Fotografitë e vendosura në muret e gjimnazit “Sami Frashëri” janë të gjimnazistëve të maturave të shkuara që janë larguar nga Shqipëria. Këtyre tabelave do ju bashkohen edhe fotografitë e maturantëve të këtij viti që do të studiojnë në Gjermani.
Korin Mima, për 3 vite ka ndjekur mësimin në gjuhën gjermane, pasi u bë pjesë e projektit shqiptaro-gjerman si një nga nxënëset më të mira.
“Kjo është klasa ime ku kam studiuar për 3 vite dhe do më marrë malli. Ku kemi studiuar gjermanisht të gjitha lëndët e tjera”, tha Korin.
Me vullnetin e palëkundur për të mësuar që në vogëli, ajo ndihet gati për të shkuar drejt Gjermanisë pas përfundimit tashmë të maturës. Shkenca komunikimi dhe mediatike është zgjedhja e Korinit, degë e cila do i kushtojë 300 euro semestri por që për të është privilegj të studiojë në një universitet të njohur me këtë tarifë. Kjo është vetëm një nga arsyet pse do të largohet nga Shqipëria.
“Si fillim investimi i madh që kam kryer që në klasë të gjashtë, një punë e palodhshme për të qëndruar në klasat e gjermanishtes, që dihet që kanë qenë më të vështira. Gjithashtu mendoj se në Gjermani ka një cilësi më të lartë të arsimit. Është një vend i mundësive, sepse promovon degë të ndryshme. Rreth 14 mijë degë për bachelor dhe master. Po Gjermania ka bursa shumë, edhe bursa për mensën, për konviktin. Kur kam dëgjuar për bursën e mensës kam qenë kështu e habitur.. ekziston një bursë që ti të hash falas”, shprehet maturantja.
Në të njëjtën klasë me Korinin ka qenë dhe Albi, që po ashtu do të largohet në Gjermani. Kështu, Universiteti i Mjekësisë do të ketë një student ekselent më pak.
“Që i vogël kam dashur të studioj mjekësi në Shqipëri por duke u rritur kam parë kushtet dhe çfarë ofron vendi ynë. Si pasojë e kësaj kam vendosur të largohem për një karrierë më të mirë”, thotë Sinkron Albion Qerimi, maturant.
Por shpresa ekziston ende. Të dy të rinjtë duan të kthehen në vendin e lindjes pas mbarimit të studimeve të larta.
“Kam shumë dëshirë të kthehem. E di pse dua? Sepse e para vdes të flas e të punoj në gjuhën shqipe. Si dhe mendoj se Shqipëria ka nevojë për forcën intelektuale të njerëzve, ndërsa Gjermania e ka”, thotë ai.