Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur kufizime vizash për shtetasit nigerianë që u përpoqën të minojnë demokracinë e vendit gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit. Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se sanksionet e vizave targetuan disa individë që ishin të përfshirë në dhunën zgjedhore, pa i përmendur emrat e tyre.
Vendimi i SHBA erdhi pasi të paktën 39 vetë u vranë nga dhuna në lidhje me zgjedhjet, sipas vëzhguesve vendorë të zgjedhjeve. Dy zyrave të Komisionit Zgjedhor Elektoral të Nigerisë iu vu zjarri disa ditë përpara zgjedhjeve.
“Këta individë kanë vepruar në kurriz të popullit nigerian dhe kanë dëmtuar parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Ky vendim pasqyron angazhimin e Departamentit të Shtetit për të punuar me qeverinë nigeriane për të forcuar demokracinë, llogaridhënien dhe respektin për të drejtat e njeriut “, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.
“Anëtarët e familjes së tyre gjithashtu mund të preken nga kufizimet e udhëtimit në SHBA”, tha qeveria amerikane.
Të tilla përpjekje në fakt, për të penguar zgjedhjet përmes dhunës dhe flakëve si në Nigeri, u demonstruan edhe në vendin tonë, pak para zgjedhjeve të 30 Qershorit, nga opozita shqiptare.
Militantë të Partisë Demokratike, punonjës të bashkive të djathta si ajo e Shkodrës apo Vau i Dejës i vunë zjarrin KZAZ-ve duke dëmtuar edhe efektivë të policisë gjatë sulmeve me bomba molotov. Mes tyre, u procedua penalisht dhe u arrestua edhe një ish deputet i partisë demokratike, Bardh Spahia, si një ndër përgjegjësit për aktet e dhunës pranë KZAZ-ve.
Pas këtyre ngjarjeve, ambasada amerikane në Tiranë reagoi duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara duan sundim të ligjit që mbron punonjësit civilë dhe shkollat nga sulmet e pakuptimta, që mbron integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor…”
Në këtë mënyrë, SHBA-të konfirmojnë se përpjekja për të penguar zgjedhjet me dhunë dhe flakë, klasifikohet te krimet e rënda që cënojnë rëndë parimet e demokracisë, përveçse rendin dhe sigurinë dhe se pasojat e këtij krimi për përgjegjësit arrijnë deri në sanksione si kufizimi apo ndalimi i hyrjes në SHBA.
g.kosovari