Rikthehet vala e të nxehtit ekstrem në Europë. Qyteti francez i Bordeaux regjistroi temperaturën më të lartë që prej nisjes së matjes së tyre. Termometri shënoi 41.2 gradë Celsius në jug të këtij qyteti, duke thyer kështu rekordin e vitit 2003 me 40.7 gradë. Moti me temperatura ekstreme preku dhe Parisin, me qytetarët që u freskuan në shatërvanin pranë Kullës Eiffel, të kthyer tashmë në një pishinë publike.
Vala e të nxehtit preku dhe Spanjën, që tashmë përballet me rrezikun për zjarre të fuqishme në pjesë të ndryshme të vendit. Meteorologët gjithashtu parashikojnë temperatura rekord në të gjithë Europën këtë javë, përfshirë Belgjikën, Gjermaninë dhe Holandën.
Organizata Botërore e Meteorologjisë beson se ky fenomen vjen si pasojë e ndryshimeve klimatike. E gjithë Europa është mobilizuar për të përballuar këtë valë “ferri” siç është cilësuar nga ekspertët. Franca gjendet nën ndikimin e alarmit ngjyrë portokalli, ndërsa Belgjika dhe Spanja kanë aktivizuar më të lartin e mundshëm. Qeveria e Holandës po zbaton planin kombëtar kundër të nxehtit, por edhe shtete të tjera europiane kanë ndërmarrë masat e nevojshme.
g.kosovari