Partia Socialiste e Lezhës akuzon bashkinë, që drejtohet nga Fran Frrokaj, i zgjedhur nga PD-ja për presion ndaj bizneseve për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Dega e PS-së përmes kreut të shtabit Ernest Rakaj paralajmëron padi penale për këdo që bën presion te votuesit.
“Bashkia në ikje e Lezhës me sejmenët e vet të taksave sot është lëshuar në biznese, duke bërë presione për të mos marrë pjesë me votime. Gjuha e shëmtuar e përdorur, duke i kërcënuar me penalitete është akti i fundit i një grupi punonjësish shtetërorë që përveçse nuk kanë bërë një lek punë për 4 vite, por shkelin ligjin elektoral.
Ju bëjmë thirrje bizneseve që të shpërfillin çdo akt paligjshmërie dhe të jenë të qetë se ditët e tyre kanë mbaruar. Ne po ndjekim me qetësi situatën dhe jemi në kontakt me çdo problem dhe tentativë. Jemi të vendosur për ruajtjen e standardeve të larta të procesit të votimit, dhe denoncimin e çdo personi që tenton të prekë procesin” thuhet në reagim
/a.r