Nga Eduard Zaloshnja
Fill pas dekretit të N-të të Presidentit Meta mbi zgjedhjet (sipas të cilit votimi duhet të kryhet në 13 tetor), zhvillova një sondazh elektronik me 1050 banorë të rritur të Shqipërisë. Shkalla e përfaqësimit të kampionit është 1 me 2 mijë. (Për krahasim, Fox dhe CNN përdorin në SHBA kampionë me madhësi të ngjashme, por me shkallë përfaqësimi 1 me 240 mijë, sepse atje jetojnë rreth 250 milionë banorë të rritur, ndërsa në Shqipëri vetëm 2.1 milonë).
Pyetja kryesore e sondazhit tim ishte: “Në qoftë se votimi zhvillohet i qetë, kur doni të votoni për përcaktimin e kryebashkiakëve tuaj?”
Rreth 34% e të anketuarve duan të votojnë më 30 qershor. Bazuar në shkallën 1 me 2 mijë të përfaqësimit, mund të ekstrapolohet se rreth 720 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri duan të votojnë në 30 qershor (shihni grafikun shoqërues). Për krahasim, në zgjedhjet e 2017-ës, 785 mijë zgjedhës votuan për PS, PSD e PDS.
Rreth 26% e të anketuarve duan të votojnë më 13 tetor. Bazuar në shkallën 1 me 2 mijë të përfaqësimit, mund të ekstrapolohet se rreth 550 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri duan të votojnë në 13 tetor. Për krahasim, në zgjedhjet e 2017-ës, 760 mijë zgjedhës votuan për PD, PR, LSI e PDIU.
Reth 33% e të anketuarve nuk duan të votojnë as në 30 qershor e as në 13 tetor. Bazuar në shkallën 1 me 2 mijë të përfaqësimit, mund të ekstrapolohet se rreth 700 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri i përkasin kësaj kategorie.
Reth 6% e të anketuarve janë të pavendosur. Bazuar në shkallën 1 me 2 mijë të përfaqësimit, mund të ekstrapolohet se rreth 130 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri i përkasin kësaj kategorie.
Kuptohet që ky sondazh vlen vetëm për zgjedhësit me banim në Shqipëri, sepse 1.44 milionë zgjedhësit që banojnë jashtë Shqipërisë, nuk kanë mundësi praktike të vijnë të votojnë në masë, edhe sikur ta kenë dëshirën të madhe.(RealStory)