Kryeministri Edi Rama tha se mazhoranca ndjehet e keqardhur dhe e neveritur që e zgjodhi Ilir Metën President.
Kreu i qeverisë tha se Meta duhet ndalur për vetë dëmin që i ka bërë kushtetutës dhe demokracisë.
“Ne jemi të ndaluar ta përdorim kryetarin e shtetit si një gogozhel për të trembur zgjedhësit e pakënaqur ndaj nesh dhe jemi të detyruar ta ndalojmë Metën të gabojë më tej. Se dinjiteti i këtij shteti është më i rëndësishëm se çdo kalkulim elektorale, Ilir meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky kuvend dhe reagimi jonë si deputetë duhet të jetë frontal, ne emër të kushtetutës, demokracisë dhe dinjitetit të shtetit shqiptar. Duhet të na bashkojë një emërues pavarësisht cdo interesi politik që natyrshëm na ndan. Meta nuk është më thjesht kundërshtar i qeverisë, është armiku i hapur i kushtetutës. Është armiku i deklaruar i parlamentit. Nuk është më politikani i frikësuar deri në palcë nga reforma në drejtësi, është vetë shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia”, tha shefi i mazhorancës.