Politikani dhe kritiku i njohur italian Vittorio Sgarbi i ka dhënë një goditje të fortë deputetes së Berlusconit, Mara Carfagna, ish-modele, mbi deklaratat e saj për krizën në Shqipëri, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të BE dhe Italisë, deklaratë e cila u përqafua fort nga opozita për të mbrojtur kauzën e saj. Për atë deklaratë, Sgarbi thotë se Carfagna, jo vetëm që nuk njeh situatën politike në Shqipëri, por edhe është keqinformuar.
“Nëse ajo do kishte një të dhjetën e aftësive politike dhe qeveritare të Edi Ramës, do të shmangte gafat e bazuara në informacionet e gabuara. Unë nuk e di nëse ajo ka qenë ndonjëherë në Shqipëri, por unë që kam qenë në raste të shumta me qeverinë e Sali Berishës, Fatos Nanos dhe Edi Ramas, nuk mund ta kuptoj se si mund të pezullohen zgjedhjet lokale demokratike, njësoj si të ndodhte në Itali me urdhër të Presidentit“, deklaron Sgarbi.
Sipas tij, shpërthimi i një partie politike të papërfaqësuar në Kuvend, të cilën Carfagna e prezanton si një kërkesë për barazi përmes akuzave arbitrare dhe demonstrimeve të organizuara në rrugë kundër qeverisë së Ramës, është një armë e ngjashme me atë që Forza Nuova ose Casa Pound mund të përdornin kundër një qeverie të zgjedhur.
“Nuk kuptohet pse Bashkimi Europian dhe Italia duhet të ndërhyjnë për alarmin e pakuptimtë të atyre që duke kandiduar për të drejtuar një parti, injorojnë raportet e konsoliduara të miqësisë mes Edi Ramës dhe Silvio Berlusconit, si dhe vizitat institucionale të Ramës në kohë të vështira për qeverinë e tij”, vëren politikani i njohur italian.
Sgarbi përfundon se nëse Carfagna kishte një të dhjetën e kapacitetit politik dhe qeveritar të Edi Ramës, do të shmangte gafat në bazë të informacioneve të këqija dhe burimeve alarmante, që përpiqen të mundin kryeministrin me skenarë të mjerueshëm, që do të mohohen pikërisht nga vota e gjerë në zgjedhjet lokale.
Deputetja Mara Carfagna, në një njoftim në faqen e saj në Facebook deklaroi se “Forza Italia” ka ndërmarrë një mocion për debat parlamentar lidhur me krizën e rëndë politike në Shqipëri dhe pasojat që mund të ketë ajo, jo vetëm për bizneset italiane të pranishme në vendin përtej Adriatikut, por edhe për frikën e një valë të re refugjatësh që mund të shkojnë nga Shqipëria drejt Italisë./realnews.al
g.kosovari
Bravo Sgarbi