Vera 2019 zyrtarisht ka nisur. Të shumtë janë ata që kanë planifikuar herët ditët e nxehta të këtij sezoni dhe zgjedhjet janë të ndryshme. Tendenca kryesore vijon të jetë Turqia dhe Greqia. Këtë vit, operatorët e tregut pohojnë se Greqia dhe Korfuzi ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve, kjo sepse duke nisur nga 1 janari 2018, të gjitha destinacionet greke kanë aplikuar taksa qëndrimi në hotele, të cilat arrijnë në 4 euro për net qëndrimi, në rastin e hoteleve me 5 yje.
Agjencitë raportojnë se ndërkohë, Turqia ka shtuar më shumë ofertat, duke iu përshtatur buxheteve të ndryshme. Operatorë të ndryshëm turistikë pohojnë se ka gjithnjë zgjedhje ekonomike për ata që nuk u volit një pushim i shtrenjtë, me alternativa rajonale dhe kryesisht udhëtime me autobus. Por, më të preferuarat vijojnë të mbeten ato pushime që mund t’i quajmë “me duar në xhepa”, sidomos për familjet. Shqiptarëve, çdo vit e më tepër, po u pëlqejnë pushimet gjithëpërfshirëse, sidomos n.q.s. do të udhëtojnë me familjen. Për shqiptarët, nuk do të jenë jashtë vëmendjes edhe destinacionet “ekzotike” që pëlqehen më shumë nga çiftet e reja për muaj mjalti. Një paketë e tillë e kalon çmimin e 1000 eurove për person.
Spanja dhe Portugalia veçohen nga drejtuesit e agjencive, duke qenë se janë kthyer në një trend në mesin e destinacioneve europiane. Megjithatë, të dyja këto destinacione pëlqehen më tepër nga çiftet e reja apo grupe shoqërore, duke qenë se janë udhëtime të cilat bëhen vetëm përmes tranzitit.
Të rinjve shqiptarë u volit kjo zgjedhje, sidomos nga Aeroporti i Shkupit, ku çmimet janë joshëse. Në panoramën e verës 2019 nuk lëmë pa përmendur edhe destinacionet ekzotike, për të cilat agjencitë turistike raportojnë një rritje në numër, që thuajse është shndërruar në zgjedhjen numër 1 të çifteve të sapomartuara. Megjithatë, destinacionet ekzotike si Ishujt Maldive, Dubai, Tajlanda etj., janë zgjedhje edhe të muajve të ndryshëm të vitit, duke marrë në konsideratë motin gjithnjë të favorshëm dhe shpeshherë, leverdi në çmim në muajt e dimrit.
Paketat ekonomike
Ka oferta ekonomike edhe për buxhete që nuk arrijnë dot destinacione ekzotike. Nga Agjencia turistike Matias Travel thonë se shumë të rinj por edhe familje me fëmijë të rritur kanë zgjedhur këtë vit të pushojnë në fqinjët tanë grekë. Përkatësisht bëhet fjalë për udhëtimin Parga – Preveza, në konceptin all inclusive, e cila për 4 ditë nis nga një çmim vetëm 119 euro/personi; 5 ditë nga 149 euro/personi, 8 ditë nga 229/personi. Këto janë çmimet e paketave të zgjedhura për muajin qershor dhe korrik, ndërsa në gusht, çmimet priren që të rriten disi.
Koncepti i një pakete të tillë, që preferohet shumë këtë vit, përfshin fjetje All Inclusive në hotel, mëngjese, dreka, darka dhe pije dhe transportin me autobus.
Politika shton pasiguritë
Agjencitë turistike në Tiranë, por edhe në Durrës, thonë se gjendja kaotike politike dhe pasiguritë e lindura prej saj, kanë ndikuar në një stepje të shqiptarëve për të prenotuar. Ata pohojnë se amullia e krijuar nga zhvillimi ose jo i zgjedhjeve vendore më datë 30 prill kanë frenuar një pjesë të prenotimeve të zakonshme që kryheshin në qershor. Madje, burime nga agjenci të ndryshme pohojnë se pasiguritë ndikojnë edhe në prenotime të mëvonshme, duke mos pasur një garanci për datën e zhvillimit të zgjedhjeve, për një pjesë të mirë të punonjësve të administratave apo individë të caktuar të angazhuar në fushën politike.
Greqia dhe Turqia, zgjedhjet kryesore
Edhe këtë vit, e njëjta panoramë, për pushime shqiptarët zgjedhin kryesisht fqinjët grekë dhe ‘vëllezërit’ turq. Greqia zgjidhet për destinacionet e lira, aksesin e shpejtë dhe të afërt dhe sidomos, nga të pasionuarit e aventurës në ishuj të ndryshëm. Turqia vijon të pëlqehet për komoditetin e chart-erave të linjës direkte dhe resortet ‘all inclusive’
Drejtuesit e agjencisë Union Travel thonë se destinacionet më të pëlqyera në Greqi janë: Korfuzi, Halkidhikia e Parga. Afërsia dhe mundësia e arritjes së këtij destinacioni edhe me automjete private e bëjnë më të frekuentuar dhe të prekshëm nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë.
Ofertat për këtë destinacion janë për hotelet me katër e pesë yje, për 5 apo 10 ditë qëndrim. Alternativë tjetër janë pushime në Korfuz, duke filluar nga 320 euro për person në hotele me 4 yje; në Halkidiki, duke filluar nga 220 euro për person, sipas Union Travel, të cilat janë destinacione të preferuara ndër vite.
Në Turqi, tre janë destinacionet që kërkohen për shkak të ofertave të shumta: Antalya, Bodrum dhe Alanya. Nga Union Travel bëjnë të ditur se çmimet fillojnë me 550 euro/personi dhe arrijnë deri në 1000 euro në disa resorte më të kripura. Shqiptarët në Turqi preferojnë të prenotojnë në resorte me katër e pesë yje dhe me shërbime all apo edhe ultra all inclusive. Antalia është destinacioni kryesor, duke u ndjekur nga Kemeri, Bodrumi e Alania. Koha e qëndrimit llogaritet mesatarisht nga 7 net.
“Për prenotimet e kësaj periudhe, në Kemer ka pasur oferta hotelesh që kanë zbatuar deri edhe në 60% ulje të çmimeve. Një paketë për qëndrim në hotel me pesë yje, për 7 ditë, është ofruar me një çmim prej 400 euro/personi, në një kohë kur vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, kjo shifër ishte rreh 600 euro/person”, thonë drejtuesit e agjencisë ATHS.
Egjipti, kërkesa në rritje
Kur vjen sezoni i pushimeve, të gjithë mendojnë të zgjedhin një vend me disa karakteristika të veçanta dhe Egjipti përmbush këtë tipar. Sipas drejtuesve të Kalemi Travel, duke qenë se periudha e trazirave që e kishte penalizuar këtë vend ka kaluar, shqiptarët po i kthehen sërish Egjiptit.
Agjenci të ndryshme ofrojnë paketa për resorte, kryesisht me pesë yje e me çmime që nisin nga rreth 550 euro për person.
Sipas raportit të fundit të Këshillit Botëror të Turizmit (WTTC) për 2018, autoritetet shpresojnë që të rikthehen në nivelet rekord të fluksit të turistëve të vitit 2010.
Egjipti pëlqehet për shumëllojshmërinë e aktiviteteve që mund të kenë atje: Deti i Kuq, barriera koralore, burime natyrore, plazhe pa fund, por edhe piramidat. Sharm El-Sheikh është një nga destinacionet më të kërkuara. Pjesa më e madhe e ofertave janë all inclusive dhe për muajin qershor, çmimet variojnë në 499 euro / 9 net, në korrik shkon në 850 euro.
Destinacionet ekzotike
Maldivet, Dubai, Tajlanda në fakt janë destinacionet që kërkohen më shumë këtë periudhë, veçanërisht nga çiftet e reja, që duan të kenë një muaj mjalti të paharruar. Ata që iu drejtohen agjencive turistike për destinacionet ekzotike janë padyshim të rinjtë, veçanërisht të sapomartuarit, që dëshirojnë një muaj mjalti të paharrueshëm. Natyrisht këto janë paketa të personalizuara që agjencitë i përshtatin në bazë të kërkesave të klientëve.
Agjencitë turistike thonë se destinacionet ekzotike bëjnë pjesë te paketat individuale, tek ato që përshtaten sipas preferencave, pasi një nga problemet kryesore mbeten vizat. Union Travel ofron paketa të personalizuara, për destinacione si: Male (Bandos Island Resort) duke filluar nga 1,970 euro për person apo edhe Fun Island Resort. Biletat e udhëtimeve drejt këtyre destinacioneve kushtojnë shtrenjtë dhe shpesh duhet të bëhen me kalime tranzit.
Drejtuesit e agjencisë ATHS thonë se ndër destinacionet që preferohen nga të rinjtë është edhe Dubai, me nisje nga Aeroporti i Shkupit, por edhe nga Tirana. Ata e shpjegojnë kërkesën në rritje për këto udhëtime me rritjen e standardit të jetesës për atë kategori të popullsisë, e cila mund të përballojë shpenzime të tilla. Këto janë udhëtime që mund të bëhen një herë në jetë e që në përgjithësi janë për muaj mjalti, ku buxheti nuk është i kufizuar sesa në pushimet e zakonshme vjetore. Tajlanda është bërë më e prekshme për shqiptarët. Nga Kalemi Travel ofrojnë një paketë udhëtimi prej 1200 eurosh për person, që përfshin 8 ditë në Bangkok dhe Pukhet. Drejtuesit e agjencisë pohojnë se janë rritur kërkesat për në Tajlandë, kryesisht nga të rinjtë, të cilët mund të kursejnë të gjithë vitin për këtë udhëtim.
Kroçerat
Kroçerat, edhe pse jo në masë, pëlqehen veçanërisht nga çiftet e reja që zgjedhin të kalojnë muajin e mjaltit në bordin e anijeve të mëdha. Drejtuesit e agjencisë turistike Union Travel thonë se pëlqehen udhëtime që kanë disa destinacione e kryesisht ishujt e Greqisë, që ofrojnë një përvojë të veçantë. Një tjetër agjenci që ofron paketa turistike me kroçera është edhe ATHS, me destinacione si Italinë, Spanjën, me çmime që fillojnë nga 600-1300 euro, ku përfshihen edhe taksat portale. Nga agjencia ATHS tregojnë se këtë vit, duke nisur nga prilli, u ofrua një tjetër udhëtim me kroçerë, ai i quajtur “Bixhuteritë e Deteve”, që përfshinin 7 net nga Santorini-Mikonos – Valleta – Romë – Kotor – Dubvronik, duke filluar nga 3493 euro.
Fluturimet nga fqinjët më të lirë
Agjencitë turistike në Tiranë prej vitesh ofrojnë paketa turistike me nisje nga aeroportet rajonale, kjo për arsyen e vetme të një çmimi më ekonomik. Agjencia “Kalemi” ofron udhëtime në Barcelonë për 4 ditë për person, ku përfshihen udhëtimi me avion vajtje/ardhje, si dhe akomodimi në hotel me 3 yje me mëngjes. Në rast se do të zgjidhet fluturimi nga Aeroporti i Shkupit, kjo paketë ka një kosto që llogaritet në rreth 239 euro për person, ndërsa me nisje nga Tirana për të njëjtën paketë, çmimi rritet dhe shkon në 359 euro për person.
Amsterdami gjithashtu është një destinacion që mund të vizitohet, me paketa që përfshijnë fluturimin nga Aeroporti i Shkupit. Drejtuesit e agjencisë turistike “Kalemi” sqarojnë se për katër ditë qëndrim në hotel me 3 yje, me mëngjes të përfshirë, kostoja llogaritet duke filluar nga rreth 220 euro për person. Por, për të njëjtin udhëtim me nisje nga Tirana, kostoja shkon në 380 euro për person.
Ndërsa një udhëtim 4-ditor për në Venecia, me fluturim nga Shkupi, për një qëndrim në një hotel me tre yje me mëngjes të përfshirë, llogarit një kosto duke filluar nga 120 euro për person, ndërsa nëse nisja do të bëhet nga Tirana, atëherë çmimi i paketës shkon në 249 euro për person, sidomos në datat e pikut të sezonit. Në të gjitha rastet, transportin nga Tirana drejt Shkupit (dhe anasjelltas) ose edhe në Podgoricë, e realizon agjencia. Për udhëtime në Shkup, çmimi i transportit arrin 30 euro, ndërsa në Podgoricë zakonisht zgjedhin të ikin me makinën e tyre, duke qenë se është një distancë më e afërt.
Kërkohet edhe shtatori
Agjencitë turistike kanë raportuar rritje të kërkesave në shtator për pushime. Një ndër udhëtimet që Ilirida Travel thotë se ka pasur shumë interes, është Costa Brava, Barcelona, kostoja e së cilës është 319 euro/person dhe në të përfshihet: bileta e avionit, linjë direkte nga Podgorica, akomodimi për 7 net qëndrimi, koncepti mëngjes + darkë e përfshirë, siguracioni i shëndetit në udhëtim dhe nisja bëhet nga 12 shtatori.
Një tjetër udhëtim që ka pasur prenotime nga shqiptarët për në shtator ka qenë Malta. Agjencia Kalemi Travel pohon se një udhëtim në Maltë në shtator për 4 net qëndrimi kushton rreth 280 euro për person, me lehtësi të tilla si linjë direkte, siguracion i shëndetit dhe mëngjes i përfshirë.
Rajoni, më shumë në fundjavë
Operatorët turistikë të Ballkanit prej vitesh ofrojnë paketa që përfshijnë disa vende, si një ofertë e përbashkët rajonale dhe jo pak të huaj kanë zgjedhur që të bëjnë pushime të tilla. Aktualisht, operatorët turistikë ofrojnë paketa në Shqipëri, Maqedoni, Greqi me çmime që shkojnë në rreth 700 euro, Shqipëri – Ohër 675 euro, ose paketa 8-ditore, me një kosto mesatare 600 euro. Paketa rajonale njëjavore më e shtrenjtë është ajo Korfuz-Shqipëri, që varion nga 650 euro në 1250 euro.
Ohri pret shumë më tepër turistë se Pogradeci. Çmimet janë të parat që vendosin, por edhe kushtet e tjera që plotëson ky rajon turistik i Maqedonisë. Nëse akomodohesh në hotel me katër yje, me të gjitha të përfshira, për 7 ditë, paguan rreth 550 euro, por nëse negocion mund ta gjesh shumë më ulët këtë paketë. Gjithashtu, Maqedonia ofron ture të shumta 3 dhe 5-ditore të tipit “aventurë” apo me udhëtime malore me biçikletë ose njëditore në Shkup dhe Mavrovë.
Në Malin e Zi, paketat ofrojnë çmime të lira në qershor, por shumë të shtrenjta në korrik dhe gusht. Një resort me 4 ose 5 yje në Budva arrin deri në 1000 euro në gusht/çifti. Ndërsa në udhëtimet e fundjavave, të cilat edhe shqiptarët i zgjedhin shumë vitet e fundit, mesatarja ditore shkon në 30 euro për person. Udhëtimi bëhet kryesisht me autobusë ose furgonë, në paketë përfshihet mëngjesi dhe darka, si dhe lëvizja në qytete apo plazhe të ndryshme./ monitor