Parku “Rinia” në qendër të Tiranës po transformohet në një mjedis më të gjelbër, më argëtues për fëmijët e më të këndshëm për qytetarët. Pas suksesit në transformimin e Parkut të Liqenit Artificial, i cili sot është hapësira më e frekuentuar nga qytetarët e Tiranës, edhe Parku Rinia pritet që të ketë të njëjtin ndryshim dhe përkujdesje.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve, të cilat sjellin jo vetëm përmirësimin estetik të parkut, por pritet të dhjetëfishojnë numrin e vizitorëve. “Sa herë plas historia e ‘skandal, skandal, skandal’, në portalet e gjumit, është muzikë për veshët e mi sepse them: Ka filluar një tjetër punë e bashkisë. Ndaj, kur lexova portalet që shkruanin: ‘skandal te parku “Rinia”, po betonizohet’, thashë më në fund filloi puna dhe nuk do presim katër vjet që të mbajmë premtimet. Do të shkojmë nga një park estetik për syrin, që përdoret nga vetëm disa qytetarë, në një park të transformuar që do të përdoret nga dhjetëfishi i qytetarëve që e frekuentojnë sot atë; një park, i cili do të rikonceptohet si një park ‘butik’ i asaj zemrës së Tiranës”, deklaroi Veliaj.
Fillimi i punimeve, sipas bashkisë shënon një tjetër premtim të mbajtur ndaj qytetarëve të Tiranës, pasi pas çlirimit të parkut nga ndërtimet pa leje që u lejuan aty para viteve 2000, aty nuk ishte investuar më.
“Nuk kemi pritur as 4 javë që të fillojmë mbajtjen e premtimeve të 30 qershorit, një prej të cilave ishte rehabilitimi i total i parkut “Rinia”, një park i cili shpëtoi falë kryebashkiakut Edi Rama në mandatin e tij, që u çlirua nga “republika e rrumpallës”. Këtu ku jemi tani ka qenë disko ‘Krokodili’; një vend që njihej me këto lloj toponimish sot është një nga parqet qendrorë më të bukur të Tiranës, por që nga ai çlirim, përveç mirëmbajtjes nuk ka pasur një investim shtesë”, tha ai, teksa shtoi se falë këtij investimi, parku do të jetë edhe më i përdorshëm nga grupmosha të ndryshme.
“Ne duam që ashtu si tek Parku i Liqenit, investimet shtesë siç mund të jenë këndi i lodrave, pistat, shatërvanët, të sjellin më shumë përdorim të parkut nga qytetarët. Duam që ky park të mos jetë vetëm një fjetinë e madhe për ata që i kap dremitja e drekës në park ose për ata që vandalizojnë ‘Monumentin e Pavarësisë’, por të rikonceptohet totalisht, për të pritur disa grupmosha qytetarësh”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Bashkia bën të ditur se një gjetje e veçantë është krijimi i një sistemi unik për mbrojtjen e Monumentit të Pavarësisë nga vandalizimi.
“Në çdo qytet të madh ndodhin gjëra të tilla, ndaj nuk ka nevojë të na kaplojë histeria, sa herë dëmtohen monumentet. Nuk i vëmë dot roje çdo lapidari e monumenti, por kësaj here kemi gjetur diçka më kreative: Do të kemi një rrethim me ujë të Monumentit të Pavarësisë, që do të thotë se do të jetë pak më e mundimshme për dikë që do të dojë të prishë monumentin”, shtoi Veliaj.
Një tjetër lajm i mirë, sipas bashkisë është edhe krijimi i hapësirave të dedikuara në park për ata që dëshirojnë të luajnë me katërputroshët e tyre, por në të njëjtën kohë edhe duke ofruar siguri për të gjithë ata që vizitojnë Parkun Rinia. Ndaj, projekti për rikualifikimin e parkut parashikon edhe një zonë të rrethuar.
“Tirana është sot një qytet me një komunitet kafshëdashësish, që duhen respektuar, dhe duhet të kenë hapësirën e tyre, ndaj këtu do të ketë edhe një hapësirë për katërputroshët e Tiranës. Një pjesë e tyre tashmë e frekuenton parkun, por do jetë një hapësirë e mbrojtur. Për ata që ndoshta, kanë frikë nga kafshët ose nuk janë aq miqësorë me to, do të ketë një gardh ku edhe katërputroshët dhe pronarët e tyre të argëtohen, por edhe një hapësirë që pjesa tjetër të mos ndihet e rrezikuar”, tha Veliaj.
Pas suksesit me ndërtimin e 50 këndeve të lodrave në mandatin e parë, ky numër pritet që të dyfishohet, ndërkohë që është menduar edhe për krijimin hapësirave për më të moshuarit, pohon bashkia.
“Do të kemi një fokus të madh tek fëmijët, që janë pasioni i Bashkisë së Tiranës. Do të kalojmë nga 50 në 100 kënde lodrash, ku dy prej tyre do të jenë këtu, njëra në hyrjen e parkut nga Bulevardi, tjetra në hyrjen e parkut nga “Myslym Shyri”. Do të kemi edhe një hapësirë për të moshuarit. Jam i lumtur që më në fund edhe këndet për të moshuarit janë bërë pjesë e këtij investimi”, tha Veliaj.
Investimi i Bashkisë së Tiranës tek Parku Rinia parashikon krijimin e disa minishesheve, sheshe për fëmijë, labirinthe, park lojërash, lojëra për të moshuar si shah, domino etj.
Është parashikuar ndërtimi i një baseni ujor, që kulmon nga Monumenti i Pavarësisë dhe përfundon në pjesën fundore të parkut, ndërsa rrugicat do të shtrohen me gurë dekorativë. Gjithashtu, është parashikuar vendosja e ndriçimit LED dhe rrjeti i linjave rezervë për internet dhe telefoni, sistemin e vaditjes dhe të drenazhimit, e të zgarave për parkimin e biçikletave.