, çoi që edhe zyrtarët më të lartë u reduktuan në Kremlinologji. Hipercentralizimi fanatik shpesh ishtë autodështim, por kulti i pagabueshmërisë së partisë dhe sidomos i Stalinit, u dëshmua të ishte defekti më i rrezikshëm në sundimin gjithë gabime të Stalinit.
Për nga predispozita, Stalini ishte një nacionalist rus në kuptim perandorak të fjalës dhe anti-oksidentalizmi ishte impulsi bazë i kësaj politike kulturore ruso-euroaziatike. Në fillim, ambicia sovjetike për t’u matur dhe arritur Perëndimin kishte rritur varësinë e vendit nga teknologjia perëndimore dhe njohuritë e nevojshme mbi të. Por, pas importimit të teknologjisë nga çdo ekonomi e përparuar perëndimore, regjimi i Stalinit u angazhua për të zhvilluar ushtrinë e vet të sofistikuar dhe industritë e lidhura me të në një shkallë të paprecedentë edhe për një vend ushtarak.
Gjeopolitikisht gjithësesi, aty ku Rusia cariste kishte krijuar aleanca të huaja për sigurinë e vet, Bashkimi Sovjetik më shumë pa, apo mund të menaxhonte, vetëm pakte mossulmimi. Të vetmes aleance të tij formale, asaj me Francën, i mungonte përmasa ushtarake. Vetëizolimi i vendit u bë edhe më i skajshëm.
Stalini këmbëngulte që ta quante fashizmin “reaksionar”, një mënyrë e supozuar e borgjezisë për të ruajur botën e vjetër. Por Hitleri rezultoi të ishte dikush për të cilin, as Marksi, as Lenini, nuk e kishin përgatitur Stalinin. Një gjermanofil i përjetshëm, Stalini duket se ishte hipnotizuar nga madhështia dhe guximi i regjimit totalitar paralel të Gjermanisë. Për një farë kohe ai e ringriti ekuilibrin e vet politik dhe personal në paktin e tij të mrekullueshëm me Hitlerin, që ia ndërroi drejtimin makinës gjermane të luftës, që solli shumë pajisje të industrisë gjermane, mundësoi kapjen dhe sovjetizimin e vendeve kufitare të kohës së Carit dhe riktheu Bashkimin Sovjetik në rolin e arbitrimit të çështjeve botërore. Hitleri kishte ngacmuar dhe me ngurim ngopur oreksin e Stalinit. Por shumë më herët sesa mendonte despoti, aftësia e tij për të nxjerrë përfitime nga rreziku i jashtëzakonshëm që Hitleri përbënte për Europën dhe botën, e kishte lënë pas. Kjo gjeneroi tension të padurueshëm në jetën dhe sundimin e Stalinit, e mëgjithatë ai refuzoi me kokfortësi të pranonte realitetet e reja, dhe jo vetëm për shkak të dëshirës për teknologjinë gjermane.
Pavarësisht thellimit të tij në psikën njerëzore, intuitën demoniake dhe mendjen e mprehtë, Stalini ishte i verbuar nga ideologjia dhe idetë fikse. Kryeministri britanik, Uinston Çërçill nuk kontrollonte as një divizion në kufirin sovjetik, e megjithatë Stalini mbeti absolutisht i obsesionuar me imperializmin britanik, duke u bërë barrierë kundër Traktatit të Versajës shumë kohë pasi Hitleri e kishte shkelur atë, për të vazhduar të imagjinonte se ai po negocionte me britanikët pas shpinës së tij.
Zgjedhja e Hitlerit
Për Hitlerin, pakti i vitit 1939 ishte një domosdoshmëri e pakëndshme që me pak fat, nuk do të zgjaste shumë. Kuptimi i tij racor, socio-darvinist, maksimalist i gjeopolitikës nënkuptonte se si Bashkimi Sovjetik, ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar, duheshin asgjësuar në mënyrë që Gjermania të realizonte fatin e racës së saj zotëruese. Në terma afatmesëm, ai mendonte në terma të dominimit të kontinentit europian(Grossmacht) që kërkonte hapësirën jetike(Lebensraum) në lindje. Por në terma afatgjatë, ai parashikonte dominimin e botës(Weltmacht), që do të kërkonte një flotë detare, baza rreth e qark Atlantikut dhe një koloni perandorake në tropik për lëndë të para. Kjo ishte e pamundshme me ekzistencën e Perandorisë Britanike, të paktën në formën që kishte atë kohë. Hitleri e vuri kështu veten përballë një zgjedhjeje të vështirë, që ose të binte dakord për të thelluar marrëveshjen me Stalinin, ose të merrte të gjithë Perandorinë Britanike, që do të thoshte lëshim i të paktën një pjese për sferën sovjetike të ndikimit në Ballkan dhe në Detin e Zi – në krye të sferës sovjetike në Balltik – apo në një variant tjetër, duke e çliruar veten nga varësia acaruese nga Moska për ta marrë Perandorinë Britanike më vonë. Në fund, rrethanat ushtarake ndihmuan në përcaktimin e asaj që vijon: Hitleri nuk zotëronte kapacitetet ajrore dhe detare apo thellësinë e burimeve të nevojshme për të trimfuar mbi Mbretërinë e Bashkuar; ai kishte forcat tokësore për të tentuar shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik.
Një anagazhim në një përballje të zgjatur me Britaninë për supremaci, në kuadër të të cilit Hitleri priste që ajo të ndihmohej përherë e më shumë nga burimet e mëdha të SHBA, e bënte asgjësimin e shpejtë të Bashkimit Sovjetik një prelude të domosdoshëm absolut. Më tej akoma, edhe pse Hitleri dhe komanda e lartë gjermane e dinin se Bashkimi Sovjetik nuk ishte gati për të sulmuar, pushtimi bazohej në një luftë preventive sipas të njëjtës logjikë, pasi Bashkimi Sovjetik po bëhej përherë e më i fortë dhe mund të sulmonte vetë në një kohë që do t’i dukej më e favorshme. Dhe kështu në vitin 1940, teksa nxiste Japoninë të sulmonte pozicionet britanike në Azinë Lindore, Hitleri i kishte ofruar qeverisë britanike një variant të paktit që kishte përfunduar me Stalinin dhe dukej i shtangur kur Londra e refuzoi atë. Lideri nazist e kishte kapur mentalitetin perandorak britanik dhe ai ishte i sinqertë kur premtonte se në këmbim të lënies të lirë në continent, ai do ta mbante Perandorinë Britanike të paprekur për momentin. Ai vijoi të shpresonte se Mbretëria e Bashkuar, e dobët ushtarakisht në tokë dhe pra e paaftë për ta mundur, do të binte dakord me të. Por Hitleri nuk kishte kuptuar preferencën afatgjatë të Britanisë për një ekuilibër force në kontinent(mbi të cilën varej pjesërisht siguria e perandorisë). Dhe ai perceptonte shumë interesa të përbashkëta mes Londrës dhe Moskës sesa këto të fundit shihnin për veten e tyre.
Gjatë përgatitjeve për blickrigun kundër sovjetikëve, Hitleri vazhdoi t’I dedikonte burime përgatitjeve për një luftë të gjatë detare dhe ajrore kundër britanikëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Maji dhe qershori i vitit 1941 ishte vit më i zi për Mbretërinë e Bashkuar: Gjermania po mbyste anijet dhe bombardonte qytetet e saj dhe ajo kishte humbur pozitat e veta në Ballkan. Pasi parashutistët gjermanë kapën Kretën në fund të majit 1941, pozita britanike dukej seriozisht e rrezikur. Njëmbëdhjetë ditë përpara nisjes së planfikuar të pushtimit të Bashkimit Sovjetik, Hitleri diktoi Direktivën nr. 32, “Përgatitjet për periudhën pas Barabarozës”. Ajo parashikonte ndarjen dhe shfrytëzimin e territoreve sovjetike si dhe një lëvizje rrethuese ndaj pozicioneve britanike në Kanalin e Suezit dhe në Lindjen e Mesme; pushtimin e Gjibraltarit, Afrikës Veriperëndimore dhe ishujve spanjollë dhe portugezë në Atlantik, për të eliminuar britanikët në Mesdhe dhe ndërtimin e bazave bregdetare në Perëndim dhe mundësisht në Afrikën Lindore. Eventualisht, do të kishte nevojë për një bazë gjermane në Afganistan për të kapur Indinë Britanike.
Nëse Hitleri do të kishte hedhur të gjithë forcën e vet në këtë “strategji të periferisë” në vend se të pushtonte Bashkimin Sovjetik, Mbretëria e Bashkuar nuk do të mund të mbijetonte. Lufta me sovjetikët do të kishte nisur dikur, por me britanikët të nxjerrë nga skena. Nuk do të kishte një plazdarm britanik për të ndihmuar një zbarkim të mundshëm të një koaliconi të aleatëve të drejtuar nga SHBA në Europë.
Mençuria e Bismarkut
Hitleri nuk mund të shpjegohet sipas termave të origjinës së tij apo jetës dhe ndikimeve të hershme, një pikë që nuk është më pak e aplikueshme për Stalinin. Kallëpi më i madh i formimit të identitetit të Stalinit ishte ndërtimi dhe drejtimi i një diktature, në të cilën ai merrte përgjegjësi për pushtetin e Bashkimit Sovjetik në botë. Në emër të socializmit, Stalini, duke ecur në zyrën e tij në Kremlin, ishte rritur, i mësuar me zhvendosjen përmes iniciativës së tij, shpesh pa u konsultuar me kënd, të miliona fshatarëve, punëtorëve – kombe të tëra – në hapësirën e 1/6-ës së Tokës. Por bota e tij ishte bërë shumë e ngushtë. Hitleri e kishte zënë në kurth despotin sovjetik në Qoshen e tij të Vogël.
Marrëveshjet e Stalinit me Hitlerin ndryshonin nga pajtimi britanik me faktin se Stalini kërkonte parandalimin si dhe rehatinë. Por politika e Stalinit u ngjante pajtimit britanik në faktin se ai udhëhiqej nga dëshira e verbër për të shmangur luftën me çdo çmim. Ai manifestoi fuqinë e kapaciteteve, por jo të vullnetit. As vendosmëria e tij e frikshme, as edhe dinakëria e tij supreme – që i kishin lejuar të eliminonte rivalët dhe të thynte shpirtërisht rrethin e tij të brendshëm – nuk dukej në vitin 1941. Ai u rrudh nga përpjekja për të parandaluar ushtarakisht Hitlerin dhe dështoi ta parandalonte atë diplomatikisht.
Në fund gjithësesi, pyetja se kush e keqllogariti më shumë njëri-tjetrin nuk është e thjeshtë për t’iu përgjigjur.
“Nga të gjithë njerëzit që mund të pretendojnë se kanë hapur rrugën për Rajhun e Tretë”, preferonte të shprehej Hitleri, “një figurë qëndron në vetminë e vet madhështore: Bismarku”.
Por Bismarku e kishte ndërtuar qeverisjen e tij duke shmangur konfliktet me Rusinë. Kur një bust i Bismarkut u zhvendos nga Kanceleria e vjetër e Rajhut në Kancelerinë e re të Hitlerit, ajo ra dhe theu qafën. Një kopje e saj u prodhua nxitimthi dhe u vjetërua në mënyrë artificiale duke e zhytur në çaj të ftohtë. Askush nuk i tha gjë Hitlerit për këtë ngjarje.