Bashkia e Tiranës thotë ka nisur puna për të mundësuar furnizimin 24 orë me ujë. Në takimin e BERZH të zhvilluar në Londër kryebashkiaku Veliaj tha se investimet kanë nisur në Bovillë dhe në rrjetin e kanalizimeve.
“Si klientë të BERZH-it që financohemi për rrjetin tonë të ujit, jam shumë i lumtur që brenda këtij mandati zgjidhëm të gjithë problematikën që kishim me rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza, me kreditorët tanë japonezë rifillojmë së shpejti aty, kurse me kreditorët tanë të BERZH po bëjmë dyfishimin e impiantit të Bovillës dhe dyfishimin e furnizimit të ujit në Tiranë. Kaluam në mandatin e parë nga 6 orë në 14 orë; ka ardhur koha që nga 14 orë në 24 orë dhe besoj që me financimet dhe investimet që po bëjmë, ditët më të mira edhe për ujin në Tiranë, i kemi përpara” – tha sot Erion Veliaj.
Në takimin për “Qytetet e Gjelbra” të organizuar nga BERZH janë vlerësuar iniciativat e ndërmarra në kryeqytetin shqiptar për mbjelljen e pemëve dhe krijimi i një rrjeti minimal i biçikletave.