Pas lajmit se Këshilli i Evropës ka tërhequr vëzhguesit pak ditë para zgjedhjeve vendore në Shqipëri, ka pasur reagime të shumta. Fillimisht ai që reagoi ishte kreu i PD-së Lulzim Basha i cili e cilësoi tërheqjen e KiE si “distancimi i qartë nga votimi njëpartiak që kërkon të bëjë Edi Rama”.
Më pas ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Taulant Balla.
Ky i fundit përgjatë një deklarate mediatike theksoi se “Kongresi i Autoriteteve Lokale është një prej institucioneve përbërëse të KiE, por nuk është KiE, nuk bëhet fjalë fare për gjithë dërdëllitjen që sapo dëgjuan shqiptarët”.
“Zgjedhjet në Shqipëri edhe më 2917 nuk janë monitoruar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale. Zgjedhjet monitorohen nga OSBE/ODIHR dhe keni parë prezencë shumë aktive të drejtueses së këtij institucioni, Glover. Ky autoritet gëzon reputacion ndërkombëtar për vëzhgimin, e njeh shumë mirë Shqipërinë. Numri i vëzhguesve të akredituar nga ODIHR në këto zgjedhje është tejet i madh, për një vend me 3 milionë banorë. Përtej sjelljes së këtij lajmi si një dramë, nuk ka nevojë fare për ta trajtuar si tejet të rëndësishëm. Është pjesë e një funksionaliteti. Para 8 muajve i kërkova Metës që zgjedhjet të mos mbaheshin më 30 qershor, për shkak të vapës së madhe, por u caktua dhe do të mbahen. Nuk preket aspak raporti përfundimtar, ekskluzivitetin e të cilit e ka OSBE”, tha Balla./l.m