Propozimin e ministrit Leshaj, për shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, PD-ja e ka cilësuar si antikushtetues, duke thënë se ai vetëm ka zbatuar Kushtetutën. Në një deklaratë për mediat, nga selia blu, sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi tha se asnjë militant i PD-së nuk ka djegur KZAZ-në në Bushat, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama si organizator i këtyre sulmeve, me qëllim që t’ia vërë fajin PD-së.
“Edi Rama ka një skenar të rrezikshëm dhune dhe përplasje civile për të dielën, skenar të cilin kërkon t’ia faturojë PD, opozitës dhe kryebashkiakëve të opozitës. Aktet e pavlefshme, banditeste dhe antikushtetuese kundër Zef Hilës janë tentativa të dështuara që kërkojnë të imponojnë paligjshmëri. Zef Hila është në krye të detyrës, duke zbatuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Kundër tij është regjimi që nuk e thyen dot me votë”, tha Bardhi.