Nga Alfred Peza
Që Lulzim Basha nuk ka kuptuar asgjë nga 30 Qershori, kjo është shumë e thjeshtë për tu kuptuar. Mjafton që të dëgjosh e lexosh se çfarë thotë dhe e beson se nuk ka nxjerrë akoma asnjë mësim.
Në Himarë paska deklaruar sëfundi, se:
“85% e shqiptarëve duan ndryshimin e vërtetë që nis me ndryshimin e sistemit, garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, fundin e korrupsionit dhe paligjshmërisë! Dhe ne jemi sot të rreshtuar me shumicën e Shqiptarëve në këtë mision!”
Pyetjet që lindin pas kësaj, janë:
– 85% e shqiptarëve dashkan ndryshimin e vërtetë dhe ti nuk futesh në zgjedhje që ti përfaqësosh?!
– Shqiptarët dashkan ndryshimin e sistemit dhe ti vazhdon ende të bojkotosh reformën eleketorale?!
– Shqiptarët dashkan garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme e ti vazhdon akoma qa tia kërkosh Edi Ramës, pushtetin në tavolinë?!
– Shqiptarët duan fundin e korrupsionit dhe ti je i marë zyrtarisht i pandehur për lobim me para ruse?!
– Shqiptarët duan fundin e paligjshmërisë dhe ti e ke nxjerrë opozitën nga institucionet kushtetuese dhe nga sistemi politik e demokratik i vendit?!
Me këto që thotë Lulzim Basha mund të vazhdojë të gënjejë veten. Por shqiptarët nuk i gënjen dot.
Ai do vazhdojë të endet kot më kot nëpër Shqipëri “si çifuti në shkretëtirë”, edhe ca javë deri në shtator, me shpresën se pasi të rikthehen nga plazhet, demokratët do e kenë harruar katastrofën e tij politike të 30 Qershorit.
Por, meqë jemi në “shkretëtirën” e tij, loja e strucit që fut kokën në rërë për të mos parë atë që gjithë të tjerët janë duke parë tek ai, është një lojë e vjetër. E dalë boje. Humbëse.
Ndaj, Lulzim Basha ka vetëm një shans: Të shkojë edhe ai si çdo herë tjetër me pushime dhe kur të kthehet ti kërkojë falje opozitarëve.
Ti kërkojë falje jo vetëm për 30 Qershorin, por edhe për 2015 dhe 2017. Ndryshe humbja e 2021, do të jetë e katërta e vërteta. Pas kësaj, Lulzim Basha jo vetëm demokratëve e Sali Berishës, por as veten nuk do arrijë të gënjejë dot më.