Komisarët e pistës së Spielberg, në Austri, kanë penalizuar me 3 pozicione në startin e garës pilotin britanik të Mercedes, Lewis Hamilton. Ai u klasifikua i dyti, pas Charles Leclerc (Ferrari), por kampioni i botës në fuqi do ta nisë garën nga vendi i pestë.
Gjatë provave zyrtare, britaniku ka bërë një manovër të gabuar, duke i zënë rrugën Kimi Raikkonen (Alfa Romeo), që në atë moment ishte në një xhiro të shpejtë (finlandezi u rendit i shtati). Për atë veprim të gabuar të Hamilton, që edhe doli edhe nga pista, Raikkonen reagoi duke i nxjerrë gishtin e mesit.
Ndërsa komisarët e pistës, pasi kanë parë pamjet televizive dhe kanë dëgjuar versionin e Hamilton, kanë vendosur ta penalizojnë me 3 pozicione pilotin e Mercedes në startin e garës (e diel, ora 15:10).
Nga ky penalitet i Hamilton përfiton Max Verstappen, që do ta nisë garën nga vendi i dytë (vija e parë e startit). Gjithashtu përfitojnë edhe Bottas e Magnussen, që tashmë ndodhen në vijën e dytë të startit të garës.