Në rrjetin rrugor shqiptar janë të paktën 9 pika të zeza të identifikuara si nyjet ku është regjistruar numri më i lartë i aksidenteve me vdekje.
“Një pjesë e rrugëve janë rregulluar por prapë kemi pika të zeza në të cilat duhen urgjent ndërhyrja e organeve kompetente. Pikat e zeza janë të disata në vendin tonë në të gjithë territorin e vendit.
Do veçoj autostradën Tiranë- Durrës, dhe pikërisht duke filluar segmenti rrugor nga Vora në drejtim të Durrësit, që është në tërësi një pikë e zezë, rrethrrotullimin e TEG-ut, rrugën nga Kamza deri në Fushë Krujë dhe nga Miloti deri Lezhë, ku ka shumë aksidente të regjistruara, duke filluar nga Durrësi kemi unazën e Durrësit, kemi aksin rrugor Rrogozhinë-Lushnje, kryqëzimi i pushimit të shoferit, kryqëzimi i Maliqit.
Kemi edhe kryqëzimin e Plasës që lidh Devollin me Korçën që kërkojnë ndërhyrje urgjente“, thotë eksperti rrugor Fisnik Ziçishti.
Sipas ekspertëve, sinjalistika dhe daljet në rrugë janë ato që kërkojnë ndërhyrje urgjente.
“Problematika është për tre faktorë; faktori njeri, automjet dhe rrugë. Ka edhe kryqëzime të shumta që dalin në mbikalime, sapo kalon Sukthin që nga rruga dytësore ka dalje në autostrada, drejtueist e mjetit nuk mbajnë distancën mes njëri-tjetrit, ecin me shpejtësi”.
Vetëm në Qendrën Kombëtare të Urgjencës, nga Janari deri në Qershor janë regjistruar afro dy mijë thirrje vetëm për aksidente.
“Sot që flasim kemi 10 -15 aksidente në ditë, për fatin e mirë jo të gjitha me kode të zinj, me vdekje në vendngjarje, por po i shohim që na ndodhin. Tirana po na krijon probleme me këmbësorët”, thotë Skënder Brataj, drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës.
Referuar të dhënave të INSTAT, nga Janari deri tani numërohen mbi 800 persona të aksidentuar. Afro 15 prej tyre humbin jetën gjatë një muaji, shkruan Klan.