Nga një zonë kryesisht rurale dhe me ndërtime informale, Kashari po shndërrohet me shpejtësi në një qendër mirëfilli urbane. Balta dhe pluhuri ia kanë lënë vendin rrugëve të shtruara dhe infrastrukturës moderne me ndriçim. Krahas punës për bulevardin e Kasharit, në këtë zonë është ndërtuar edhe rruga e re që lidh Kasharin me Yzberishtin, rreth 3 km e gjatë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektuan punimet e kryera në zonë dhe theksuan se ky investim, përveç banorëve, do t’u shërbejë edhe bizneseve përgjatë këtij aksi të rëndësishëm industrial.
“Nga vitet ‘90 kemi mësuar se aksi më i madh industrial në Shqipëri është aksi Tiranë-Vorë. Por, kanë kaluar 30 vjet dhe sot është zhvilluar një tjetër aks, ai Yzberisht-Kashar, paralel me autostradën Tiranë-Vorë. Ndaj, jam shumë i lumtur që ky investim i përgjigjet këtij aksi. Mjafton të shihni pas kurrizit tim numrin e kamionëve, furgonëve apo mjeteve që lëvizin për të kuptuar se zona ka një aktivitet të jashtëzakonshëm industrial; pra, përtej kapanoneve që shohim në fashën e parë të autostradës, është zhvilluar edhe fasha e dytë dhe e tretë, me shërbime mbështetëse, televizione, spitale dhe apartamente në zonën midis Yzberishtit dhe Kasharit”, tha Veliaj.
Ai theksoi se investimi në infrastrukturë sjell jo vetëm një lagje më të mirë, por edhe ndërgjegjëson banorët e saj për të jetuar në një komunitet të pastër dhe me rregulla. “Mbajtëm fjalën për të krijuar fillimisht lagjen e re të zonës së Astirit dhe Unazës së Re. Tani që qytetarët janë regjistruar dhe mund t’i llogarisim për frymë investimet tona, na jep dorë që të bëjmë edhe më shumë punë. Ky aks i parë, që bashkohet me një rrethrrotullim të shkëlqyer me Bulevardin e Ri të Kasharit, që mjafton të vish në darkë dhe të shohësh xhiron masive që na sjell nostalgjinë e viteve ’90, për të kuptuar se realisht këtu është krijuar komunitet. Pra, ideja nuk është vetëm të hedhim asfalt, të vëmë shtylla dhe të mbjellim pemë, apo të bëjmë pllaka, por të krijojmë komunitet. Kjo infrastrukturë është në shërbim të krijimit të këtij komuniteti”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku u tregua mirënjohës me banorët mirëkuptues, të cilët kanë lëshuar pak nga pronat e tyre për të ndërtuar rrugë dhe trotuare. “I falenderoj të gjithë ata banorë që kanë lëshuar nga prona e tyre. Sapo takova njërin prej tyre që i ka dhuruar bashkisë 1400 metra katrorë tokë. Ky rrethrrotullim dhe këta ullinj nuk do të ishin këtu, nëse do të kishim një sjellje jo bashkëpunuese nga banorët. Fakti se sot ka njerëz që besojnë te ky mision, sa janë gati të falin një pjesë të madhe të pronës së tyre për misionin e bërjes së Tiranës një qytet modern, është ndoshta inkurajimi dhe nota më e madhe vlerësuese”, tha Veliaj.
Ai theksoi se puna e bërë në gjithë këtë zonë, qoftë me rrugët, rehabilitimin e lagjeve dhe ndërtimin e Bulevardit të Kasharit, është prova më e mirë se edhe realizimi i projektit të zgjerimit të Unazës te Astiri do të jetë po aq dinjitoz dhe që do sjellë civilizim e urbanizim të të gjithë zonës. “Kush ka sy të shikojë, kush ka veshë të dëgjojë dhe kush ka mendje të mendojë: mjaft të shohë çfarë është bërë këtu për të kuptuar se aty ku vë dorë Bashkia dhe Qeveria, sjell vetëm zhvillim, rritje të vlerës së pronës, një hapësirë më të mirë komunitare, më shumë pastërti dhe një cilësi jete shumë herë më të lartë se sa ajo që gjetëm para pak kohësh. Me rrethrrotullimin, me sinjalistikën, me ndriçimin LED natën, me faktin që kemi mbjellë ullinj aty ku kishte ferra, ndryshimi është si dita me natën”, shtoi Veliaj.
Bashkia e Tiranës është e vendosur që t’i përgjigjet kërkesës së 90% të qytetarëve të zonës që e duan zhvillimin, për të vijuar me këtë projekt dhe për t’i dhënë Tiranës një aks të domosdoshëm për qarkullimin e automjeteve dhe të qytetarëve. “Duam që edhe në 4 vitet që vijnë të ecim me këto ritme. Thirrja ime për të gjithë banorët e Astirit është që ne nuk do t’ju zhgënjejmë; e dimë që ka një shumicë të heshtur, që është mbi 90% e banorëve, që nuk ka arsye të vuajnë pengimin nga një pakicë e zhurmshme partiake dhe politike, e keqpërdorur, të cilëve ju garantoj gjithashtu se do t’ju shërbejmë njësoj. Me të njëjtën frymë do të vazhdojmë mandatin e dytë dhe ju garantoj se ata që sot protestojnë, do të jenë përfituesit më të mëdhenj dhe do të përfundojnë si ata që protestonin te Parku i Liqenit, që tani vijnë me kasketë për të çuar te lodrat kalamajtë e tyre. Mos e pengoni zhvillimin e Tiranës! E kemi treguar se ky qytet nuk ndalet. Edhe në mandatin e dytë jo vetëm nuk do ta ndaleim punën, por do ecim me të pestin, duke filluar që nga ditët e nxehta të verës, teksa përgatitemi për fillimin e vitit të ri shkollor dhe rutinën e punës në këto 4 vite”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.
Deputetja e PS, Blerina Gjylameti vlerësoi vëmendjen që Bashkia e Tiranës po i kushton zonave periferike, duke treguar se është njësoj në shërbim të qytetarëve pavarësisht nëse jetojnë në qendër apo jo.