Një ditë pasi kryeministri Edi Rama vendosi të jetë koordinator politik për veriun e Shqipërisë, ai mblodhi në selinë e PS-së drejtuesit e katër qarqeve të veriut Shkodër, Kukës, Lezhë, Dibër dhe kryebashkiakët e rinj.
Në takim porositë e kryeministrit kanë qenë të qarta, pasi kreu i qeverisë u ka kërkuar që vëmendja kryesore të jetë te konstituimi i këshillave të qarqeve.
Ai ka porositur gjithashtu kryetarët e rinj të bashkive që të bëjnë kujdes me emërimet dhe shkarkimet.
“Asnjë shkarkim i pajustifikuar, çdo lëvizje të motivohet me arsye konkrete. Nuk do të hiqet asnjë nga puna në bashkitë e djathta, vetëm postet politike. Asnjë grua dhe vajzë të mos lëvizet.”
Ditmir Bushati, Lindita Nikolla, Ilir Beqaj e Olta Xhaçka, si dhe deputetët e Shkodrës, Lezhës, Kukësit dhe Dibrës, diskutuan me kryesocialistin organizimin e ri të partisë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Superstruktura pritet t’i prezantohet socialistëve në Asamblenë e 22 korrikut.
Ndërkohë Taulant Balla që është përgjegjës për Tiranën, Elbasanin, Durrësin e Korçën do të ketë një takim në orën 17:00 me drejtuesit politik dhe krybashkiakët e rinj në këto zona.
g.kosovari