Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi është shpallur kampione në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë në Lojërat Europiane Minsk 2019 në Bjellorusi.
Kjo ishte medalja e parë e artë për Kosovën në një Kampionat Evropian, por gjithashtu e para edhe për Majlindën.
Pas këtij triumfi, xhudistja kosovare është shprehur shumë e lumtur, por ka treguar edhe për vështirësitë që hasi deri në këtë triumf.
“Sigurisht që po ndihem shumë e lumtur. Është hera e parë për mua që marrë pjesë në Lojërat Evropiane, që në sportin tonë janë të njëjta me kampionatin evropian, arsye për të cilën marrim dy medalje në një ditë.
Realisht ishte një ditë e vështirë dhe e gjatë, me mjaft stres, duke pasur parasysh se dy vitet e fundit nuk morra pjesë në kampionate, për arsye të lëndimeve. Sot isha mjaft e motivuar dhe besoj se gara shkoi shumë mirë.”
“Finalja shkoi ashtu siç dëshirova. Rusja është shumë e fortë fizikisht, por në fund bëra gjuajtjen e hodha dhe thjesht ndjeva atmosferën e mirë që ishte aty. Jo shpesh kemi mundësi të shohim shqiptarët të na përkrahin në këso nivele kështu që i falënderoj”, ka thënë xhudistja.
Më tej ajo është shprehur se këtë fitore ia dedikon një personi të veçantë, që e ka humbur disa muaj më parë.
“Këtë medalje ia dedikoj një personi që ishte shumë i veçantë për mua, djalit të tezës sime, Labinot Harbuzi, që fatkeqësisht e kemi humbur disa muaj më parë. Ai besonte gjithmonë në mua dhe këtë medalje ia dedikojë atij” ka thënë ndër të tjera Majlinda./l.m