Njësia administrative e Sukthit në Bashkinë e Durrësit është zona e radhës e cila në saj të investimit të realizuar nga AKUM do të ketë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.
Përfundimi i fazës së parë të investimit, garanton furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për afro 2200 banorë si dhe mbi 100 subjekte private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës dhe Mbetjeve, Alqi Bllako si dhe kandidatja e PS për Bashkinë Durrës, Valbona Sako inspektuan përfundimin e fazës së parë të projektit.
Drejtori Bllako teksa bëri të ditur detaje të këtij investimi dhe se pas vendosjes në funksion të linjës tjetër të furnizimit me ujë për qytetin e Durrësit nga Fushë-Miloti, linja e Fushë-Kuqes do të mund të sigurojë më shumë sasi uji jo vetëm për zonën e Sukthit por dhe zona të tjera të Bashkisë së Durrësit.
“Falë këtij investimi i cili do të rinovojë tërësisht rrjetin e brendshëm të furnizimit për zonën nga lagjja 6 deri në lagjen 2 Vardardhë, do të ketë impakt pozitiv të drejtpërdrejtë për 2200 banorë dhe 100 biznese të kësaj zone. Lajm i mirë dhe lajmit tjetër pozitiv është se pas vendosjes në funksion të linjës së re të furnizimit me ujë për qytetin e Durrësit nga Fushë-Miloti, linja e Fushë-Kuqes do të mund të sigurojë më shumë sasi uji jo vetëm për zonën e Sukthit por dhe zona të tjera të Bashkisë së Durrësit siç është Ishmi, Manza apo Shijaku”, u shpreh Bllako.
Ndërsa ministrja Belinda Balluku, bëri të ditur se së shpejti në këtë zonë do të nisin punimet për fazën e dytë të projektit nga ku do të përfitojnë furnizimi të pandërprerë me ujë të pijshëm 3900 banorë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se krahas banorëve, në zonën në fjalë, ka dhe një numër të madh biznesesh që ushtrojë aktivitetin e tyre dhe që do të përfitojnë nga ky investim teksa shprehu bindjen se kryetarja e re e bashkisë së Durrësit do të bëjë akoma dhe më shumë për njësinë administrative të Sukthit.
“Pas përfundimit të kësaj faze të parë të projektit, AKUM ka planifikuar për të vazhduar me një fazë të dytë projekti i cili do të ofrojë shërbim për 3900 banorë të tjerë dhe çfarë është më e rëndësishme ne po arrijmë që të kapim nivelet e 150 litra ujë përditë për banorë dhe kjo është diçka e jashtëzakonshëm që ndodh në këtë zonë. Kjo zonë përveç se ka një lidhje me zonën e Hamallajt, ku turizmi po zhvillohet atje, është një zonë ku janë vendosur njësi industriale siç janë ato të fasonërisë apo industria e bulmetit që kanë nevojë shumë për mbështetjen logjistikë qoftë nga ujësjellësi dhe qoftë nga shërbimi me energji nga OSHEE-ja. Unë shpresoj që edhe Valbona këtu do bëjë punë të shkëlqyer dhe janë gjëra për tu rregulluar akoma dhe më shumë në këtë zonë sepse përmirësimet nuk përfundojë kurrë”, nënvizoi Balluku.
Nga ana e saj, kandidatja për bashkinë e Durrësit Valbona Sako falënderoi ministrinë por edhe AKUM për investimin e realizuar.
“Një falënderim në emër të qytetarëve të Durrësit, kjo është një zonë që investimet sot janë të prekshme. Shumë faleminderit Ministrisë, drejtorisë së Përgjithshme sigurisht dhe ujësjellësit të Durrësit për përkushtimin që tregojnë çdo ditë për banorët e qytetit”, u shpreh Sako.
Mungesa e investimeve dhe amortizimi i rrjetit e kishte bërë njësi administrative të Sukthit që të kishte kufizim sa i takon furnizimit me ujë të pijshëm. Me investimin e përfunduar por edhe me fazën e dytë eliminohet humbjet në rrjet si dhe lidhjet e paligjshme./l.m