Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, Digos, Divizioni Investigativ i Operacioneve Speciale, ka nisur një operacion antiterror në Italinë Veriore, kundër grupeve ekstremiste të krahut të djathtë si dhe ndaj disa ish pjesëmarrësve në luftën e Donbass, në Ukrainë.
Gjatë megaoperacionit që u shtri në qytetet Torino, Milano, Varese, Pavia, Novara dhe Forlì, Digos sekuestroi një arsenal të madh armësh automatike të prodhimit të fundit, materiale propagandistike me mesazhe politike naziste si dhe një raketë tokë-ajër, në gjendje perfekte pune, e përdorur nga Forcat e Amatosura të Katarit.
Divizioni Investigativ i Operacioneve Speciale në Itali, kohët e fundit ka qënë i përqëndruar në grupet ekstreme të krahut të djathtë që orbitojnë përreth Torinos.
Gjatë hetimeve dhe sekuestrimeve të javës së kaluar të kryera nga Digos, janë sekuestruar edhe banderola me mesazhe naziste të Drughi Giovinezza, grupi ultras i Juventusit që punon brenda selisë së Legio Subalpina, si dhe një tjetër banderolë, në shenjë solidariteti ndaj 28 vjeçarit Carlo Fabio, i konsideruar lider i grupit Legio Subalpina, i vënë në pranga për armëmbajtje pa leje dhe i burgosur javën e kaluar.
Si ka lindi hetimi
Hetimi filloi pas vëzhgimit të dy të rinjve pranë grupeve “Forza Nuova” dhe “CasaPound” që shkruanin shkrime me lëvdata ndaj nazizmit në La Spezia. Nëpërmjet kontakteve dhe degëzimeve progresive, hetuesit arritën të identifikonin mercenarët neofashistë.
Operacioni vjen vetëm disa ditë pas dënimet në gjykatë për mercenarët që kanë marrë pjesë në luftën e Donbas.
Drejtësia italiane dënoi me 1 vit e katër muaj, Vladimir Vrbitchi, punëtor moldav, me dy vite e tetë muaj u dënua Olsi Krutani, ish-oficer i vetë-shpallur i forcave ajrore, pjesë e grupeve militare ruse në Ukrainën Lindore dhe italiani, Antonio Cataldo, i cili u dënua me dy vjet e 8 muaj.
Hetimet nisën në vitin 2013 në zonën e Ligurias. Tre të dënuari akuzohen për komplot për të rekrutuar dhe financuar mercenarë luftarakë. Përveç tyre, 15 persona të tjerë janë të dyshuar, tre prej të cilëve në kërkim evropian.
Gjykata arriti në përfundimin se tre burrat ishin mercenarë që morën 300-400 euro ($ 340-450) në muaj për të luftuar përkrah separatistëve që mbajnë pjesë të rajoneve të Luhansk dhe Donetsk të Ukrainës në 2017-18.
Cataldo, Krutani dhe Vrbitchii u arrestuan në Itali vitin e kaluar pasi hetuesit në rajonin veriperëndimor të Ligurias zbuluan një grup që rekrutonin luftëtarë për grupet separatiste në Ukrainën Lindore.
Në prill të vitit 2018, ambasada e Ukrainës në Romë tha se kishte informuar autoritetet italiane se kishte të paktën 30 italianë që luftonin kundër forcave të Kievit. Rreth 13,000 njerëz janë vrarë në Ukrainë që kur konflikti filloi në prill 2014.
g.kosovari