Ish deputeti i PD, Aurel Bylykbashi pas një deklarate paraditen e sotme ku bëri thirrje për vëllavrasje, ka deklaruar se nuk i heq asnjë presje asaj që ai kishte thënë.
Edhe pse u shoqërua në policinë e Elbasanit pas deklaratës luftë nxitëse, ish deputeti Bylykbashi i ftuar në emisionin ‘Dritare me Rudinën’ theksoi se po kërkojnë rregulla të barabarta loje pozitë-opozitë.
“Unë dua të deklaroj se nuk i lëviz asnjë presje asaj që kam thënë.
Unë mendoj që një shqiptar i mirë duhet të shikojë përtej gardhit të shtëpisë së tij.
Të shikosh si po ecën ky vend, si po ecën rruga drejt BE.
Në këtë vend ne duam rregulla loje të barabarta pozitë-opozitë. Edhe unë doja të votoja në 30 qershor, por doja të votoja i lirë”.
Për deklaratën e Bylykbashit, sot u distancua e gjithë PD-ja, përfshirë edhe Lulzim Bashën.
Por duket se ai nuk është informuar për qëndrimin e partisë së tij që ndryshoi sot në mbrëmje.