Nga Pëllumb Xhufi
Fjala është për atë çështjen e “komisionit ndërkombëtar”, që kryebashkiakja e Shkodrës, zonja Voltana Ademi, e paska shpallur si të vetmin “institucion” legjitim, të cilit ajo mund t’i dorëzojë qeverisjen e qytetit.
Deklarata, me ndonjë përjashtim domethënës, duket se ka kaluar pa u vënë re, përderisa edhe unë vetë, që e mbaj veten për person të informuar, u njoha me të gjatë një bisede mes miqsh, vetëm ndonjë ditë më parë.
Më duhet të them, se veç tronditjes së kuptueshme, fraza e lëshuar hareshëm nga qytetarja e parë e Shkodrës, më dha padashur edhe çelësin për t’u dhënë një kuptim ngjarjeve të muajve të fundit në Shqipëri. Ndaj u ula të bëj komentet e mia në këtë shkrim.
Zakonisht, gjetja e titullit është mundi dhe tortura më e madhe dhe më e fundit që autorët heqin kur hartojnë një artikull apo një libër. Paradoksalisht, mua kësaj radhe ishte titulli që m’u faneps i pari, ende pa e konceptuar. Për meritë të sinqeritetit e të spontanitetit të ish-Kryetares (sacra simplicitas!), titulli më erdhi i gatshëm në formën e një mish-mashi gjuhësor, ca latinisht e ca gjermanisht: “Volta vult velt”, që mund të përkthehet “Voltana do ndërkombëtarët”! Besoj se ky titull është korrekt dhe pasqyron besnikërisht qëndrimin e shprehur botërisht nga Voltana për refuzim të institucioneve shqiptare dhe për bindje ndaj një “komisioni ndërkombëtar”. Mirëpo problemi është se Voltana dhe partia e saj nuk po i kanë mirë punët, kryesisht e pikërisht me ndërkombëtarët.
Këtyre, d.m.th. amerikanëve dhe evropianëve, padyshim jo rusëve dhe serbëve, një ditë u erdhi në majë të hundës, aq sa një ditë u bënë gati ta shpallin si një “organizatë të dhunshme” partinë e Voltanës, që doli në skenën e historisë dhe mbetet sot e kësaj dite si partia e pikëpyetjeve të mëdha. Në rastin konkret, ishte një “ndërkombëtar” i nderuar dhe i ditur, dhe ky s’mund të ishte më mirë se një diplomat Austriak, ai që i ka kujtuar Voltanës dhe “partisë së revolucionit”, se pas deklaratës në dukje të pafajshme të saj, fshihet një projekt politik anakronik që kërkon ta kthejë Shkodrën në vitin 1913. Kurse Shqipërinë, në kohën e “dumbabës” (Kjo shprehje e fundit është e autorit).
Po mundohemi me pak fjalë t’i fusim në kontekstin historik, si deklaratën e Voltanës, ashtu edhe komentin lakonik, por masakrues, që ambasadori Dr. Johann Sattler, i bëri kuturisjes së saj. Pas një rrethimi të ushtrive serbe e malazeze e pas një qëndrese heroike disamujore të popullit të Shkodrës, në 23 prill 1913 qyteti iu dorëzua me tradhëti dhe me para Malit të Zi nga Esat Pashë Toptani. Por malazezët u detyruan të largohen shpejt nga Shkodra nën kërcënimin e Fuqive të Mëdha, të cilat, pasi kishin kënaqur shumë orekse të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi, kishin vendosur tashmë në Londër se të paktën Shkodra do t’i mbetej Shqipërisë.
Qyteti kaloi nën administrimin e përkohshëm të një Komisioni Ndërkombëtar, që përbëhej nga përfaqësues ushtarakë të Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë, Austro-Hungarisë, Gjermanisë e Italisë (e me këtë rast, më bëhet ta pyes plot shqetësim zonjën Ademi e suflerët e saj: a e parashikojnë ata pjesmarrjen e Rusisë, eventualisht edhe të Serbisë, në “komisionin ndërkombëtar” të kërkuar prej tyre?). Voltanës do i ketë treguar gjyshi apo katragjyshi, se në vitin 1913 familja e tyre nuk ka hequr keq. Do e kenë bërë ndonjë punë me ndërkombëtarët, siç e kanë bërë me siguri edhe kur Shkodra ka qenë nën Venedikun, nën Serbinë apo nën Turqinë. Por gjithkush mund ta marrë me mend se ç’ditë të paqme kanë kaluar shkodranët më 1913 nën qeverisjen e një komisioni ndërkombëtar, kur vetëm një vit më vonë shtetet që përfaqësoheshin në të u përleshën me njeri tjetrin në një gjakderdhje deri atëherë të paparë, në Luftën I Botërore.
Gjithsesi, ajo çka qartaz i shpëton njohurive historike të ish-kryebashkiakes së Shkodrës, është se shqiptarët kishin ngritur ndërkohë një qeveri kombëtare dhe për Kryetarin e saj, Ismail Qemalin, bashkimi i Shkodrës e i Malësisë me qeverinë e Vlorës kishte rëndësi jetike për fatin e Shqipërisë Për këtë qëllim dërgoi në Shkodër bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Luigj Gurakuqin. Në gusht 1913 ky mori takime me popullin e asaj ane, dhe në një letër për Ismail Qemalin raporton plot gëzim se populli i Maleve, i Fushave dhe i vetë qytetit të Shkodrës kishte pritur me gëzim e entuziazëm propozimin për ta futur krahinën e tyre nën administrimin e qeverisë kombëtare. Por, nuk ishin të këtij mendimi disa nga antarët e “parisë” së qytetit të Shkodrës.
Këta e refuzuan propozimin e Ismail Qemalit për bashkimin e Shkodrës me qeverinë e tij, duke i dërguar përgjigjen e mëposhtme: “Ne kemi Komisionin Ndërkombëtar, dhe ky na mjafton”! Me këto terma, më 24 tetor 1913, përfaqsuesi i Francës në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, Krajevski, ia përcjell plot gëzim Parisit lajmin e refuzimit të parisë shkodrane për të njohur qeverinë kombëtare të Ismail Qemalit. Sipas tij, bashkimi i Shkodrës me qeverinë kombëtare të Ismail Qemalit ishte një projekt i këtij të fundit i mbështetur nga Austro-Hungaria, rivali kryesor i Francës e i Rusisë, dy shtete që bashkë ne Francën, mbështesnin fort interesat e Serbisë e të Malit të Zi. Në këtë pikë përfundon historia e “parisë” së Shkodrës e vitit 1913, dhe fillon historia tashmë e njohur e Voltanës dhe e “parisë” së Shkodrës së vitit 2019.
Ndaj edhe ne po e lemë Voltanën dhe po i kthehemi anës pozitive të kësaj historie, duke i shprehur gjithë admirimin tonë Ambasadorit të Austrisë, z. Sattler, i cili me shumë takt diplomatik u kufizua t’i kujtojë zonjës Voltana Ademi dhe gjithë koncertit antishtet e antishqiptar të kësaj vere të vitit 2019, se ideja e një “administrimi ndërkombëtar” të Shkodrës është sot anakronike. Ne të tjerëve na lejohet të dalim jashtë retorikës diplomatike e të shtojmë, se kjo ide është edhe thellësisht antikombëtare. Ajo është antipodi i projektit të madh të Rilindasve tanë, që e donin Shqipërinë një shtet të pavarur, unitar e evropian. Me dijen apo padijen e saj, Voltana Ademi u rreshtua me ithtarët e “Shqipërive dumbabiste”: me Esat Pashë Toptanin për të cilin atdheu njësohej me principatën e të Shqipërisë së Mesme, të cilën ai luftoi ta realizojë me para dhe me ushtarë të Beogradit; me ata dinjitarë të Dibrës, që më 1915 pranuan të qeverisin krahinën e tyre si argatë të paguar të Serbisë; me ata krerë të Mirditës, që kundër vullnetit të popullit të tyre, në 1921 tentuan të themelojnë “Republikën e Mirditës”, të ideuar, financuar e sponsorizuar gjithashtu nga Beogradi; me ata pashallarë, klerikë e tregtarë të Korçës, Gjirokastrës e Përmetit, që u bashkuan me projektin e rrezikshëm antikombëtar të “Republikës autonome të Vorio Epirit”, të projektuar e të sponsorizuar me paratë dhe me ushtarët e Athinës. Do të përfshija në modelin, të cilit i referohet zonja Voltana Ademi, edhe “Republikën e Maleve”, që një grup ish-jerarkësh e bashkëpunëtorë të nazifashizmit të parashutuar nga jashtë, u munduan të krijojnë pas çlirimit, si gjithnjë: me paratë e me sponsorizimin e agjencive serbe e greke të zbulimit.