Politikanët shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri angazhohen për bashkëpunim, por në praktikë palët janë ende larg. Një ndër mungesat është dhe lidhja me hekurudhë për të cilën kryeministri Ramush Haradinaj deklaron se linja është e ngritur me Serbinë, por jo më Shqipërinë. Ndaj ai ka kërkuar nisjen e punimeve duke e parë me interes një linjë Prishtinë-Durrës.
Në Kosovë filluan punimet për rehabilitimin e fazës së parë të linjës së 10-të hekurudhore Prishtinë-Hani i Elezit.
Ky projekt u cilësua i një rëndësi të veçantë pasi e lidh Kosovën me shtetet e rajonit.
I pranishëm në ceremoni, kryeministri Ramush Haradinaj, e quajti infrastrukturën parakusht për zhvillimin ekonomik dhe gjithashtu kërkoi ndërtimin e linjave të veçanta hekurudhore që e lidhin Kosovën me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Kosova mund të mburret për infrastrukturën rrugore, por ngecim në infrastrukturën hekurudhore. Ka qenë e domosdoshëm rehabilitimi i kësaj linje. Një aspekt që na sfidon është infrastruktura energjetike dhe infrastruktura ujore. Kosovës do t’i duhej të ketë rezerva të ujit, siç ishte rasti i Gjilanit. Sot po niset rikthimi i linjës hekurudhore për në Han të Elezit. Ne kemi linje hekurudhore me Serbinë dhe Maqedoninë, por jo me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Është me interes që të ketë një linjë Prishtinë-Durrës. Ne na mungon po ashtu dhe infrastruktura e gazit natyror”, tha kryeministri Haradinaj.
Linja hekurudhore Prishtinë-Hani i Elezit 150 kilometra e gjatë dhe merr rëndësi pasi lidh vendet e rajonit dhe shton kapacitetin transportues të mallrave.
Ai paraqet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore që realizohet me mbështetjen e Bashkës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe BE-së.