Opozita i ka dhënë një ultimatum të rëndë KQZ-së, ku kërkon lirimin e KZAZ-ve brenda datës 27 qershor, duke paralajmëruar akte dhune dhe asgjësim të materialeve zgjedhore, nëse nuk zbatohet kërkesa e tyre.
Ky paralajmërim është bërë nga 24 bashkitë e drejtuara nga PD-LSI, duke sfiduar paqen e kryedemokratit Basha, i cili të martën në mbrëmje, u bëri thirrje qytetarëve të bojkotojnë daljen në votime, por nuk përmendi bllokim të procesit zgjedhor. Madje, PD mohoi edhe qarkoren e publikuar të hënën nga Sokol Balla gjatë emisionit Real Story, por duke parë shkresën e nisur nga bashkitë e djathta, vëren se ajo qarkore ka shumë të vërteta brenda.
Realstory.al siguroi një kërkesë tip, ku sipas informacioneve është nisur nga zyrat e PD për të gjitha bashkitë e opozitës, të cilat më pas e kanë firmosur dhe vulosur, duke ia drejtuar KQZ-së dhe policisë, e për dijeni vëzhguesve të OSBE-ODIHR. Aty thuhet qartë ato do të shkatërrojnë materialet zgjedhore.
Në këtë shkresë deklarohet se ne jemi të vendosur që të marrim nën administrim ambientet ku janë vendosur KZAZ dhe GNV, pa asnjë tolerim.
“Në datat 27 Qershor 2019 – 2 Korrik 2019, në kushtet kur nuk ka një Dekret të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, në ambientet që ishin vënë në dispozicion paraprakisht për KZAZ dhe GNV, është planifikuar të jenë në dispozicion të qytetarëve për aktivitete të ndryshme artistike, kulturore dhe letrare, që do të organizohen nga njësia e qeverisjes vendore, apo për tubime që do të organizohen në përputhje me të drejtën kushtetuese të lirisë së tubimit, sipas nenit 47 të Kushtetutës. Këtë njoftim po e bëjmë për efekt të detyrimit që ju keni për të mos çuar dëm materialet zgjedhore, sepse zaptimi i ambienteve tona me materiale që nuk janë të autorizuara nga ne të futen brenda, do të shkaktojë asgjësimin e tyre të menjëhershëm, në funksion të lirimit të ambienteve”, paralajmërohet në kërkesë.