Sot u mësua për vdekjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Bërthamore, japonezit Yukiya Amano, i cili u nda nga jeta në moshën 72 vjeçare.
Zef Mazi, një ndër diplomatët më të njohur shqiptarë, ka qenë për shtatë vite asistencti i tij i posaçëm, deri në vitin e shkuar. Në këtë intervistë për Javanews zoti Mazi shpreh përshtypjet e tij nga puna me ish-drejtorin e ndjerë të Agjencisë Bërthamore
Pyetje: Ambasador Zef Mazi, pas shërbimit si Ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe dhe në Republikën e Irlandës, keni shërbyer si Asistent i Posacëm për Strategjinë i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Bërthamore, Yukiya Amano, për shtatë vite me radhë, deri në fund të marsit 2018. Kur mësuat lajmin e ndarjes nga jeta të Zotit Amano, si e përjetuat atë?
Pergjigje: Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Drejtorit të Përgjithshëm, Zotit Amano, e mësova në orët e para të mëngjesit sot. Janë momente mjaft të hidhura dhe më ka ardhur jashtëzakonisht keq për këtë humbje të madhe. Yukiya Amano ishte personalitet i larte, një burre shteti i vërtetë, me integritet të madh, me profesionalizëm dhe devotshmëri të thellë ndaj Agjensisë Bërthamore dhe komunitetit botëror. A dijti t‘i shërbeje atyre me pa-anshmeri shëmbullore, si i ka hije nje burri shteti, dhe të drejtojë Agjensinë me largpamësi të madhe ndonëse iu desh ta udhëhiqte në rrugë tepër të vështira me ngarkesa të larta politike.
Nuk mund te mos te prekesh thelle, të të vije shumë keq, nga humbja e një njeriu të tille, një drejtuesi të lartë, një kapaciteti ndërkombëtar.
Pyetje: Ju keni qenë njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, keni punuar gjatë dhe duhet të keni të ngulitur në mendje shumë gjera që keni biseduar, bashkëpunuar, dhënë zgjidhje, etj. Çka mendoni se ka qenë kontributi më i spikatur dhe cila do të ishte trashëgimia e Zotit Amano në Agjensinë Bërthamore dhe në mbarë botën?
Pergjgije: Kësaj pyetje nuk është lehtë t’i japësh përgjigje të shkurtër. Por po përpiqem. Yukiya Amano ka dhënë kontribut të shquar, me gjurmë të thella, për përhapjen sa me gjerë në botë të përdorimeve paqësore të energjisë bërthamore, te cilat jane realisht të shumta, nga mjeksia, roli i saj ne luftën kundër kancerit, tek bujqësia, tek ambjenti, rezervat ujore, varietetet e farërave, etj. Me zgjuarsinë, këmbënguljen dhe profesionalizmin e tij, ai ishte i pari Drejtor i Përgjithshem i cili arriti të bindë shtetet anëtare dhe të ngreje fonde, mbi 35 milion Euro, për të realizuar rinovimin total të 9 laboratoreve të përdorimeve bërthamore, si dhe të një shume tjeter mjaft të lartë, për rindërtuar dhe komplet rinovuar laboratoret e garancive bërthamore, pra të 12 laboratoreve të Agjensisë në afërsi të Vjenes. Ai ishte I pari qe futi “zhvillimin” ne moton e Agjensisë – Atomet per Paqe dhe Zhvillim”. Ai ka kontribuar së tepërmi në drejtim të carmatosjes, për një botë më të mire pa armë bërthamore.
Në lidhje me njërën nga pikat më të nxehta, në qendër të vëmendjes të Agjensisë Bërthamore prej 13 vitesh, programi bërthamor i Iranit, Amano ishte ndër të parët që ka folur dhe ka insistuar, sepse e pat kuptuar mirë, se dialogu është rruga më e dlire për zgjidhjen e problemeve, sado të ndërlikuara që të jenë. Ai ishte partizan i kësaj përqasje, e përsëriste kudo, ai udhëhoqi në mënyrë shëmbullore punën e Agjensisë në këtë drejtim, çka çoi në një marreveshje të madhe diplomatike dhe historike, si ajo e JCPOA, për Iranin. Kjo fitore e madhe diplomatike nuk mund të arrihej pa punën tepër të specialzuar të Agjensisë e cila, nën drejtimin e Amanos, qe nga nënshkrimi i marrëveshjes, ka dhënë kontribut të madh për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Ai është Drejtori i pare i Pergjithshem që arriti të çojë pjesëmarjen e grave në postet drejtuese në mbi 30 perqind, dhe te rrisë në mënyrë të spikatur efektivitetin e gjithë punës të organizatës. E shumë gjëra të tjera. Këto sa po them i kam jetuar vetë, i di mirë se kështu është, si anëtar i grupit më të ngushtë të asistentëve dhe bashkëpunetorëve të tij.
Pyetje: Jeni njohur më parë se të caktoheshi në këtë post me Zotin Amano?
Pergjigje: Po, une kam shërbyer si Ambasador i Shqipërisë në Agjensinë Bërthamore në te njëjtën periudhe që Zoti Amano pati qenë Ambasador i Japonisë në këtë organizatë (2003-2007), si dhe kur ai shërbeu edhe si Kryetar i Bordit të Governatorëve (2005). Jemi njohur mire, por njohjen më të thellë, të gjithëanëshme e të ngushtë e kam përjetuar gjatë viteve që shërbeva si Asistent Special i tij.
Ai mbi te gjitha sa thashe me lart, ishte njeri teper i mire, me zemër të madhe. Unë e kam pasur për nder të madh dhe krenari si shqiptar dhe si dëiplomat i regjur profesionist i këtij vendi, që të jem perzgjedhur ndër mjaft kandidatë, për të shërbyer në zyrën e tij ekzekutive dhe t’i kem shërbyer një njeriu dhe një udhëheqësi të tillë. Emri, puna dhe kontributi i tij i madh do të kujtohen shumë gjatë, trashëgimia e tij është e madhe, ne jetën e kësaj organizate dhe në botë.
Posaçërisht per Javanews.al