Pas stadiumit “Arena Kombëtare” dhe Parkut Olimpik “Feti Borova”, Tirana do të ketë edhe dy ambiente të tjera sportive për sportin elitar. Gjatë një takimi me sportistë dhe përfaqësues të shoqatave sportive, kandidati i koalicionit të majtë Erion Veliaj deklaroi se ka ardhur koha që kryeqyteti të ketë një pallat të ri sportiv.
“Unë jam i mendimit që ka ardhur koha që të njëjtën gjë të bëjmë me Pallatin e Sportit Asllan Rusi. Pallati i Sporti “Asllan Rusi” është sot në një gjendje të mjerueshme dhe kemi dy mundësi: O t’ia plasim histerisë, ose të themi: Nën shembullin e stadiumit, oferta më e mirë që rregullon Pallatin e Sportit, e bën nga e para, mundësisht me katër-pesë mijë spektatorë, me parkim nëntokësor, me të gjitha hapësirat për stërvitje dhe lojëra dinjitoze, ta marrë dhe ta bëjmë siç u bë stadiumi “Qemal Stafa””, tha Veliaj. Kandidati socialist theksoi se menjëherë me nisjen e punës për mandatin e dytë do të hapet gara për Pallatin e ri të Sportit. “Ne do të hapim një garë për Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, sepse unë besoj që pavarësisht sportit komunitar, ne na duhet një hapësirë , një arenë kombëtare e basketbollit dhe volejbollit, e lojërave me dorë, kështu që duam që në fillim në ditët e para të mandatit të dytë të hapet ky proces. Më I miri le të fitojë dhe të na dhurojë më në fund, siç kemi stadiumin edhe një hapësirë tjetër për “Asllan Rusin””, tha ai.
Ndërkaq, kandidati socialist i cili kërkon edhe një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës, shprehu gatishmërinë për të nisur puna dhe për rijetëzimin e stadiumit “”Selam Stermasi”.
“Unë gjykoj që në momentin që ne kemi hapur Arenën Kombëtare, pra është bërë efektive dhe mund të luhet, ka ardhur koha që si pronari ekskluziv I stadiumit Dinamo, i stadiumit “Selman Stermasi”, Bashkia e Tiranës, siç do të bëjë me Pallatin e Sporti duhet të bëjë edhe me “Selman Stermasin” dhe të kemi dy stadiume. Një të qytetit dhe një të shtetit, për të pasur ndeshje dhe për të pasur aktivitet 24/7. Por sigurisht duke qenë se ky investim varet nga hapja e “Arenës Kombëtare” do të respektohet ky rend i gjërave, që ne të kemi gjithsesi një stadium alternativ, në momentin që bëhet gati Arena Kombëtare, ne do të nisim procedura të ngjashme edhe për stadiumin “Selman Stermasi”, sepse besoj qytetit me 1 milionë banorë nuk i del, madje e ka pak edhe dy stadiume, jo më një të vetëm, siç është Arena Kombëtare”, theksoi Veliaj.