Brazili mposhti Argjentinën me rezultatin 2-0 në Belo Horizonte, duke siguruar kalimin në finalen e Copa Amerika, kompeticion të cilin këtë herë e organizon në shtëpi.
Pjesa e parë pati një ritëm të jashtëzakonshëm dhe dyluftime mjaft të ashpra në mesin e fushës, me brazilianët që ishin disi më të qartë në lojën e tyre.
Sfida u zhbllokua në minutën e 26′, kur kapiteni brazilian Dani Alves fitoi një duel ajror, dribloi një kundërshtar dhe nisi në të djathtë Firminhon, ndërsa ky i fundit gjeti saktë në qendër Gabriel Jesus, i cili gjuajti dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Armanit.
Argjentina tentoi të reagojë menjëherë dhe shkëndijën e parë e dha Paredes me një predhë të lëshuar nga një distancë e konsiderueshme, por topi kaloi pak mbi kuadratin e Alisson.
Pak minuta më vonë, nga zhvillimet e një goditjeje të lirë, të ekzekutuar nga Messi, ishte Aguero që lëshoi një parabolë me kokë, por topi i goditur prej tij u përplas në traversën e portës së Alisson.
45-minutëshi i dytë nisi me një Argjentinë të tjetërsuar, që kontrollonte lojën dhe zbriste vazhdimisht rrezikshëm, duke kërcënuar portën e Alisson fillimisht me Lautaton dhe më pas me De Paul.
Presioni i “albicelestëvw” erdhi në rritje, teksa Lionel Messi “flirtoi” dy herë me barazimin, por një herë shtylla dhe një herë Alisson ia mohuan festën kapitenit të argjentinasve.
Nga ana tjetër Brazili mundohej të ulte ritmin e lojës dhe të kundërsulmonte, teksa në një zbritje të shpejtë, Gabriel Jesus bëri gjithçka mirë dhe shërbeu për Firminhon, i cili me portën e boshatisur, shënoi edhe golin e sigurisë.
Minutat e mbetura u karakterizuan nga një tension i lartë dhe përpjekje të dëshpëruara të argjentinasve për të rihapur takimin, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale.
Dështon sërish Lionel Messi, që të prishë “mallkimin” me kombëtaren argjentinase, e cila edhe këtë herë nuk arriti t’i shkojë deri në fund Kupës së Amerikës, ndërsa “pleshti” arriti të shënojë vetëm një gol me 11-metërsh.
g.kosovari