Të gjithë procedurat që po ndjek mazhoranca për shkarkimin e presidentit Meta, PD-ja i ka cilësuar si një telenovelë që po bëhet vetëm për të shmangur vëmendjen nga “e vërteta”.
Është sekretari i Përgjithshëm, Gazmet Bardhi i cili në një reagim për mediat, i ka dalë në mbrojtje kreut të shtetit, duke thënë se Meta ka mbrojtur vetëm Kushtetutën. Ai shkruan se Rama dhe qeveria e tij po bën gjithçka që të bëjë qytetarët që të humbasin vëmendjen nga përgjimet, nga braktisja që i bën në 30 qershor apo korrupsionet.
Ky reagim vjen pak orë pasi u zgjodh deputetja Klotilda Bushka sekretare e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës dhe Hysenin e Valterin bashkërelatorë.
Reagimi i plotë
“Shkarkimi” i presidentit, telenovela verore e Ramës për të zhurmuar vjedhjet dhe refuzimin e 85% të shqiptarëve. Për të mbuluar vjedhjen e shqiptarëve, vjedhjen e votës, vjedhjen e taksave, vjedhjen e pasurive, Edi Rama ka nisur shfaqjen për herë te parë te telenovelës “Parlamenti i krimit kundër Presidentit”, ku vetë është regjisor, vetë skenarist, vetë producent, vete aktor.
Edi Rama e ka të qartë se telenovela me shkarkim presidenti është vetëm një sajesë vere dhe abuzim me fondet publike. Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje, por ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese për t’u garantuar qytetarëve të drejtën për të zgjedhur në një sistem demokratik dhe pluralist. Duke shfaqur telenovelën bajate, me aktorë kryesorë personazhet e dosjeve 184 dhe 339 të blerjes së zgjedhjeve me krimin, Edi Rama do që të mos flitet për krimet e tij ndaj shqiptarëve.
Do qe të mos flitet për tarifen e re për karburantin; Do qe të mos flitet për koncesionin e ri 250 milionë euro të Milot Balldre; Do që të mos flitet për mungesën nga korrupsioni të rreth 60 milionë eurove në 6 muaj nga doganat dhe tatimet; Do që të mos flitet për borxhin e lartë publik, të fshehur tek PPP-të; Do që të mos flitet për kapjen e drejtësisë; Do që të mos flitet për lidhjet e tij direkte me krimin e organizuar; Do që të mos flitet për dështimin e tij në hapjen e negociatave me Bashkimin Europian; dhe, mbi të gjitha, Do që të mos flitet për refuzimin plebishitar, që 85% e shqiptarëve i bënë regjimit të tij, për ndryshimin që duan shqiptarët. Me apo pa telenovelën e verës së Edi Ramës, shkelësit më të madh të Kushtetutës, sot një gjë është e qartë: Vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik. Ndersa votimet moniste të 30 Qershorit, siç shprehet edhe OSBE/ODIHR, u mbajtën pa e marrë fare në konsideratë interesin e qytetareve.