Ish-deputeti demokrat Agron Shehaj ka bërë thirrje për të protestuar ditën e hënë lidhur me rritjen e çmimit të naftës. Sipas ish-deputetit çmimi i naftës në Shqipëri duhet të ishte 150 lekë për litër.
Ai akzuon kryeministrin Rama se justifikohet me argumentin e mbledhjes se fondeve për të blerë dhe ruajtur një sasi karburanti rezervë kombëtare, për raste krizash apo fatkeqësish natyrore.
“Rama nuk ndalet, si në rastin e taksës prej 5 euro të koncesionit të Rrugës së Kombit, taksa e re mbi naftën që do të paguajnë shqiptarët do të kalojë direkt në xhepat e miqve të Ramës.
Skema është e njëjta, qeveria ju merr para shqiptarëve dhe i ndan me oligarkët për shërbime të panevojshëm me vlera të pajustifikuara: 15 mln në vit për koncesionin e Rrugës së Kombit, 12 mln në vit për checkup dhe tani 12 mln euro në vit për rezervat që akoma nuk e dimë se kujt do t’i shkojnë.
Aferat korruptive të kësaj qeverie ndalohen vetëm me protesta, si në rastin e Teatrit dhe të Unazës së Madhe. Prandaj i ftoj të gjithë t’i bashkohen thirrjes për protestë kundër taksave mbi naftën.
Në kushte e kapjes totale të ekonomisë nga Rama dhe miqtë e tij, protesta qytetare është mënyra e vetme për t’a ndalur”, shkruan Shehaj.