Nga të gjitha partitë politikë që u takuan sot me Ilir Metën në Presidencë, më e qarta ka qenë LSI.
Mjafton të zbërthehen deklaratat e Ilir Metës dhe Petrit Vasilit për të kuptuar që 13 Tetorin e kanë ndarë vetëm mes tyre. Teksa Edi Rama ka refuzuar ftesën e Presidentit dhe e ka kaluar paraditen duke bërë not, Lulzim Basha e ka zbërthyer bisedën me Metën mbrëmjen e së enjtes.
Kreu i PD u shpreh qartë se ai dhe forca që drejton nuk ka pretendime për datën e zgjedhjeve, por për qëndrimin e Ramës në krye të qeverisë.
Në fakt, dakordësia që Meta-Vasili kanë arritur për 13 Tetorin u pa në entuziazmin që numri dy i LSI shprehu në një dalje publike. Ai jo vetëm që e mbrojti datën e re si zgjidhje të situatës, por nuk e përmendi kushtin e deritanishëm për largimin e Edi Ramës.
E gjithë teza përforëcohet edhe për faktin se Presidenti në deklaratën e tij garantoi një garë më demokratike ne 13 Tetor.
‘Unë nuk mund të garantoj se cili do të marrë pjesë dhe cili nuk do që të marrë pjesë. Unë dëshiroj që të gjithë të marrin pjesë, por në çdo rast unë jam i bindur se nuk do të ketë asnjë bashki në Republikën e Shqipërisë ku nuk do të ketë të paktën një kandidat alternativ! Pra, nuk do të kemi asnjë bashki ku do të ketë praktikisht votime pa kandidatë alternativë” – tha Meta duke nënkuptuar se nga ‘e keqja’ kandidatët alternativë do t’i sigurojë LSI-ja.
Pra një garë PS-LSI qoftë edhe pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike, sipas Metës do të ishte më e pranueshme.
(A. Rada)