Pas sulmesh të ndërsjellta me sanksione që çuan në një pikë kritike luftën tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, dy superfuqitë ekonomike vendosin paqe. Samiti i G20 që po mbahet në Japoni ishte një mundësi e artë për Presidentët Donald Trump dhe Xi Jinping të rinisin bisedimet tregtare.
“Patëm një takim të shkëlqyer. Do të vijojmë bisedimet. I premtova Presidentit Xi Jinping se të paktën për momentin nuk do të vendosim tarifa. Do të vijojmë të punojmë me Kinën aty ku e kishim lënë”.
Nga ana tjetër, Presidenti kinez u shpreh për mediat vendase i kënaqur që dialogu zuri vendin e përplasjes mes dy vendeve.
Washingtoni kishte përgatitur një paketë të re tarifash prej 350 miliardë Dollarësh ndaj Pekinit. Një shumë kolosale që do t’i shtohej 450 miliardëve që janë vendosur deri tani.
Lufta tregtare SHBA – Kinë ka sjellë pasoja në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik global./l.m