“Roja bregdetare shpëton jetën e një pushuesi në plazhin e “Centralit” në Sarandë”, tha sot për ATSH, prefekti i Vlorës Flamur Mamaj, i cili theksoi se stacionet e plazhit janë në gatishmëri për t’u ofruar qytetarëve siguri.
Prefekti i qarkut Vlorë Flamur Mamaj, tha për se rojat bregdetare kanë bërë të mundur t’i shpëtojnë jetë qytetarit të sëmurë me epilepsi.
“Rojet bregdetare kanë ndërhyrë, i kanë dhënë ndihmën e shpejtë, e kanë çuar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën”, tha ai.
Që në momentet e para të hyrjes në ujë, vrojtuesit Sotir Dhimpali dhe Mikele Pushova, kanë vërejtur se një plazhist rrezikonte mbytjen dhe kishte nevojë për ndihmën e tyre. Kanë qenë çastet e para të kontaktit me ujin, kur panë se një pushues në moshë të re, përpëlitej, duke rrezikuar mbytjen.
Në sajë të ndërhyrjes efikase dhe në kohën e duhur, u bë i mundur shpëtimi i të riut. Ai u nxor me shpejtësi nga uji, iu dha ndihma e parë në vend. U njoftua ambulanca, që ka dhënë ndihmën e specializuar me personelin shëndetësor.
Eshte identifikuar se i riu i shpëtuar nga mbytja, ishte shqiptar i Kosovës, i ardhur ditë më parë me familjarë të tij me pushime në Sarandë. Djaloshi i shpëtuar është 20-vjeçari Labinot Hakim Rrapa, shtetas suedez.
20-vjeçari sipas familjarëve është përfshirë nga një krizë konvulsive, që i ka rënë që në kontaktin e parë me ujin. I riu është jashtë rrezikut për jetën.
Më tej, prefekti shtoi se “prefektura jonë i ka të kompletuar të gjithë vrojtuesit e plazheve, sidomos të plazheve që kanë risk të mbytjes. Jemi në aksion të verifikimit të stacioneve, vazhdojmë me intensitet të lartë dhe janë të gjitha grupet e kontrollit të taskforcës në terren dhe në bashkëpunim me bashkitë për të mbyllur të gjithë detyrimin ligjor që kanë stacionet e plazhit për të ofruar siguri për pushuesit”.