Shefja e misionit të OSBE/ODHIR, Audrey Glover do të vizitojë nesër një qendër votimi në Tiranë.
Siç njoftohet, Glover nesër në orën 10:45 do të vizitojë një vendvotim në Shkollën “Vasil Shanto” – KZAZ nr. 35.
Glover është rikthyer në krye të misionit të monitorimit për zgjedhjet e nxehta lokale të 30 qershorit.
Historia e Audrey Glover me Shqipëri ka nisur qysh herët. Atëhere kur Shqipëria ishte një territor ku ligji dhe partitokracia vegjetonin në formën më të dhunshme. Për herë të parë ambasadorja Glover erdhi në vendin tonë në zgjedhjet më të vështira të historisë së pluralizmit shqiptar, ato të 26 majit të vitit 1996, ku në fund ajo firmosi një raport që i cilësonte zgjedhjet, si jo të lira dhe të ndershme. Ka qenë një vendim që do ta vendoste prej atij momenti, në kurs përplasjeje me presidentin e kohës Sali Berisha. Ishte vendimi më drastik që një mision vëzhguesish ndërkombëtarë kishin marrë për zgjedhjet tona. Në atë kohë dhe raporti u cilësua nga PD-ja që ishte në pushtet si jo realist, por kjo nuk pengoi që në vijim të atij dokumenti, zgjedhjet të dënoheshin gjerësisht nga organizmat ndërkombëtare. Zonja Glover kishte prekur me dorë nervin e zbuluar të shtetit të Sali Berishës.
Raporti final për i vëzhguesve të ODIHR ishte dërrmues. Ata deklaruan se zgjedhjet janë kompromentuar, nuk ka pasur asnjë rregull zgjedhor që nuk është shkelur. Konkluzioni i vëzhguesve ishte më shumë se i ashpër, pasi gjatë votimit ishin shkelur 32 nga 79 nenet e ligjit zgjedhor.
Ishte kjo përplasja e atyre viteve që provokoi një reaksion të fortë tek PD, ndaj rikthimit të Glover në krye të misionit të rradhës në misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit 2009.
ODIHR në vitin 2009 do të deklaronte se qeveria e kohës kishte kundërshtuar caktimin e ambasadores Audrey Glover si kryesuese e misionit vëzhgues ndërkombëtar, pasi gjetjet e saj për zgjedhjet e vitit 1996 hasën kundërshti nga qeveria e asaj kohe.
Por nuk mbaronte me kaq. Glover dhe zgjedhjet shqiptare ishin të destinuara të krijonin një binom fatal. Ambasadorja Glover do të rikthehej për një herë të tretë në Shqipëri, me rastin e zgjedhjeve lokale të vitit 2015. Bashkë me 250 vëzhgues ndërkombëtarë, ajo pa nga afër procesin zgjedhor të rradhës, në një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo që mbante mend./l.m