Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vijon kontrollet rigoroze për të siguruar një sezon turistik të shëndetshëm e të qetë.
Në një njoftim për shtyp, AKU bën të ditur se, “Drejtoria Rajonale e AKU Shkodër nga kontrollet që ka ushtruar në thertore e dyqanet e mishit, për shkeljet e konstatuara ka vendosur 2 gjoba me vlerë 190 mijë lekë si dhe bllokoi dhjetra kilogram mish të pasigurt për konsum”.
Nga kontrolli i kryer në subjektin “Gëzim Gjorreta”, Bërdicë, Shkodër, inspektim i kryer në kushtet e flagrancës, u konstatua se subjekti ishte i pajisur me “NIPT” për tregtim të artikujve të ndryshëm ushqimor, por në kundërshtim me ligjin ushtronte aktivitetin e tregtimit të mishit, i pa regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe pa miratim nga AKU. Gjithashtu gjatë kontrollit u konstatua një sasi mishi i varur në çengela të ndryshkur, pa vulë dhe pa çertifikatë veterinare, çka përbën shkelje të kërkesave ligjore.
Për shkeljet e konstatuara AKU mori masat e mëposhtme: Gjobë 140,000 lekë për tregtim të mishit nga subjekt i paregjistruar, Gjobë 50,000 lekë për mosplotësimin e kushteve për tregtimin e mishit, U bë bllokimi i menjëhershëm i aktivitetit deri në regjistrimin në QKB si dhe u bë bllokimi i produktit të konsideruar i pasigurt për konsum me qëllim asgjësimin.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se, do të vijojë kontrollet rigoroze, për të garantuar zbatimin e ligjit dhe për të shmangur çdo praktikë mashtruese në dëm të konsumatorëve nga të gjithë Operatorët e Biznesit që tregtojnë produkte ushqimore me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik veror./l.m