Ekskluzive / Në Borovën e djegur mbetën të vrarë 107 banorë, me dhjetra të plagosur, ku disa prej të cilëve vdiqën më vonë, apo dhe të tjerë që mbetën të gjymtuar për gjithë jetën. Në fshatin Barmash, më datat 6 dh 7 korrik, forcat gjermane dogjën të gjitha shtëpitë, duke vrarë 18 banorë, dhe duke plagosur 7 të tjerë. Qitjet e gjermanëve ndaj këtyre fshatrave vazhduan ditën dhe natën, pa i lëvizur forcat nga vendi. Më datën 11 korrik 1943, gjermanët shkuan me dy kompani në fshatin Kagjinas. Atje i dogjën të gjitha shtëpitë dhe vranë 12 veta, banorë të tij.
Më 6-7 korrik 1943, forcat pushtuese gjermane që erdhën nga Greqia për në Shqipëri, dogjën fshatrat Borovë, Barmash, etj, duke vrarë e masakruar me dhjetra e dhjetra banorë të tyre. Si një kuadrot drejtues partizane që kam marrë pjesë personalisht në ato luftime, po jap kujtimet e mija mbi ato ngjarje, të cilat nuk mund të harrohen lehtë nga memoria historike e popullit shqiptar. Luftimet që zhvilluan forcat partizane të qarkut të Korçës mbi qytetin e Leskovikut, më 15 dhe 16 maj të vitit 1943, bënë të mundur që repartet e ushtrisë fashiste të tërhiqeshin me humbje nga ky qytet, duke e lënë të lirë atë.
Unë, shoqërusi i oficerit britanik, David Smajl
Më 15 maj 1943, nga zona e Greqisë erdhi në Leskovik oficeri i misionit britanik, David Smajli, i cili edhe më parë kishte hyrë në zonën e Zagorisë, por udhëheqja kryesore e shtabit partizan të Gjirokastrës e kishte kthyer përsëri në Greqi. Nisur nga fakti se unë zotëroja frengjishten, më caktuan që ta shoqëroja oficerin britanik, David Smajl, në një udhëtim të gjatë, deri në zonën e Vithkuqit të Korçës. Gjatë rrugës ai bënte shumë pyetje, por interesi i tij ishte që të dinte se sa larg ishte zona e Elbasanit që aty ku ishim ne. Nisur nga fakti se qytetin e Elbasanit unë e njihja mirë, pasi aty kisha qëndruar disa vjet me radhë kur vazhdoja shkollën “Normale”, menjëherë pyetjen e tij e lidha me një vajzë angleze e cila kishte qëndruar për shumë kohë në atë qytet, ku kishte ngritur edhe një vilë, në të cilën ajo qëndronte bashkë me Lef Nosin. Nisur nga orientimet që kishim ne në atë kohë për të mos u dhënë asnjë informacion misionarëve britanik, unë e gënjeva duke i thënë se në Elbasan nuk kisha qenë asnjëherë, dhe kështu që nuk kisha idenë se sa larg ishte ai qytet nga aty ku ishim ne.
Plani për goditjen e forcave italiane
Gjatë datave 15-20 qershor të vitit 1943, në Vidhkuq u mblodhën shokët e Shtabit të Qarkut të Korçës: Nexhip Vinçani dhe Pëllumb Dishnica, si dhe disa shokë të shtabit të Zonës së Parë Operative, Vlorë-Gjirokastër; Islam Radovicka dhe Tahir Kadare. Këta hartuan planin luftarak të kordinuar me qarqet; Korçë, Berat, Gjirokastër dhe Vlorë. Goditja kryesore që do u jepej forcave italiane u parashikua të bëhej në pikat; qyteti i Përmetit, vendi i fushimit në sheshin e Kuqarit, pranë lumit Vjosa dhe në Këlcyrë. Në këto tre pika strategjike ishin perqëndruar shumë ushtarë italianë. Luftimet ndaj tyre filluan herët në mengjezin e datës 1 korrik 1943 dhe ato vazhduan deri në mesditën e 3 korrikut. Lufta qe mjaft e ashpër dhe nga italianët u vunë në veprim jo vetëm pushkët, por edhe mitralozët, mortajat, e artileria e rëndë, si dhe tre avionë që fluturonin pa pushim në të gjithë zonën ku zhvilloheshin luftimet. Duhet theksuar se avionët jo pak herë krijonin mjaft panik në disa skuadra të forcave partizane, të cilat u zbrapsën nga vija e luftimeve. Ndër ta kishte edhe disa kudro, ndaj të cilëve, disa ditë më vonë kur u zhvilluan analizat lidhur me luftimet që kishim bërë, u mbajt qëndrim dhe u morën edhe disa masa ndëshkuese për repartet përkatëse ku kishin ndodhur tërheqjet pa urdhër.
Djegia e qytetit të Përmetit nga forcat italiane
Më datën 2 korrik të vitit 1943, forcat italiane filluan të digjnin qytetin e Përmetit, zjarri i së cilës vazhdoi edhe të nesërmen më 3 korrik. Gjatë luftimeve pati të vrarë dhe të plagosur nga të dy palët, por më shumë humbje në njerëz (të vrarë dhe të plagosur), dhe materiale luftarake patën italianët, pasi ata u zunë në befasi. Forcat partizane patën tre të vrarë dhe dhjetë të plagosur. Duhet thënë se më 1 korrik 1943, në kthesën e rrugës për në Mezhgoran, jo shunmë larg Këlcyrës, mbeti i vrarë komandanti i çetës, shoku ynë i mirë, Asim Zeneli (Hero i Popullit). Pas kësaj, në pasditen e 3 korrikut, forcat e Qarkut të Korçës, të cilat përbëheshin nga një efektiv prej 270 partizanësh, filluan tërheqjen për në zonat e tyre. Unë së bashku me gjashtë shokët të tjerë partizanë, u nisëm për në zonën e Barmashit, te Ura e Shalësit, ku kishim lenë disa forca të tjera partizane, të cilat ishin përqendruar aty që nga data 25 qershor, me qëllim që të mos lejonin forca të tjera italiane që vinin nga regjimenti i tyre i Ersekës, për të shkuar në ndihmë të forcave që ishin instaluar në Përmet, dhe rrezikonin edhe qytetin e Leskovikut që ishte i lirë.
Katër pritat partizane për gjermanët
Forcat tona kishin zenë vend në katër prita: në pritën e parë që ishte në hyrje të fshatit Barmash (mbi Teqen Bektashiane), ishin vendosur njësitet partizane me forca vullnetare të mobilizuar nga fshatrat e rrëzës së Gramozit dhe pllajës së tij. Këto ishin nën komandën e Veli Pupës (Starja) dhe Raqi Kocaqe (Shtika).
Në këto pozicione numri i pjestarëve të njësiteve partizane arrinte deri në 93 veta dhe pjesa më e madhe e tyre kishin marrë pjesë në aksionet luftarake të vitit 1942.
Në kreun e kësaj prite kishte shumë vende me transhe të cilat ishin përgatitur që në vitet e Luftës së Parë Botërore (1914-1920), dhe të ripunura për luftën italo-greke në vitet 1940-1941.
Këto transhe ishin mjaft të favorshme për forcat tona, të cilave u duhej të mbroheshin nga goditjet e forcave armike. Në pritën e dytë që ishte të shkëmbi i madh pranë lumit të Langaricës dhe rrugës që të çon në fshatrat Kamenik dhe Bënjas, ishin vendosur njësitet e zonës së Voskopojës dhe Vidhkuqit, të cilat drejtoheshin nga Nasi Vithkuqi. Këto forca përbëheshin nga 32 pjestarë të njësiteve, por vendi ku ishin përqendruar ata, kishte mjaft vështirësi, pasi ishte krejt shkëmbor.
Prita e tretë ishte në kodrat e Sanjollasit, ku rruga automobilistike, kishte shumë kthesa, mjaft të favorshme për forcat tona. Këtu ishte vendosur çeta e Riza Kodhelit me 42 partizanë, e cila ishte formuar që në ditët e para të shkurtit 1943.
Prita e katërt ishte vendosur tek Ura e Shalësit, ku ishin përqendruar njësitet e fshatrave; Shalës, Arrëz, Gërmenj, Podë, Sanjollas. Gozhdarëzhadë etj, të cilat komandoheshin nga Dervish Sanjollasi. Këto forca përbëheshin vetëm nga 30 veta, anëtarë të njësiteve që kishin marrë pjesë në shumë luftime. Në të katër pritat ishin gjithsej 167 efektiva, partizane e vullnetare.
Në mengjezin e 5 korrikut 1943, unë me disa partizanë të tjerë, arritëm në pozicionet e instaluara te Ura e Shalësit-Barmash. Sa mbërrita aty, menjëherë mblodha pergjegjësit kryesorë dhe i vura në dijeni për luftimet që kishim zhvilluar në zonën; Përmet-Kuqar-Këlcyrë—Qaf e Kiçokut-Mezhgoran dhe në rrugën Tepelenë-Vlorë.
Shokët i porosita që me çdo kusht duhej të qëndronin në këto pozicione, pasi ky ishte një urdhër i prerë i shokëve të Shtabit të Qarkut të Korçës, dhe ai do të zbatohej deri në një urdhër të dytë. Në mesditën e 5 korrikut 1943, unë së bashku me shokët Janaq Borova dhe Sotir Qirjaqi, shkuam në fshatin Borovë dhe u futëm në shtëpinë e patriotit Thoma Toto, (mik i Fan Nolit, i cili kishte ikur përsëri në SHBA-ës më 1925), dhe aty kërkuam korrierin tonë, Sarandi Zguro. Atë do ta ngarkonim me një mision për në Korçë, ku ai do shpinte një informacion të përgatitur nga shokët Nexhip Vinçani dhe Pëllumb Dishnica, për shokët Koço Theodhosi ose Taqi Skëndi.
Nisjen nga Erseka për në Korçë ai do ta bënte me shokët Koço Tane dhe me shoferin, Llambi Koçol Prodanin, i cili ishte dhe njeriu më besnik për lidhjet sekrete që mbaja unë me shokët kryesorë të Qarkorit të Korçës.
Njoftimi për ardhjen e gjermanëve
Më 6 korrik që ishte ditë e martë, që në mëngjez herët, mbi kokat tona filluan fluturimet tre avionë armiq, të cilët vazhduan misionin e tyre deri nga ora 12 e drekës dhe më pas u larguan në drejtim të Korçës. Si u mor vesh më vonë, avionët armiq kishin diktuar lëvizjet e shokëve tanë nga një pritë në tjetrën, ku ata shkonin për të marrë furnizimin me ushqime. Në orën 17 e 30 të datës 6 korrik, arriti Sarandi Zguro, anëtar i Grupit të Rinisë, i cili ishte djalë mjaft i shkathët dhe kurajoz. Ai punonte si kamerier në restorantin e Mërtiro Totocit nga Borova, që gjithashtu ndihmonte Lëvizjen Antifashiste dhe Luftën Nacional-Clirimtare. Sarandi na dorëzoi një letër që ma dërgonte Koço Tane Arëza, (anëtar i Partisë Komuniste), i cili kryente detyra të caktuara nga ana e shokëve kryesorë të Qarkorit të Korçës. Në atë letër thuhej: “Në ora 12 e 30 të ditës së martë 6 korrik 1943, n’Ersek kanë arritur forca të shumta gjermane, me lloj-lloj armatimesh dhe kanë qëndruar në qytet. Fundi i tyre gjatë rrugës që vjen nga Korça nuk duket. Ushtarët nuk kanë zbritur nga automjetet. Ka shumë autoblinda, tanke të mëdhenj, topa dhe mortaja të rënda. Gjenerali italian nuk u ka dhënë oficerëve gjermanë asnjë garanci për kalimin të qetë në drejtim të Jugut. Po kështu edhe krerët e nënprefekturës dhe bashkëpunëtorët e tyre thanë ato që tha gjenerali italian dhe shtuan se; zona Borovë-Leskovik dhe deri në Tri Urat, në kufi me Greqinë, janë nën influencën dhe kontrollin e forcave partizane”.
Goditja e parë ndaj gjermanëve te Teqja e Barmashit
Në orën 17 e 20 minuta, balli i autokolonës gjermane arriti pranë teqesë bektashiane të Barmashit, para pritës së parë të forcave tona partizane. Në zbritjen e rrugës për të hyrë në fshatin Barmash, u rrëzua një kamion me ushtarë dhe ai filloi të digjej nga zjarri i forcave partizane të pritës. Menjëherë forcat gjermane filluan të qëllonin me të gjitha llojet e armëve që kishin në dispozicion, duke hapur zjarr nga të gjitha krahët. Mjaftë nga llojet e armëve që po përdornin gjermanët ndaj nesh, nuk i kishim dëgjuar kurrë më parë, si p.sh. plumbat dum-dum të pushkëve që shpërthenin në vendin që binin, apo dhe mitralozët “Sharrës” të rrufeshëm, mortajat e rënda, topa të kalibrit të rëndë “Lançia-fiame”, tanke dhe autoblinda të mëdhenj dhe të shpejta. Forcat gjermane arritën deri në të përpjetat e Bushit të Barmashit dhe aty ndaluan, pasi u plasën dy mina që ishin vendosur nga forcat partizane. Nga shpërthimi i tyre u dëmtuan dy tre makina të cilat bllokuan kalimin e automjeteve të tjera të autokolonës gjermane. Në orën 18 e 30 të mbrëmjes që ishte ditë e martë, u pa të dilte tym i madh në fshatin Borovë, të cilin kishin filluar ta digjnin gjermanët. Në mjaft prej shtëpive që vazhdonin të digjeshin, kishte brenda gra, pleq të sëmurë dhe fëmijë të vegjël të cilët nuk kishin mundur dot të largoheshin pa mbërritur gjermanët aty. Reparti ndëshkues (terrorist), gjerman, që dogji dhe masakroi fshatin Borovë, ishte i përgatitur për veprime terroriste të kësaj natyre dhe kështu kishte vepruar edhe në vende të tjera ku ata kishin kaluar. Ky repart komandohej nga majori, Runbald Klebe, i cili në atë kohë ishte vetëm 30 vjeç. (Ai ka jetuar deri vonë dhe ka vdekur në Gjermani në moshën 87 vjeçare. Në këto vitet e fundit ka ardhur në Shqipëri i biri i tij, i cili ka parë vendet ku ka vrarë dhe djegur i jati. Ai ka qenë dhe në Greqi ku ka fotografuar vende të ndryshme ashtu si dhe në Shqipëri). Komandanti i regjimentit gjerman që ecte i pari, ishte koloneli Jozef Salmanger (vend-perqendrimi i tij kishte qenë Greqia e Jugut), kurse komandant i divizionit malor, ishte gjenerali, Fon Shletner. Ky divizion kishte pesë regjimente, secili me 5000 ushtarë, d.m.th. gjithsej ishin 25.000 ushtarë të zgjedhur, të ashpër në luftime dhe në kryerjen e masakrave. Ky divizion hyri në Shqipëri nëpërmjet Kapshticës dhe vinte nga Greqia e Veriut me drejtim për në Jug me qëllim që të shtronte grekërit e pabindur. Lufta e forcave partizane ndaj gjermanëve vazhdoi pa pushim me përdorimin e të gjitha llojeve të armëve që kishin gjermanët në dispozicion. Forcat partizane të pritës së dytë filluan të tërhiqeshin aty nga ora 21, pasi e kishin të vështirë të qëndronin më aty nga shpërthimet e gurëve. Në orën 21 e 30, u tërhoqën edhe partizanët e çetës së Riza Kodhelit, pasi nuk rezistonin dot nga zjarri i artilerisë gjermane që nuk pushonte së qëlluari. Njësitet e fshatrave të Urës së Shalësit qëndruan deri sa u larguan njerëzit e tyre nga shtëpitë me qëllim që t’u shpëtonin jetën. Tërheqja e forcave të njësiteve të pritës së parë u bë në rregull në orën 23 të natës, duke tërhequr dhe pesë të plagosur që patëm aty. Në të katër pritat nga ana jonë patëm 10 të plagosur dhe tre të tjerë me gërvishtje nga shpërthimi i gurëve prej artilerisë gjermane.
26 gjermanët e vrarë i shtrinë në mes të Ersekës
Në mbrëmjen e datës 6 korrik, në orët e vona të mesnatës, shtabi i forcave gjermane, dërgoi 20 ushtarë të vrarë (midis tyre 2 oficerë), dhe trupat e tyre i shtriu në mes të qytetit të Ersekës. Kurse në mengjezin e datës 7 korrik, dërgoi aty edhe trupat e pa jetë të 6 ushtarëve të tjerë të vrarë në orët e para të mengjezit, të cilët i vendosën pranë atyre 20 të tjerëve. Ky demonstrim i forcave gjermane në mes të Ersekës u bë nga komanda e tyre për të justifikuar më vonë masakrat, vrasjet, djegiet, dhe plaçkitjet e bërë prej tyre në Borovë, Barmash e fshatra të tjera. Në Borovën e djegur mbetën të vrarë 107 banorë, me dhjetra të plagosur, ku disa prej të cilëve vdiqën më vonë, apo dhe të tjerë që mbetën të gjymtuar për gjithë jetën. Në fshatin Barmash, më datat 6 dh 7 korrik, forcat gjermane dogjën të gjitha shtëpitë, duke vrarë 18 banorë, dhe duke plagosur 7 të tjerë.
Qitjet e gjermanëve ndaj këtyre fshatrave vazhduan ditën dhe natën, pa i lëvizur forcat nga vendi. Më datën 11 korrik 1943, gjermanët shkuan me dy kompani në fshatin Kagjinas. Atje i dogjën të gjitha shtëpitë dhe vranë 12 veta, banorë të atij fshati si dhe 2 të tjerë që kishin shkuar aty për miqësi nga fshati Bënjas. Nga fshati Kagjinas, forcat gjermane bombardonin me artileri fshatin Novoselë dhe fshatin Zharkanj, duke dëmtuar shumë banesa. Banorët e tyre sapo kishin parë djegjen e Kagjinasit ishin larguar nga fshatrat duke shpëtuar jetën.
Fshatrat Sanjollas, Podë, Shalës, Arëz, Gërmenj, Oseikë, Vrepckë, ishin natë e ditë nën zjarrin e pandërprerë të artilerisë së forcave gjermane. Asnjë nga këto fshatra nuk mbeti pa u djegur dhe dëmtime të shtëpive, si dhe pa lëndime të banorëve të tyre. Në Leskovik, forcat gjermane hynë më datën 17 korrik por aty nuk gjetën asnjë banorë të tij, pasi ata ishin larguar me kohë nga frika e ndonjë hakmarrje. Në atë qytet të vogël, forcat gjermane i dogjën të gjitha shtëpitë që kishin mbetur pa u djegur gjatë luftës që u bë më datat 15-16 maj 1943 me forcat italiane dhe më pas ikën duke e lënë qytetin të lirë. Më datën 17 korrik, forcat gjermane shkuan dhe zunë Tre Urat në kufi me Greqinë dhe prej aty ata nisën forca të tyre për në drejtim të fshatrave Carçovë, Seran, Vllahopsilloterë, Biovizhdë dhe Leshnicë. Në të gjitha këto fshatra ata dogjën shtëpitë dhe njerëzit që gjenin aty i vrisnin. Vetëm në Leshnicë ata vranë 5 veta.
Popullsia e fshatrave që dogji gjermani u shpërngul përgjithmonë nga vendlindja e tyre (kryesisht nga Kolonja dhe Leskoviku), dhe shkuan e u vendosën në Korçë. Masakrat që bënë forcat gjermane ndaj popullsisë civile indinjuan pa masë popullin e atyre zonave. Por krijimi i Brigadës së Parë partizanë më 15 gusht në Vidhkuq dhe luftimet në Qafën e Qarrit dhe Urën e Qukësit më 9 shtator, krijuan një besim në radhët e popullit që ishte i lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste Nacional-Clirimtare. Në Qarr gjermanët pësuan humbje të rënda, me të vrarë dhe të plagosur. Madje aty u zunë edhe shumë robër e material luftarak, armë e municione të ndryshme.
Këtu forcat partizane zunë edhe postën e gjermaneve, me karta-postale që ata u dërgonin familjeve të tyre. (Deri vonë unë kam ruajtur si relike një kartolinë që një familje nga Habsburgua ia dërgonte djalit të saj ushtar në front). Më datën 20 korrik, forcat gjermane nëpërmjet Tre Urave kaluan dhe u futën në Greqi, ku u goditën rëndë nga partizanët grekë. Aty u zu rob edhe komandanti i regjimentit të I-rë, koloneli Stainsigner, i cili pas gjyqit u pushkatua. Komandanti i partizanëcve grekë ishte Haris Vellojanis, (nga viti 1945 ai u bë anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Greke), i cili më pas u vra pasi nuk pranoi t’u dorzohej forcave monarko-fashiste greke dhe aleatëve të tyre britanik.
(Myftar Tare, 1919-2015, ish-partizan me funksione të larta drejtuese në zonën e Kolonjës dhe në përfundim të Luftës në vitin 1945 me gradën nënkolonel si zv/komisar i Kopusit të Gjirokastrës, më pas zv/ministër i Punëve të Brendëshme deri në vitin 1949 kur u arrestua dhe u dënua si bashkëpunëtor i ngushtë i Koci Xoxes.
Foto kryesore, Myftar Tare dhe Myftari me kuadrot kryesore drejtuese partizane të Luftës Antifashiste për krahinën e Qarkun e Korçës, si; Nexhip Vinçani, Pellumb Dishnica, Riza Kodheli, Teki Kolaneci, Petrit Dume, Muhamet Prodani, Koço Theodhosi, Todi Lubonja, Hulusi Topollaj, etj. Kolonjë 1943).(TemA)